600 kg marihuanë nga Shqipëria, e paketuar si verë
Policia gjermane ka gjetur 15 paleta ku ishin të vendosura 600 ambalazhime të verës të mbushura me drogë.Të martën ka filluar në Gjykatën e Landit në Kassel një proces i madh gjyqësor për trafikimin e drogës nga Shqipëria, ku në bankën e zezë janë ulur gjashtë persona, nga qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe nga Shqipëria.
Akuza i ngarkon ata se kanë qenë pjesë e një importi të 600 kilogramëve të marihuanës, nga Shqipëria në Gjermani. Droga në fjalë është sjellë e maskuar si transport i verës me një kamion përmes Greqisë dhe Austrisë në Gjermani.
Marihuana duhej të magazinohej në Thüringen, por policia e ka kapur dhe e ka ndërprerë këtë dërgesë pak para mbërritjes së saj në cak. Në kamionin në fjalë, policia ka gjetur 15 paleta ku ishin të vendosura 600 ambalazhime të verës të mbushura me drogë.
Njëri nga të akuzuarit, një burrë 48 vjeçar nga Offenbach-u ngarkohet se në verë të vitit 2012 e ka porositur dërgesën e madhe nga Shqipëria. Ndërsa 49 vjeçari nga Lohfelden-i, i lindur në Shqipëri ka udhëhequr bisedimet rreth “pazarit”, shkruan hna.de.
Tre të akuzuarit nga Shqipëria janë kujdesur për sigurimin e mallit dhe për transportin. I akuzuari i gjashtë, nga Austria është kapur e rastin e arritjes së drogës në Gjermani, duhet të ketë marrë dhjetë kilogramë nga sasia e përgjithshme, thotë padia.
Në hapjen e procesit, të martën në Kassel është lexuar vetëm aktakuza. Nëse gjashtë të akuzuarit do të thonë fjalën e tyre në lidhje me atë që i ngarkon akuza, mbetet të shihet në seancën e ardhshme që mbahet të hënën që vjen.
Gjithsej për këtë proces janë paraparë 14 seanca gjyqësore. Sipas prokurorisë, te ftuar janë 26 dëshmitarë.
Në këtë proces ka një angazhim të madh të personelit të sigurisë./albinfo/


