Uji Dea

9 zolla, 1 predhë e minahedhësit, granata, thika ushtarake e koktej molotovi – drejtori i Policisë tregon në detaje se çka konfiskuan

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka treguar arsenalin e armatimit si dhe mjeteve shpërthyese të cilat janë gjetur e më pas konfiskuar të premten mbrëma brenda një veture të parkuar në një lagje të Komunës së Zveçanit.

Hoxha përmes një konference për media ka thënë se pas një punë intensive të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe Shërbimeve të Inteligjencës kanë siguruar informacione se grupe kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan.

Sipas tij, grupet kriminale në veri me këto armë dhe mjete shpërthyese kanë pasur për qëllim që t’i përdorin për sulme terroriste ndaj qytetarëve e institucioneve të Kosovës, FSK-së që veprojnë në veri të vendit, duke përfshirë dhe KFOR-in, raporton Telegrafi.

“Më 23.06.2023 rreth orës 20:03 Policia e Kosovës ka kryer një kontroll të veturës Audi, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve të rënda luftarake dhe pajisjeve tjera ushtarake. Vetura ka qenë e parkuar ndërmjet banimit kolektiv në rrugën Obiliqi, lagja Kolonia, Zveçan. Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, dhe ka arrit tek informacioni se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për banorët dhe qytetarët që kanë frekuentuar atë zonë. Në vend ngjarje kanë marrë pjesë edhe KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët kanë bërë vendshikimin”, ka thënë Hoxha, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, Hoxha tha se brenda veturës janë gjetur armatime të ndryshme, mjete shpërthyese si dhe radiolidhje me numër brenda saj, veshje ushtarake dhe 19 emblema të “Severna Brigadës”.

“Vetura Audi është sekuestruar si dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zolla, dy lansues, 2 osa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurta, 5,756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë anti plumb dhe jelek taktik, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, në maskë kundër helmeve dhe gazrave, një dyshek ushtarak për nevojat e snajperëve 19 emblema të Severna të Brigadës, një telefon ajrorë me sim kartelë dhe me numër, tre radiolidhje me mbushje po ashtu, si dhe një sasi e narkotikëve”,ka treguar Hoxha.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e armatimit dhe mjeteve shpërthyese janë prodhim i Serbisë, transmeton Telegrafi.

RCCOLA

“Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021. Dhe nga ekzaminimi preliminar të ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më datë 29 maj, në protestën e dhunshme në Zveçan”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë së Kosovës po ashtu tregoi se rasti është duke u hetuar nga Drejtoria kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ai gjatë konferencës tregoi se me cilat veprat penale ngritet çështja: “Rasti mbetet nën hetime lidhur me veprat penale si në vijim ‘Sulm kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës’, ‘Veprat e rënda kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’, ‘Bashkimi për Veprimtari kundër Kushtetuese’, ‘Përgatitja e veprave Terroriste të veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’, ‘Mbajtja në Pronësi, kontrolli, posedim të paautorizuar të armëve’ si dhe ‘Posedim i paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge’ “.

Tutje ai tha se që nga viti 2022 në katër komunat veriore të vendit janë shfaqur grafite kërcënuese të organizatës ilegale ‘Severna Brigada’.

“Po ashtu janë gjetur emblema të së ashtuquajturës ‘Severna Brigada’. Ju njoftojmë se nga viti 2022 në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë shfaqur grafite kërcënuese të organizatës ilegale ‘Severna Brigada’ e cila vepron në kuadër të strukturave ilegale në katër komunat veriore të Kosovës. Në lidhje me këtë Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive më qëllim të identifikimit të personave e grupeve kriminale që qëndrojnë prapa këtyre akteve e kësaj sasie të armatimit dhe përgjegjësit posa të identifikohen në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës, të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë do të marrin dënimin e merituar”, potencoi Hoxh

Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të lirojnë policët e kidnapuar brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.

“Po ashtu ju bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që sa më parë të lirojë policët tanë të cilët po mbahen padrejtësisht në paraburgim në Serbi, e të cilët janë kidnapuar në mënyrë klasike brenda territorit të Republikës së Kosovës, andaj të njëjtit duhet të lirohen sepse Serbia përmes këtij veprimi ka bërë një agresion direkt brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe kjo është totalisht e padrejtë, e jashtëligjshme dhe e papranueshme”, tha ndër të tjera Hoxha. /Telegrafi/