67 gazetarë të vrarë për 2012-ën
Nga fillimi i vitit deri në mesin e dhjetorit, janë vrarë 67 gazetarë në lidhje direkt me punën e tyre. Ky vit është me shifrat më të larta që prej vitit 1992, kur nisi të mbajë statistikat Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Viti më i keq për gazetarët ishte viti 2009, ku mbetën të vrarë 74.
Numri i gazetarëve të vrarë për vitin 2012 është rritur me 42% krahasuar me një vit më parë. 28 gazetarë të huaj janë vrarë gjatë mbulimit të konfliktit në Siri. Një numër i madh gazetarësh gjithashtu kanë mbetur të vrarë në Somali, Pakistan dhe Brazil.
Më shumë se kurrë më parë janë goditur gazetarët e internetit ndërsa pjesa më e madhe e gazetarëve të vrarë janë gazetarë të lirë.
Paul Wood, korrespondent i BBC për Lindjen e Mesme që ka mbuluar shumë luftëra, thotë se konflikti në Siri “është një nga më të vështirët”. Kjo për shkak se qeveria e Bashar al-Assad ka ndaluar hyrjen e gazetarëve të huaj.
Nga viti 1992 deri sot janë vrarë gjithsej 962 gazetarë, ku vrasja e 587 prej tyre ende nuk është ndëshkuar. Ndërsa 232 gazetarë gjenden sot pas hekurave.