Fundamenti

Halilaj, i kërkon zemrës t’ia fshijë kujtesën

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Përmes artit, ai iu është kthyer ngjarjeve të fëmijërisë së tij, që të krijojë e të rikrijojë vepra të reja. Në pesë pjesët, që janë prezantuar veprat e Petrit Halilajt, ka punime nga fëmijëria e tij e hershme deri te punimet e ditëve të fundit.

Pikturat, instilacionet e videon i lidh përvoja personale dhe njëherit kolektive, që edhe e përbëjmë unitetin e ekspozitës “Zemër shtype pullën dhe fshima kujtesën” e hapur në mbrëmjen e së premtes, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Halilaj është i lidhur me kafshët, pulat dhe konkretisht zogjtë. I veshur si zog, ai ka pritur mysafirët dhe nuk kanë munguar as interpretimet e tij. Kur kishte qenë fëmijë, Petriti ishte i bindur se mund të fliste në gjuhën e pulave.

“Kur kam qenë i vogël kam qenë i bindur se di të flas me pulat, por në gjuhë të pulave, më duket se ka qenë preokupimi i parë i prindërve të mi, se diçka nuk është duke funksionuar me mua”, ka treguar Halilaj duke qeshur, derisa ka thënë se ideja për t’iu rikthyer fëmijërisë i kishte ardhur pasi kishte përfunduar studimet në Itali dhe kishte shkuar në Stamboll.

“Në Stamboll në një vend të lojërave, kam krijuar një rrethoj, kam huazuar disa pula dhe një gjel edhe kam vendosur të bashkëjetoj më to për dhjetë ditë, ideja ka qenë që të ndaj edhe hapësirën edhe të flas prapë me pulat, por jo t’i bëj ato njerëzore, por si unë të flas me pulat”, ka rrëfyer ai, për të shtuar se nga kjo ka krijuar instilacionin që edhe ishte pjesë e ekspozitës.

“Kjo është njëra nga dy pendlat që gjeli i ka në bisht, që janë më të gjatat. Pendla është shumë e ndjeshme. Kur futet në ujë, pendla bëhet më e ndjeshme sesa në të vërtetë është dhe kjo ka ndodhur me ndërrimin e kontekstit prej ajrit të futet në ujë”, ka thënë Petrit Halilaj.

Pikënisja, ideja e veprave të tij, lidhet me të kaluarën dhe të tashmen. Me dy salla, në katin e dytë të Galerisë janë ekspozuar fotografitë, instilacionet dhe videoja. Këto tri forma të ndryshme të artit Petritin e lidhin me dy kujtime.

E para janë vizatimet e tij të vitit 1997, kur ai ishte 11 vjeçar, të cilat nëna e tij bashkë me stolitë dhe arin e saj i kishte groposur në dhe, ngase kishte parandier se shtëpia do të digjet, ashtu edhe siç kishte ndodhur.

Hidromorava

“Të vetmet vizatime që unë i kam prej asaj kohe janë këtu”, ka treguar Petrit Halilaj. Kujtimi tjetër lidhet me gjyshin e tij. Pasi ishte djegur shtëpia, gjyshi i tij kishte kërkuar, që kodra të kthehej siç kishte qenë para se të ndërtohej shtëpia, që të pastrohet gërmadha, që kodra të kthehej ashtu siç ishte kur gjyshi i tij kishte qenë i ri.

“Kjo lidhet edhe me fakte historike, individuale dhe kolektive edhe me një farë dëshire pozitive për të ardhmen”, thotë artisti. Ndërsa, përmes videos ai ka dokumentuar kodrën para se të kthehet në gjendjen që e dëshironte gjyshi i tij.

Vesa Sahatçiu, kutatore e ekspozitës ka thënë se “Zemër shtype pullën dhe fshima kujtesën” përbëhet prej vizatimeve, disa instilacioneve dhe konstruksioneve të ndryshme shpeshherë të përmasave të mëdha.

“Edhe këtu si në projektet e tjera, pikënisja tematike për punët është fëmijëria e tij, përvojat e tij, kafshët e fëmijërisë së tij”, ka thënë Sahatçiu, për të shtuar se punët e Petritit duken sikur vijnë nga një vend tjetër dhe janë të krijuara nga një përzierje e materialeve të përditshme si: telat, dheu.

“Titulli i ekspozitës vjen nga shkrimet poetike të Petritit, ku ai reflekton mbi botën, veten, dhe rrethin e tij”, është shprehur ajo. Ndërsa, Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, është shprehur se është nder për Galerinë që t’i ekspozojë veprat e Petrit Halilajt.

Zake Prelvukaj, piktore, është shprehur se Petriti është artist që e ka pranuar bota dhe se veprat e tij janë paraqitur në qendrat më të rëndësishme të artit botëror.

“Mendoj se Petriti është duke i prekur majat e artit, mirëpo është duke i arritur shkallë shkallë deri tek një sukses jashtëzakonisht i madh, që neve si shqiptarë na bënë nder”, ka thënë Prelvukaj.

Përmes titullit “Zemër shtype pullën dhe fshima kujtesën”, Petrit Halilaj dëshiron që ta harrojë fëmijërinë për një çast, në mënyrë që të kujtojë sërish, rikrijojë sërish, objektet dhe format, disa prej të cilave janë reale e të tjerat të imagjinuara./zeri/