90 raste të reja për krime lufte

Në Kosovë nuk ka përfunduar hetimi as për gjysmën e rasteve për krimet e luftës. Misioni i EULEX-it ka në procedurë edhe 90 raste të tjera, ndërkohë që deri më tash ka marrë vetëm tridhjetë vendime gjyqësore.
Shefi i departamentit ekzekutiv në misionin EULEX, Mats Mattsson, në një intervistë për “Zërin” tregon se ky mision ka në procedurë rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Mejë të Gjakovës, Dubravë të Istogut e Krushë të Prizrenit.
Ai tregon se rreth 30 vendime gjyqësore janë marrë deri më tani përkitazi me krimet e luftës, edhe 90 raste të tjera janë në procedurë, 60 nga të cilat gjenden në fazën preliminare.
Mattsson qartëson se “ata për të cilët pretendohet se kanë kryer krime të luftës në Kosovë dhe të cilët gjenden jashtë juridiksionit të Kosovës nuk mund të gjykohen këtu”.
Një gjë të tillë ai thotë se nuk e lejon ligji andaj edhe nevojitet bashkëpunim me prokuroritë e tjera në mënyrë që keqbërësit të dalin para drejtësisë në vendet përkatëse.
Ndonëse është proces i gjatë dhe i vështirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës, sipas tij, është një mënyrë e shkuarjes përpara. E për t’u arritur kjo, sipas tij, duhet një bashkëpunim rajonal ani pse 15 vite pas luftës rastet kërkojnë kohë për t’u përgatitur e mungesa e provave dhe dëshmive vazhdon të jetë evidente.
Të kërcënuar nga terrorizmi
Divizioni ekzekutiv në misionin EULEX ka për mandat edhe hetimin e rasteve të terrorizmit, të krimit të organizuar e korrupsionit në nivel të lartë, por edhe çështjet e pronave dhe rastet e privatizimit.
Duke u bazuar në mandatin dhe të dhënat që ka misioni EULEX, Mattsson thotë se as Kosova sikurse vendet e tjera nuk është se është e sigurt nga sulmet eventuale terroriste dhe kjo dukuri sipas tij, paraqet rrezik.
Teksa po zbulohen celula të terrorizmit siç është rasti i fundit i arrestimit të gjashtë personave nga autoritetet vendore, persona që dyshohen për përgatitje të terrorizmit, Mattson thotë se nënkuptohet që hetimet kundër terrorizmit po funksionojnë. E për këto hetime, pos që lavdëron autoritetet vendore, Mattsson thotë se edhe ekipi i EULEX-it që merret me hetimin e këtyre rasteve, është i shkëlqyer.
“Terroristët përdorin mënyra të sofistikuara për të financuar veprimet e tyre. Lufta kundër terrorizmit është e përqendruar në përcjelljen e rrjedhës së parasë. Sesi bëhet kjo dhe cilat organizata janë duke u vëzhguar është konfidenciale”, thotë Mattsson teksa nuk preferon të komentojë për rastet që janë në procedurë.
Dhjetëra kosovarë në muajt e fundit janë nisur drejt shtetit të Sirisë për të luftuar atje kundër forcave të Bashar Al-Asad. Disa nga ta kanë humbur jetën atje, por ka edhe të tillë që janë kthyer e që monitorohen nga strukturat sekrete për të parë veprimtarinë e tyre të paskthimit dhe lidhjet eventuale të tyre me grupe të ndryshme të interesit. Mattsson thotë se jo vetëm Kosova, por të gjitha shtetet, e kanë për obligim që të përcjellin personat që kanë lidhje me aktivitetet terroriste.
“Këta persona nuk janë automatikisht të hetuar, por të gjitha njësitë e inteligjencës nga vende të ndryshme i përcjellin këta persona. Nëse ndonjëra nga këto agjenci ka dyshime atëherë ato lëshojnë paralajmërime shteteve të involvuara. Se si njësitë kundër terrorizmit i vlerësojnë zonat e ndryshme të krizave është natyrisht konfidenciale”, thotë ai.
Korrupsioni, problem i madh në Kosovë
I ka nën mbikëqyrje rastet e krimit të organizuar dhe hetimet e profileve të larta që zhvillohen nga prokurorët e misionit EULEX, por në asnjë mënyrë Mats Mattsson nuk pranon të tregojë se cila është pozita më e lartë në Kosovë, apo profili më i lartë në Kosovë, që po hetohet nga zyrtarët e misionit EULEX. Megjithatë udhëheqësi i divizionit ekzekutiv, e pranon se punon në një vend ku korrupsioni është problem i madh.
Por, secili person që është nën hetime duhet të konsiderohet si i pafajshëm derisa vendimi i formës së prerë ta thotë të kundërtën. Mbi një parim të tillë, sipas Mattsson, duhet të veprojnë edhe gjyqtarët vendorë./zeri/