781 nxënës të Gjilanit iu nënshtruan testit të Maturës Shtetërore
Gjilan – Është mbajtur sot në Gjilan testi i Maturës Shtetërore, pjesa e parë e afatit të dytë, ku testit u janë nënshtruar 781 nxënës.
Ecurinë e testimit e ka përcjellë nga afër drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa dhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, të cilët janë ndarë të kënaqur me procesin e testimit.
Drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, është shprehur se i tërë procesi i organizimit dhe i mbajtjes së Testit të maturës, u zhvillua pa asnjë problem.
Duhet theksuar se ky proces është monitoruar nga 45 administrues nga Komuna e Lipjanit dhe 13 monitorues nga Komuna e Prizrenit. Ndërsa, nga Drejtoria Komunale e Arsimin në Gjilan kanë qenë të angazhuar 9 zyrtar, 9 drejtor te shkollave dhe 13 përfaqësues nga MASHT-i.
Ndryshe, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, për realizimin e testit të Maturës Shtetërore ka angazhuar 67 mësimdhënës në rolin e administruesve të cilët kanë administruar testin e Maturës në Komunën e Vushtrrisë, dhe 25 drejtor të shkollave fillore në cilësinë e mbikëqyrësve në shkollat e Prishtinës./rajonipress/


