80 mijë shuplaka për klasën e inkriminuar politike

Duke iu referuar raportit të radhës të KQZ-së për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, sipas të cilit në këto zgjedhje janë identifikuar 80 mijë fletëvotime të pavlefshme, analistët politikë dhe njohësit e sistemit zgjedhor theksojnë se kjo gjendje flet edhe për një shuplakë tjetër, edhe më të ashpër, për këtë klasë politike, në pushtet dhe opozitë, sepse tani po del që 80 mijë fletëvotime të prishura qëllimshëm nga votuesit.
Gurakuq Kuqi: Injorim qytetar ndaj pipiruqëve dhe spitullaqëve
“Nga ky fakt, klasa politike e Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi ‘dogmatik’ e rrjedhimisht të reflektojë karshi kësaj pakënaqësie qytetare, apo të dalin alternativa të reja, të cilat janë të pastra moralisht e të ngritura intelektualisht. Më këtë kontinuitet të kësaj logjike zhgënjimi qytetar do të rritet akoma më shumë, i cili mund të shfaqet në forma të ndryshme. Sinjali qytetar në këto zgjedhje është një mesazh i qartë për klasën politike kosovare, e veçanërisht për ato parti që kanë udhëhequr që nga paslufta”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti
Duke iu referuar raportit të radhës të KQZ-së për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, sipas të cilit në këto zgjedhje janë identifikuar 80 mijë fletëvotime të pavlefshme, analistët politikë dhe njohësit e sistemit zgjedhor theksojnë se kjo gjendje flet edhe për një shuplakë tjetër, edhe më të ashpër, për këtë klasë politike, në pushtet dhe opozitë, sepse tani po del që 80 mijë fletëvotime të prishura qëllimshëm nga votuesit, si të pavlefshme dhe në këto zgjedhje, nuk janë gjë tjetër veçse shprehje pakënaqësie në partitë politike dhe kandidatët, ngase votuesit që dolën në zgjedhje, te kutitë e votimit nuk gjetën asnjë parti dhe asnjë kandidat që do të meritonte votën e tyre, ngase bëhet fjalë për subjekte puro të tej shpenzuara, kriminalizuara në korrupsion galopant, e krim të organizuar dhe për kandidat për kryetar dhe asamblistë komunalë të inkriminuar dhe që nuk i meritonin 80 mijë votat e prishura nga 80 mijë votues, ose mbi 10 % nga të dalit në votime të 22 tetorit!
Ky injorim qytetar mund të çojë te faza më kritike
Politologu Gurakuq Kuçi thotë se është diçka shumë publike dhe shenjë jo e mirë që për dallim nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme tani numri i votave të pavlefshme vetëm sa u rrit më shumë, në vend që të ndodhte e kundërta dhe të merreshin masat e duhura që të analizoheshin në detaje përse ka ardhur deri tek ky numër kaq i madh i votave të pavlefshme. “Nëse kalon 3% të votave të pavlefshme në një vend ku konsiderohet që analfabetizmi klasik është në stade pothuajse inekzistente, atëherë kjo duhet të rrisë alarmin në shumë sfera. Por, edhe në zgjedhjet e përgjithshme KQZ-ja nuk pranoi që votat e pavlefshme të analizohen në mënyrë të pavarur, nga ekspertë dhe nga një palë e tretë, por vendosi të japë një version të tyre komplet të palogjikshëm dhe të paargumentuar. Këto çështje nuk lejohet të hulumtohen në mënyrë të pavarur, pasi atëherë do t’i shpjegonte tri dilemat: e para, që këta qytetarë e kanë dëmtuar votën qëllimshëm; e dyta, votat janë prishur në vendnumërime për favorizime të ndryshme dhe aty është vendi ku tregohen të fortët; ose e treta, votat e dëmtuara nuk janë dëmtuar qëllimshëm, por këta potencialisht janë analfabetë, ndoshta jo klasikë, por funksionalë, në fazë fare kritike. Këto fakte na bëjnë të hedhim dyshime të forta mbi funksionimin e pavarur të KQZ-së, e cila edhe përbëhet nga partitë politike, pastaj duke mos pasur një pasqyrë të qartë, por duke parë gjendjen në terren dhe analizuar jo me logjikë, por me fakte, pasi faktet nuk duan logjikë, gjendjen në Kosovë, jemi para një akti të kryer të injorimit qytetar ndaj pipiruqëve dhe spitullaqëve”, është shprehur për “Kosova Sot” analisti Kuçi.
Ai thotë se një ditë ky injorim qytetar mund të arrijë faza edhe më kritike, pasi klientelizmi nuk është më i madh se masa e qytetarëve pa përfitime nga partitë politike. Rritjen e theksuar në masë të qytetarit në parti politike, me këtë trend të rritjes së votave të pavlefshme e sheh edhe analisti Blerim Burjani. “Zgjedhjet e 22 tetorit kanë prodhuar edhe pakënaqësi tek qytetarët, kjo shihet edhe nga mosdalja e qytetarëve në zgjedhje, por edhe nga fletëvotimet e pavlefshme.
Mundësi e rebelimit potencial të qytetarëve
Sipas vlerësimit të Hidajet Ahmetit, numri i 80 mijë fletëvotimeve të pavlefshme është një dëshmi e qartë se qytetarët e Kosovës, veçanërisht votuesit potencialë, nuk kanë alternativë. “Nga ky fakt, klasa politike e Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi ‘dogmatik’ e rrjedhimisht të reflektojë karshi kësaj pakënaqësie qytetare, apo të dalin alternativa të reja, të cilat janë të pastra moralisht e të ngritura intelektualisht. Më këtë kontinuitet të kësaj logjike, zhgënjimi qytetar do të rritet akoma më shumë, i cili mund të shfaqet në forma të ndryshme. Sinjali qytetar në këto zgjedhje është një mesazh i qartë për klasën politike kosovare, e veçanërisht për ato parti që kanë udhëhequr që nga paslufta”, është shprehur ai.
Analisti Ali Hertica thotë se ky fakt flet mjaftueshëm për pakënaqësinë që kanë treguar votuesit karshi skenës politike në Kosovë, tërësisht të degraduar dhe të zhytur në korrupsion dhe krim, prandaj kjo duhet të merret seriozisht për analizë dhe vetëdijesim nga politika aktuale.
Analisti Arsim Haziri thotë se për të argumentuar humbjen e besimit qytetarë karshi subjekteve politike, si referencë mund të marrim zgjedhjet nacionale, po ashtu edhe ato lokale, ku përqindja e qytetarëve nuk ishte e kënaqshme dhe me peshë të madhe demokratike. “Dalja e ulët e elektoratit në këto dy procese dëshmon maksimalisht për humbjen e besimit ndaj pushteteve, të cilët përgjatë gjithë kohës së pushtetit gjithnjë e më shumë janë marrë me rehatinë e masës klientele, ashtu edhe përvetësimin e resurseve shtetërore”, shprehet Haziri.”Qytetarët s’duan më gënjeshtra dhe manipulime, ata përmes bojkotimit të procesit zgjedhor shumë mirë janë duke deklaruar se kjo mendësi zaptuese dhe zhvatëse duhet të eliminohet dhe assesi të mos fuqizohet”, theksoi Arsim Haziri.
Një alarm për politikën
Analisti Mustafë Kadriaj konsideron se kjo shifër prej 80. 000 fletëvotimeve të pavlefshme ose mbi 10% të të dalëve në zgjedhje do të duhej të ishte një alarm për institucionet se në cilën gjendje jemi ne si shoqëri. “E them këtë sepse kjo situatë të dërgon në disa pyetje që duhet të kenë përgjigje. Së pari, pse kaq shumë ka humbur besimi tek qytetarët… duhet të kërkohen faktorët. Së dyti, kjo lë për të dyshuar se edhe komisionarët kanë determinuar votat për kandidatët edhe brenda subjektit politik, duke i dëmtuar kandidatët brenda subjektit. Mendoj që problemi duhet të kërkohet në këto drejtime, sepse duke u lodhur qytetari ynë nga një mashtrim dhe një zhvatje që 18 vjet, një pjesë e qytetarëve të Kosovës kanë shprehur revoltën, duke shprehur një pakënaqësi për të gjitha subjektet politike dhe kjo do të ishte e pranueshme për qytetarët dhe një mësim për subjektet politike që të ndërrojnë kursin e veprimit, duke u afruar më afër kërkesave të qytetarëve”, theksoi analisti Mustafë Kadriaj. Zhgënjimin qytetar në shumicën e partive politike si fakt, që ka ndikuar në fletëvotimet e pavlefshme, nuk e mohon as ish-anëtari i KQZ-së, Ilir Fetahu, por se një pjesë të fajit ai ia hedh edhe vetë përbërjes aktuale të KQZ-së dhe OJQ-ve, që sipas tij po bëjnë pak në edukimin e votuesit për të mësuar teknikën e votimit.”Unë konsideroj se këtu nuk mund të bëhet fjalë vetëm për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj subjekteve të caktuara politike apo kandidatëve, por nga përvoja e deritanishme e punës së pamjaftueshme rreth edukimit të votuesve, ato po vijnë edhe si rezultat i një numri të caktuar të qytetarëve, të cilët me vështirësi e kuptojnë dhe dinë se si duhet të votohet”, theksoi analisti Ilir Fetahu.
(Kosova Sot)