Fundamenti

40 mijë të vdekur në listat e votuesve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) nuk do t’i vazhdojë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Për më tepër kjo organizatë nuk ka asnjë informatë nga autoritetet kosovare rreth nismave konkrete për vëzhgimin e zgjedhjeve. Megjithatë, në prag të organizimit të këtyre zgjedhjeve, shqetësues mbetet mospastrimi i listave, të cilat krijojnë hapësirë për manipulime të rezultatit zgjedhor nga partitë politike.

Zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, ka bërë të ditur për “Zërin” se OSBE do të lehtësojë organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore, siç parashihet me “Marrëveshjen e parë të parimeve mbi normalizimin e marrëdhënieve” të arritur brenda kornizës së dialogut Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE dhe në pajtim me kërkesat teknike në terren.

Ai ka shtuar se kjo organizatë do të ketë vetëm rol operacional.“Ne jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë në fushën e informimit të votuesve”, ka thënë Gaon. Sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE-ja, ai ka konfirmuar se kjo organizatë nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Zëdhënësi i OSBE-së ka potencuar se ekzistojnë procedurat për regjistrim të monitoruesve dhe vëzhguesve të zgjedhjeve.

Mobi Casa

Në anën tjetër, Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Florian Dushi, ka thënë se vëzhgues të zgjedhjeve pos përfaqësive diplomatike të akredituara në Kosovë është edhe Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO). Sipas tij, në zgjedhjet e 3 nëntorit vëzhgues ndërkombëtarë do të ketë më shumë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kjo sepse, siç ka thënë ai, në këto zgjedhje do të marrin pjesë edhe katër komuna në veri të vendit.

“Unë kërkoj që fokusimi i zgjedhjeve të mos jetë vetëm në veri, sepse janë edhe 34 komuna të tjera që do të zhvillohet proces elektoral dhe është shumë me rëndësi që pjesa dërmuese të vëzhgohet nga ndërkombëtarët”, është shprehur Dushi, duke shtuar se zgjedhjet në veri kanë vetëm simbolikën.Ai ka thënë se aktivitetet e KQZ-së janë në përputhje me afatet ligjore.

Kurse, Selatin Kllokoqi nga Instituti hulumtues Demokracia për Zhvillim “D4D” ka bërë të ditur se në listën e votuesve ende janë 30 mijë deri në 40 mijë persona që kanë vdekur. /Zëri/