Shqiptarët, cak i fabrikimeve paraindustriale maqedonase
Nga Emin Azemi – Lehtësia paraindustriale e fabrikuesve maqedonas për të futur në kurth politikanët shqiptarë, që ata më shumë të merren mes vete dhe fare hiç me rivalët maqedonas, nuk është manir i panjohur i etatistëve që përmes përçarjes sigurojnë sundimin. Vetëdija vasale e politikanëve shqiptarë nuk shkon përtej politikave hileqare të redaktorëve maqedonas, të cilët kur duan të përçojnë një kauzë të tyre kombëtare këtë e bëjnë duke futur virusin e përçarjes tek shqiptarët. Si ta kuptojnë partitë tona këtë?
Atë që Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP (Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperendimore) e quajti domosdoshmëri për hartimin e një programi strategjik zhvillimor nga ana e partive tona politike, do të donim të bëhej realitet në këtë fushatë zgjedhore e cila pritet të startojë zyrtarisht më 5 prill, të këtij viti.
Domosdoja që shtron zoti Kuçi nuk është vetëm një dëshirë e tij personale, por një zë i fuqishëm që kërkon të shtohen investimet e reja për zhvillim dhe ulje të papunësisë në Maqedoninë Perëndimore, parametra këto që do të duhej të merreshin parasysh nga hartuesit e politikave ekonomike në institucionet qendrore në Shkup.
Por në fakt, cilat janë dëshirat e partive tona politike? Nëse bazohemi në zhvillimet e ditëve të fundit, del se kundërshtar më i madh politik për partitë tona, nuk është Gruevski dhe LSDM, por janë vetë ato. Shqiptari për shqiptarin është bërë ujk! Për ato më me rëndësi është të zbulojnë ndonjë aferë të vogël te oponenti politik shqiptar se sa të analizojnë seriozisht arsyet se pse Gruevski vazhdon të mbajë papengueshëm pushtetin, ose pse ato nuk arrijnë të bëhen bashkë për të hartuar një strategji ekonomike e sociale e cila do ta hiqte varshmërinë prej bujkrobi të shqiptarëve nga gangsterët maqedonas të politikës.
Në Maqedoni ka dy linja të forta politike, me prejardhje etnike maqedonase, njëra që përfaqësohet nga partia e ashtuquajtur konservatore, VMRO-DPMNE dhe tjetra, me proviniencë, gjoja, socialdemokrate, LSDM, mirëpo nuk ka një linjë të fortë politike shqiptare, sepse partitë shqiptare tradicionalisht vuajnë nga tharmi i ndërtimit të karrierave individuale dhe tejet të fragmentuara në ‘pentagramin’ e dëshirave muzikore maqedonase. Tek shqiptarët ka politikanë, por nuk ka individualitete politike. Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimit të lidershipit. Ata i bluan ambicia irracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike, e bëjnë të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë tek shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë për investitorët e huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupit.
Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet e tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikbërjes. Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’ju përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre private që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapçihanet dhe leblebiçihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltukët qeveritarë.
Një qendërzim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencies shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.
Lehtësia paraindustriale e fabrikuesve maqedonas për të futur në kurth politikanët shqiptarë, që ata më shumë të merren mes vete dhe fare hiç me rivalët maqedonas, nuk është manir i panjohur i etatistëve që përmes përçarjes sigurojnë sundimin. Vetëdija vasale e politikanëve shqiptarë nuk shkon përtej politikave hileqare të redaktorëve maqedonas, të cilët kur duan të përçojnë një kauzë të tyre kombëtare, këtë e bëjnë duke futur virusin e përçarjes tek shqiptarët.
Si ta kuptojnë partitë tona këtë? A mos kanë ata ndonjë ekspert apo konsulent profesional për media dhe komunikim, i cili do të dinte të detektonte këto probleme që po shfaqen në hapësirën publike të Maqedonisë. Në vend të ekspertëve, partitë tona angazhojnë hafije mediatikë për të ‘zbuluar’ dobësitë brendashqiptare, paçka se para hundëve të tyre maqedonasit bëjnë skenarë të ndryshëm për të dobësuar fuqinë politike të shqiptarëve, ose për t’i bërë shumë të varur nga takimet gjysmëdiskrete nëpër akçihanet e Shkupit.
Menderes Kuçi mund të ngel i vetmuar në shkretëtirë dhe rreziku për ta lënë të etur buzë Vardarit, ka të ngjarë të jetë apoteoza moderne e një torzoje politike, të cilën shqiptarët po e tolerojnë si një therë në këmbë që ua bën ferr udhën.
(Autori është publicist nga Shkupi. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)


