Fundamenti

41 mijë euro ushqim për qentë e policisë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zyra e Prokurimit e Policisë së Kosovës e ka përzgjedhur të mërkurën kompaninë NTP “Plus”, si fituese të tenderit për furnizim me ushqim për qentë zyrtarë, e ku vlera e kontratës është 8 mijë e 400 euro.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se në këtë tender kanë konkurruar tri kompani, e ku vlera e ofertës më çmim më të ulët ka qenë 8400 euro, e ndërkaq oferta më çmim më të lartë ka qenë 9320 euro.

Më tej, në njoftim thuhet se kontrata mes policisë dhe kompanisë fituese planifikohet të nënshkruhet të hënën me 2 shtator, mirëpo në të nuk jepen detaje më të hollësishme se për çfarë periudhe kohore është lidhur kontrata për furnizim.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës (PK) të mërkurën nuk kanë qenë në gjendje të japin ndonjë informacion në lidhje me këtë tender. E në anën tjetër, as përfaqësues të kompanisë fituese nuk kanë dashur të flasin asgjë rreth kësaj çështje.

“Nuk dua të flas në lidhje më këtë çështje. Iu lus kontaktoni Policinë e Kosovës”, ka thënë përmes telefonit përfaqësuesi i kompanisë NTP “Plus” Dardan Zeqiraj.
Mirëpo, edhe më datë 11.07.2013, Zyra e Prokurimit e Policisë, po ashtu përmes një tenderi publik e patë përzgjedhur kompaninë: “B&H ENGINERING”, si fituese të një tenderi tjetër për “FURNIZIM ME USHQIM PËR QEN PËR PK”, e ku vlera e kontratës ka qenë hiç më pakë se 28 mijë e 520 euro.

Kontrata e nënshkruar mes policisë dhe kompanisë fituese është valide për dy vitet e ardhshme nga dita e nënshkrimit.

Fundamenti

Edhe më 18 qershor të këtij viti, po ashtu përmes një tenderi publik policia e patë përzgjedhur kompaninë NTSH “Crazy Pet”, si fituese të tenderit, e ku vlera e ofertës ka qenë 4200 euro. Po ashtu, as në këtë kontratë policia nuk e ka precizuar kohën se për sa është e vlefshme kontrata e nënshkruar mes policisë dhe kompanisë fituese.

Para pakë kohësh, zyra e prokurimit e policisë së Kosovës përmes një tenderi një burimor e ka përzgjedhur kompaninë kroate, si fituese të tenderit për furnizim më qenë për nevoja të njësisë policore “K-9”, e ku vlera e tenderi është 79 mijë e 800 euro.

Ndërkaq, fituesi i tenderit për furnizim me vetura që do t’i bartin qentë është shpallur, por ende nuk është bërë publik fituesi, për shkak të parregullsive të mëdha që janë shfaqur që nga fillimi i procesit të prokurimit e deri më tash.

Më 14 qershor të këtij viti, policia ka hapur ofertat për blerjen e 20 veturave “Pick Up”, ku vlera e tenderit ka qenë rreth 508 mijë euro.

Mirëpo, kompanitë konkurrentë që kanë qenë në garë kanë bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit(OSHP) për shkak se edhe kësaj radhe zyra e prokurimit e policisë ka vendosur kritere favorizuese, duke kërkuar qe automjete “Pick Up 4×4, e që i tillë është automjeti “Volswagen Caddy” ./zeri/