Në nëntor Kosova aplikon në Procesin e Bolonjës
Kosova në sistemin e arsimit të lartë ka vite që po zbaton kriteret dhe standardet e Procesit të Bolonjës, por vendi ende nuk është anëtar i këtij procesi.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe njohës të çështjes së arsimit thonë se kjo është më shumë çështje politike sesa e zbatueshmërisë së kritereve. Kosova ka aplikuar dy herë për t’u anëtarësuar në Bolonjë, por është refuzuar për arsye se nuk ishte ende shtet i pavarur.
Ndërkohë tash MASHT-i ka themeluar grupin për përgatitjen e aplikimit në Bolonjë, ku pritet që kjo të bëhet në nëntor të këtij viti. Kështu, këtë vit Kosova pritet të aplikojë për anëtarësim në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Vendi pretendon se ka arritur të zbatojë kriteret dhe standardet e procesit të Bolonjës në arsimin e lartë, por ende nuk është anëtare e këtij procesi.
Selvie Halimi, këshilltare e ministrit të arsimit Ramë Buja, thotë se sa i përket zbatueshmërisë së kritereve, tashmë Kosova do të duhej të ishte anëtare e Bolonjës.
Por ajo ka thënë se kjo nuk varet nga Ministria e Arsimit. “Aq sa ka peshë zbatimi i standardeve nga një vend në sferën e arsimit të lartë, aq e rëndësishme për apo kundër është segmenti politik. Në rastin e Kosovës peshën kryesore e ka çështja politike”, thotë Halimi. “Kusht kryesor është aprovimi i Konventës Kulturore Evropiane e cila duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës”./express/


