Fundamenti

4,6 përqindëshi i pamundur

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ibrahim Rexhepi – Sivjet kemi mbjellë krizë, prandaj edhe në mot do të vjelim rendimentet e saj. Ato nuk garantojnë rritje ekonomike 4,6 për qind, siç shpreson kryeministri në ikje.

Në këtë bllokadë totale institucionale, e cili në mënyrën më të vrazhdë po reflekton edhe në ekonomi, Hashim Thaçi, kryeministri në ikje, thotë se kemi vendor që vendi në mot të ketë rritje ekonomike 4,6 për qind! Do të ishte e mira më e madhe që mund t’i ndodhë vendit pas një viti tejet të rëndë dhe shumë të paqartë, pikërisht kur është në pyetje ardhmëria politike dhe ekonomike. Thënë më ndryshe, norma e rrije ekonomike në mot do të jetë 84 për qind më e lartë, nën supozimin se dhe me këtë kaos, falë inercisë, ka mundësi që rritja ekonomike sivjet të jetë 2,5 për qind.

Mirëpo, deklaratës së shkurtër të kryeministrit i mungojnë faktet me të cilat na bindë se ky projeksion është real dhe i arritshëm. Madje, për më keq, ai këtë e ndërlidhë me buxhetin, i cili në mot do të jetë një miliard e 670 milionë euro, që krahasuar me të hyrat e projektuara për sivjet dhe një për qind më shumë se shpenzimet.

Ndërkaq, vetëm buxheti nuk është pasqyrë e zhvillimit, ndonëse mund të jetë faktor i rëndësishëm në krijimin ambientit për nxitjen e ecjes më të shpejtë ekonomike. Kjo nuk po ndodhë, jo vetëm sivjet, por as në vitet e mëhershme, meqenëse paraja publike është shpenzuara për paga e beneficione të tjera materiale për përfituesit nga arka e shtetit, si edhe për asfalt.

Rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do të varet kryesisht nga ajo që është bërë sivjet, duke ditur se efekti i investimeve nuk mund të jetë i menjëhershëm. Ndërkaq, sivjet nuk ndodhi asgjë që mund të na ngjallë shpresën se në mot do të kemi një situatë më të mirë ekonomike. Për fat të keq ndodhen shumë gjëra , të cilat pikërisht në vitin që vjen do të reflektojnë efekte negative. Së pari, ende nuk u dha përgjigja përfundimtare për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, tenderi i të cilit është buzë dështimit. Të njëjtin fat ka mundësi që ta ketë edhe dhënia në koncesion e kompleksit turistik në Brezovicë, çështja e “Trepçës” sërish do të hyj në procedurë parlamentare, procesi i privatizimit është i bllokuar, shpenzimet kapitale deri në fund të gushtit të këtij viti ishin 35 për qind më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja janë 43 për qind më të ulëta,deficiti tregtar u rrit 2 për qind…

Uji Dea

Por, duhet shtuar se nuk është përgatitur asnjë projekt, i cili në mot do të kishte ndikim pozitiv në rritjen ekonomike dhe në hapjen e vendeve të punës. Madje, për shkak të krizës politike e institucionale, kostos së lartë të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, bizneset nga sektori privat kaherë janë deklaruar se po përballen me krizën dhe me mundësinë e shkurtimit të vendeve të punës. Nëse ata zvogëlojnë numrin punëtorëve dhe reduktojnë prodhimin, ka rrezik që do të humbin tregun, problem që do të sjellë pasoja, të cilat vështirë se mund të riparohen për shumë kohë.

Sigurisht se kryeministri e ka dhënë këtë deklaratë i bindur se shumë shpejt do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe i organeve të tjera të pushtetit. Por, një disponim i këtillë nuk vërehet te subjektet politike. Madje, ato ende qëndrojnë shumë larg konsensusit politik që t’i japin fund krizës. Tash më reale po duket mundësia që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, se sa që të kemi institucione të dala nga vota e 8 qershorit.

Kjo edhe më shumë do ta thellonte krizën ekonomike, e njëkohësisht gjithnjë e më reale bëhet kriza buxhetore. Dhe, nëse ndodhë që vitin e ardhshëm ta nisim me pagesa të kufizuara nga buxheti, apo, më vonë edhe me ndërprerjen e tyre, atëherë rritja ekonomike do të mbetet vetëm dëshirë, e të mos flasin për normën 4,6 për qind. Në fakt, nuk ka kush e financon këtë zhvillim- nuk do të ketë investime publike, të cilat për një kohë të gjatë kanë pasur ndikimin më të madh në rritjen ekonomike, kurse sektori privat ka mungesë të parasë, meqenëse financimi nga sektori bankar është i shtrenjtë.

Tek e fundit, është i kuptueshëm optimizmi i kryeministrit. Ai, së paku përmes këtyre deklaratave përcjell mesazhin se ekonomia po ecë drejt rritjes dhe se ajo me lehtësi po e përballon këtë situatë. Madje, ajo në mot do ta përshpejtoj hapin e rritjes. Por, që të gjitha janë shumë larg të vërtetës, meqenëse 2014-ta ishte një vit shterp, për të mos thënë një vit i krizës së rëndë ekonomike e politike. Ndërkaq, në mot do të korrim atë që kemi mbjellë sivjet. Kemi mbjellë krizë, prandaj edhe do të kemi krizë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)