PDK: Qeverisja e Kllokotit po përfundon pa e realizuar asnjë premtim!
Gjilan – LDK dhe Lista Serbe bashkëpunuan shumë për t`i fituar zgjedhjet lokale në Kllokot dhe premtuan shumë investime, punësime, infrastrukturë moderne dhe sundim të ligjit, por ky koalicion qytetarëve të Kllokotit nuk i dhuroi asgjë përveç që ju sjelli shumë dëme thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Kllokot.
Punën e kësaj qeverisje lokale të koalicionit mes Listës Serbe, të Streqko Spasiçit dhe Hasan Rashitit, nga fillimi e kemi cilësuar të dëmshme dhe të pa pranueshme për qytetarin, sepse kjo qeverisje nuk ka realizuar asnjë premtim të dhënë nga fushata përkundër ndihmës që ish-kryetari i LDK-së Hasan Rashiti i dha Listës Serbe dhe për këtë ndihmë të nënkryetarit për Komunitete nuk u shpërblye asnjë qytetarë i Komunës Kllokotit, por u shpërblye vetëm Nënkryetari për Komunitete me një Pasaportë të Republikës së Serbisë.
Kjo qeverisje e zhytur në krim dhe korrupsion, nuk ka bërë asgjë në të mirë të qytetarit, qoftë edhe të rregulloj një llamp ndriquese të djegur të qytetit. Asnjë investim në infrastrukturë, arsim, kulturë dhe shëndetësi. Nuk kanë krijuar asnjë vend pune, përkundër gënjeshtrave të shumta, por kanë larguar nga vendet e tyre të punës shqiptar dhe serb. Kjo qeverisje ka gënjyer sepse nuk e vuri në funksion çerdhen për fëmijë, ndërtimin e një shkolle fillore shqipe në Kllokot, ndriçimin publik, ujësjellësin, rregullimin e sistemit për ujë të pijshëm për qytetarët e Mogillës dhe Kllokotit.
Qendra e Mjekësisë Familjare në Kllokot nuk ofron shërbime për asnjë komunitet dhe nuk ka asnjë mjek, teknik, apo infermier në këtë qendër mjekësore që ofrojnë shërbime përkundër që marrin paga nga Kosova dhe Serbia.
Gjithashtu në Mogillë nuk u vazhduan punimet në ambulancën e fshatit dhe nuk u investua asgjë në shkollën e vjetër të fshatit, asnjë investim në infrastrukturë, ujësjellës, asfaltim, trotuare, ndriçim dhe kanalizim në fshatin Mogillë.
Kryetari i Komunës Kllokotit po i pengon qytetarët shqiptarë për pajisje të certifikatave të pronësisë dhe po pengon qasjen në dokumente publike për të cilën edhe avokati i popullit ka bërë vërejtje.
Kryetari Spasic i ka bllokuar 50 familje në kompleksin banesor në Kllokot të cilët i ka lënë që katër vite pa rrugë, të cilët qe katër vite enden nëpër gjykata për të bërë zgjidhjen e problemit dhe Nënkryetari për Komunitete Hasan Rashiti ishte zotuar dhe ju ka dalur në ndihmë këtyre familjeve, por ka hasur në pengesa nga ana e kryetarit Spasic.
Kryetari i Komunës Kllokotit po i pengon qytetarët shqiptarë për pajisje të certifikatave të pronësisë dhe po e pengon qasjen në dokumente publike. Vetëm Administrata dhe Shërbimet publike ofrojnë efikasitet në punë dhe shërbime të mira qytetarëve! Këtë qeverisje të këtij koalicioni e karakterizojnë edhe shkelje të rënda ligjore dhe kushtetuese, siç është emërimi anti-kushtetues i kryetarit të komunës për pozitën e nënkryetarit për komunitete, mos respektimi i simboleve shtetërore si shkelje të Kushtetutës së Kosovës, punësim të militantëve partiak pa konkurs, largime nga puna në mënyrë kundër ligjore, dëmtim të buxhetit të komunës dhe korrupsion dhe zhvatje nga tatimet ndaj shtetit nga ana e kryetarit Spasiç.
Ne besojmë në institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe jemi të sigurt që çdokush që ka sfiduar dhe sfidon ligjet e shtetit Kosovës me veprime kundër ligjore, do të merr përgjigjen e merituar nga organet e drejtësisë.
Gjykatësit e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe Viti duhet ta bëjnë punën e tyre në kuadër të profesionalitetit dhe jo emocioneve dhe të sjellin vendime që nuk janë mbi baza të interesit të tyre. Është koha e fundit që këta gjykatës të sjellin vendime të merituara ndaj shkelësve të ligjit thuhet në reagimin e PDK-së në Kllokot./rajonipress/


