Konjufca: PDK vazhdimisht e ka shfrytëzuar LDK-në dhe AAK-në
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij, në janar të vitit 2011, u përball me shumë sfida.
“Faza e parë ishte krizë e legjitimitetit për shkak të vjedhjes së votave”, tha Konjufca në emisionin “Zona B” në Klan Kosova.
Pas kësaj, Konjufca tha se ishin dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas tij, nuk zgjodhën që të sfidonin seriozisht qeverinë, të cilës siç tha ai, i mungonte legjitimiteti.
“PDK varësisht momenteve të caktuara politike, ajo herë e ka shfrytëzu LDK’në e herë AAK’në për me i arritë numrat”, tha Konjufca.
Sipas tij, këto dy parti opozitare, gjithmonë kanë qenë paterica të kryeministrit Hashim Thaçi, të cilit tha ai, i kanë ndihmuar për të ecur.
Ai tha se qeveria gjithmonë ka arritur ta manipulojë opozitën.
Konjufca e ka kritikuar Thaçin, edhe lidhur me siç tha, akuzat e tij për mos votim të Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Të vetmit njerëz që po e kundërshtojnë ushtrinë e Kosovës janë njerëzit që janë koalicion me kryeministrin Thaçi”, tha ai.


