Gara për liderë studentorë, mundësi për poste pas diplomimit
Bilbordet me thirrjet për të votuar organizatat studentore dhe kandidatë të ndryshëm, prej ditësh kanë mbuluar dyert dhe dritaret e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës.
Të pesëmbëdhjetë organizatat studentore që po garojnë për të marrë timonin e Parlamentit të ri Studentor të Universitetit të Prishtinës kanë pasur mundësi për të bërë fushatë vetëm edhe të hënën. Të martën (sot) nis heshtja zgjedhore, ndërsa votohet të enjten. E studentët që po synojnë kryesimin e Parlamentit Studentor dhe shtatë ulëset në Senatin e UP-së kanë bërë fushatë të “bujshme” në kërkim të votës së afro pesëdhjetë mijë kolegëve të tyre, që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje studentore. Ngarendjen për t’u bërë liderë të studentëve, njohës të çështjeve të arsimit e shohin si luftë për karrierë që ua siguron ky post fituesve edhe pas studimeve.
E ndikimin që ka pasur kjo pozitë në marrjen e një posti publik pas diplomimit e pranojnë edhe vetë ata që dikur kanë qenë në krye të Parlamentit Studentor.
Shumë nga ata që kanë qenë liderë të studentëve, pas përfundimit të studimeve kanë zënë pozita të larta publike.
Liderë të studentëve kanë qenë edhe Esat Belaj, Gazmend Maliqaj dhe Arian Janova, të cilët pastaj janë mbajtur si asistentë në UP deri në fund të vitit të kaluar, kur u arrestuan nga policia nën dyshimet për keqpërdorime rreth regjistrimit të paligjshëm të studentëve në UP, në kohën sa ishin liderë të studentëve.
Dukagjin Pupovci ka thënë për “Kohën Ditore” se Universiteti ekziston për shkak të studentëve, prandaj është shumë me rëndësi që ata të përfaqësohen në mënyrë sa më të denjë në organet e tij. Ai bën thirrje që prapa zgjedhjeve studentore të mos jetë politika. /Koha Ditore/


