Matoshi: Vetëm AKR e nxjerr Anamoravën nga ky mjerim
Gjilan – Aleanca Kosova e Re po synon që të rimarrë elektoratin e Anamoravës në zgjedhjet e ardhshme duke besuar se është forca më kredibile politike në rajon. Kryetari i AKR-së Kamenicë Fatmir Matoshi, i cili së fundmi ka udhëhequr edhe njërin nga komisionet më të rëndësishme në parti, komisionin për zgjedhjen e presidentit të partisë ka thënë se Anamorava e ka rastin për zhvillim vetëm përmes AKR-së.
“Gjatë një viti të kaluar është punuar mjaft shumë në strukturimin e partisë në të gjitha degët në Anamoravë, dhe zgjedhjet partiake kanë treguar se kjo punë ka rezultuar me sukses të madh. Ka shumë ardhje të reja në parti, si në Gjilan ashtu edhe në Kamenicë e Viti. Rajoni ynë e ka shansë të vetme për zhvillim AKR-në ashtu sikurse edhe e gjithë Kosova. PDK dhe LDK e kanë lënë këtë pjesë të Kosovës në mëshirën e fatit, ne jemi të diskriminuar në secilin aspekt. Është rritur niveli i varfërisë, është shtuar papunësia dhe durimit qytetar po i vjen fundi, njerëz të uritur e pa asnjë shpresë për një jetë më të mirë po trajtojnë tema si demarkacioni e asociacioni që njërën do të duhej ta trajtojë një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtare dhe tjetrën tashmë e ka trajtuar Gjykata Kushtetuese, këto tema po i servohen qytetarit në vend të sofrës së mbushur dhe vendeve të punës. Këtë gjendje nuk do ta durojnë qytetarët më” ka thënë Matoshi për rajonipress.
Ai tha se AKR po synon t`u jap përgjegjësi njerëzve të përgjegjshëm dhe jo atyre që janë ricikluar në skenën politike. “Shikoni partinë opozitare në vend, shihni njerëzit e saj, që sot janë deputet e zyrtarë të lartë, janë ish figura të ngritura në politikë nga Thaçi dhe PDK-ja që tash janë në VV në Gjilan për shembull, dhe e kanë rritur dozën e retorikës patriotike, këta nuk munden ta zhvillojnë këtë vend, andaj qytetarët e Anomravës nuk duhet ta pranojnë mashtrimin e dytë nga po të njëjtit njerëz tash të veshur me ngjyrë tjetër partiake. LDK poashtu e humbi rastin që të bëjë diçka për Gjilanin, sot aty ende po flitet për ujërat e zeza në mes të qytetit, kjo temë është në Gjilan që nga paslufta” ka thënë Matoshi.
Në vazhdimësi sipas Matoshit, qytetarët po i bashkohen AKR-së. “Kemi pasur ardhje të shumta e kualitative, do të ketë zhvillime të reja sidomos në Komunën e Vitisë ditëve në vijim, Gjilani e Kamenica po punojnë në mënyrë konstante dhe ne presim rezultate nga kjo punë, që do të kulmojnë me një mbështetje shumë të madhe për AKR-në në zgjedhjet që po vijnë” ka thënë Kryetari i AKR-së Fatmir Matoshi./rajonipress/


