Eko Higjiena

Një rrëfim për shëndetësinë në Kosovë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Shumëkush nuk do të pajtohet me këtë vlerësim. Prandaj, e theksoj që ky është rrëfim për vetëm një rast dhe vetëm një përjetim që ka të bëjë me sistemin shëndetësor në Kosovë.

Ky sistem, u degradua për vite me radhë, fillimisht gjatë okupimit serb, dhe më pastaj duke mos u prioretizuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht për cilin vit flasim. Shëndetësia si sektor asnjëherë nuk ka marrë as buxhetin e duhur dhe të merituar, edhe nëse e krahasojmë me vendet e rajonit. Në këto rrethana, numri i rasteve që kërkojnë këshilla mjekësore në Maqedoni, në Shqipëri, e madje edhe në Serbi, çdo ditë shtohet.

Përvoja ime me mjekë dhe në spitale në Amerikë dhe në Australi më ka dëshmuar se mjekët në këto shtete nuk janë asgjë më të mirë dhe më të përgatitur se mjekët në Kosovë. Madje shumë herë mjekët tanë kanë qëlluar shumë më të përgatitur dhe më të përkushtuar. Këtë përkushtim e pashë edhe gjatë javës së shkoi, gjatë lindjes së vajzave të mia në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK. Një staf mjekësor i shkëlqyeshëm që tregonte kujdes maksimal për të gjitha pacientet, e në veçanti për foshnjat e lindura. Pritjet e mia ishin tërësisht të kundërta, duke u bazuar në storiet që i dëgjojmë shpesh. Por ajo që pashë ishte një angazhim maksimal i njerëzve që punojnë aty për të siguruar kushte normale për pacientet përderisa përballeshin me rrethana anormale. Mungesa e shtretërve, e barnave dhe elementeve të tjera esenciale e bënte punën e stafit mjekësor jashtëzakonisht të vështirë.

Uji Dea

Por kjo mungesë assesi nuk është faj i atyre që punojnë në QKUK, por në tërësi i atribuohet neglizhencës së Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë prioritet shëndetit të qytetarëve. Në një deklaratë të para disa muajsh, ministri i Shëndetësisë kishte deklaruar se për të mbuluar të gjitha nevojat për barna esenciale duhen diku rreth 20 milionë euro, ndërkaq në buxhetin e Kosovës janë ndarë vetëm 11 milionë. Kjo do të thotë që një sferë kaq esenciale për qytetarët, që prekë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, po lihet anash vetëm për 9 milionë euro. Po kaq, pra 9 milionë euro kushton ndonjë rrugicë apo rrugë e shkurtër, që nuk do të bënte problem edhe nëse lihet anash për një vit. Përderisa mungesa e këtyre barnave dhe kushteve esenciale në spitalet e Kosovës mund t’i kushtojë dikujt edhe me jetë. Më e drejtë, ndërkaq, do të ishte sikur bile për një vit investimet marramendëse në autostrada të liheshin anash dhe ai buxhet të investohej i tëri në shëndetësi. Me investimet aq të vogla që bëhen tani, assesi nuk mund të ketë përparime në këtë sferë dhe kujdesi maksimal që e tregojnë shumica e stafit mjekësor nuk do të mund ta rregullojë imazhin e spitaleve publike pa ndodhur investime serioze nga ana e qeverisë.

Prandaj këtë shkrim ua dedikoj atyre mjekëve, motrave e gjithë stafit mjekësor të cilët me shumë përkushtim kryejnë punën e tyre në kushte të tmerrshme, por asnjëherë nuk lënë anash dedikimin ndaj pacientëve dhe atyre që kanë nevojë. Përderisa e kuptoj që qytetarët mund të kenë pasur edhe përvoja të ndryshme të hidhura në spitalet publike, dhe nuk e mohoj që edhe unë kam pasur përvoja jo të mira nganjëherë në të kaluarën, nuk është e drejtë që asnjëherë të mos vlerësohen ata mjekë dhe staf mjekësor që detyrat e tyre i kryejnë me angazhim dhe përkushtim maksimal, përkundër kushteve jo të mira në të cilat e kryejnë detyrën e tyre. Na takon neve si përfaqësues të institucioneve vendimmarrëse që këto kushte t’i ndryshojmë për të mirë, në mënyrë që spitalet tona t’u përmirësohet jo vetëm imazhi por edhe besimi që qytetarët kanë në to dhe të bëhet një qendër jo vetëm e Kosovës por edhe rajonale për mjekimin e pacientëve. Me një angazhim dhe përkushtim të mirëfilltë nga qeveria, kjo mund të bëhet realitet.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)