Pakoja për EULEX-in “prish ligjet
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me EULEX-in në Kosovë tashmë është në procedurë dhe ngërthen në vete një pako ligjesh që do të ndryshohen për t’i marrë disa kompetenca nga misioni evropian për sundim të ligjit. Miratimi i kësaj pakoje do t’i paraprijë ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë – BE për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet.
Me votën e tyre, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që në seancën e së mërkurës të miratojnë një pako të ndryshimeve ligjore për t’ia hequr kështu mundësinë ligjore transformimit, por edhe vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it. Bazuar në disponimin dhe pozicionet e shprehura, partitë parlamentare do të mbështesin vazhdimin e këtij mandati, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje – shkruan gazeta Tribuna.
Proceduralisht, në këtë seancë fillimisht pritet të votohet për shmangie nga rregullorja e punës. Më pas do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës. Kjo procedurë është përdorur edhe në rastin e miratimit të ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit. Me shmangie nga rregullorja e punës, Kuvendi mund të caktojë seancën e miratimit të dytë final të kësaj pakoje ligjore qysh për të enjten./Tribuna/


