Hapet ekspozita e piktorit Bujar Jakupi
Gjilan – Në ditëlindjen e 46-të është hapur ekspozita personale e piktorit Bujar Jakupi, në galerinë e qytetit në Gjilan. Kjo ekspozitë, e titulluar “Duke ndjekur ëndrrën”, përmban 43 punime, dhe për organizimin e saj është përkujdesur familja e piktorit Jakupi, në përkrahje të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjilanit. Në këtë ngjarje nuk ka mundur të marrë pjesë piktori Jakupi, meqë vuan nga një sëmundje e rëndë.
Ndërkohë, të pranishëm ishin nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtori Bujar Haziri, si dhe profesionit të lëmisë së pikturës e artdashës.
Këto punime janë vlerësuar lartë nga profesionistët e pikturës. Një fjalë rasti pati kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila ka falënderuar të gjithë që janë angazhuar rreth hapjes së ekspozitës, të cilët janë kujdesur që puna e Bujarit të dalë para publikut.
“Është një emocion i veçantë që të flasësh për mikun, kolegun dhe artistin e madh Bujar Jakupin, vepra e tij vazhdon të mbetet një vlerë e veçantë për artin tonë duke uruar qe Bujari të kthehet shumë shpejtë në mesin tone”, ka thënë e emocionuar Bunjaku Rexhepi.
Fatmir Spahiu tha se është i pranishëm në përkrahje të Bujarit, i cili ka lënë një kujtim mjaft të mirë, si artist ishte i jashtëzakonshëm, duke uruar që në të ardhmen e afërt të jetë sërish në mesin tonë dhe të sjellë vepra të tilla siç na ka sjellë deri më tani.
Rexhep Ferri e Esat Balla, kanë vlerësuar lartë veprimtarinë artistike të Bujar Jakupit, duke thënë se Bujari ka qenë student, kolegë dhe mik shume i mirë.
“Është e dhimbshme që Bujari nuk është në mesin tonë që ta gëzojë këtë natë, por sikur që jeta, legjenda e vdekja janë gjysmë të vërteta, njashtu jemi dhe ne këtu. Krijimtarinë e Bujarit ne do ta ruajmë si kujtimin më të mirë”, tha Ferri.
Jyksel Gjinolli, drejtoreshë e shkollës fillore “ Thimi Mitko”, ka vlerësuar gjithashtu krijimtarinë e Bujar Jakupit dhe në emër të kolektivit ka ndarë një mirënjohje për piktorin.
Në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur Leart Jakupi ( i biri i Bujar Jakupit) i cili falënderoi miqtë, dashamirët, komunitetin artistik si dhe institucionet për hapjen e ekspozitës, duke dëshiruar që në ekspozitat e radhës të jetë i pranishëm dhe vetë piktori.
Në emër të kryetarit të Komunës , Lutfi Hazirit, drejtori i Kulturës, Bujar Haziri i ka ndarë një mirënjohje familjes Jakupi./rajonipress/


