6 euro një hamburger në Aeroportin e Prishtinës

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Një kafe kushton dy euro, ndërsa hamburgeri 6 euro. Këto janë çmimet e pijeve dhe ushqimeve në restorantet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari, konkurrente me çmimet në Aeroportin e Vjenës.

Çmimet në restorantet e Aeroportit të Prishtinës janë ngritur dukshëm, pas koncesionimit për 20 vitet e ardhshme të këtij të fundit nga kompania turke “Limak”.

“Jo çdo herë çmimet kanë qenë kaq të larta. Por fakti se këto kompani që i kanë nën menaxhim restorantet do të largohen brenda një muaji, të cilat do të zëvendësohen me kompani tjera, po e shfrytëzojnë kohën e mbetur, duke i rritur çmimet dukshëm”, tha një burim brenda këtij Aeroporti.

Për këto çmime të larta “Zëri” ka kontaktuar edhe drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Drejtues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, organizatë kjo për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë, thotë se menaxherët e Aeroportit të Prishtinës, në vazhdimësi po shkelin të drejtat e udhëtarëve e vizitorëve në këtë aeroport.

Selatin Kaçaniku, drejtues i “Konsumatorit”, thotë se menaxherët e aeroportit “Adem Jashari”, po mendojnë se janë duke i menaxhuar aeroportet evropiane, ku çdo shërbim është më i shtrenjtë.

Mobi Casa

Për fat të keq, sipas tij, edhe këtu shihet se si zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkundër faktit se është taksapagues dhe gjenerues kryesor i buxhetit të Kosovës, nga i cili financohet i gjithë aparati i shtetit.

Në anën tjetër, zyrtar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, thonë se çmimet e tilla të shërbimeve në aeroport i cakton tregu.

“Çmimet i përcakton tregu, e jo bizneset, çdokush që ndërhyn në përcaktim të çmimeve, bën shkelje, por në rastin e aeroportit nuk kemi marrë asnjë ankesë. Këtë të drejtë për ankesë e ka secili qytetar, e këtë mund ta bëni edhe ju si media, e ne më pas do të shkonim për verifikim në aeroport”, tha Halit Shabani, anëtar i Bordit të këtij Autoriteti.

Prandaj, sipas tij, derisa nuk kanë marrë një ankesë dhe nuk kemi bërë verifikim të tillë, as nuk mund të konstatohet se është bërë shkelje e pozitës dominuese në treg.

“E po që se një biznes qoftë edhe dy ose tri me bashkëpunim krijojnë një pozitë dominuese në treg dhe abuzojnë me atë pozitë, natyrisht që është shkelje e ligjit, dhe konform pozitës ne do marrim hapat konkretë”, tha Shabani./zeri/