ARKATANA

“Kosova nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE”

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur vendosmërinë e Evropës për të mbrojtur arkitekturën e saj të sigurisë dhe demokracinë.Në të njëjtën kohë, shumë politikanë dhe analistë kanë kthyer vëmendjen e tyre kah Ballkani Perëndimor, nga frika e ndikimit rus në një rajon të rrënuar tashmë nga paqëndrueshmëritë politike. Tensionet atje janë të vazhdueshme edhe rreth tri dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova janë dy vende që veçohen si më të cenueshme nga disa analistë. E para, për shkak të tensioneve etnike dhe udhëheqësit pro-rus të serbëve, Millorad Dodik, i cili shpreh hapur ambiciet e tij për ndarje nga pjesa tjetër e vendit.

“Liria është ajo që na duhet. Nuk kemi nevojë për kolonizatorë; nuk kemi nevojë për mësues. Ky komb nuk e ka lejuar kurrë veten të jetojë i robëruar”, ka thënë Dodik në një tubim para mbështetësve të tij në Banjallukë.

Kosova, në anën tjetër, ka çështje të hapura me Serbinë – vendin që ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër saj, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së tij se Serbia me “metodat” e presidentit rus, Vladimir Putin, përbën rrezik për Kosovën.

Këtë javë, duke folur në një konferencë rajonale në Prishtinë, ka thënë se në dy vjetët e parë të qeverisjes së tij, Serbia ka dërguar katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, ka sponsorizuar terrorizmin dhe ka shpërndarë lajme të rreme për të justifikuar veprimet e saj agresive.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja i janë përgjigjur drejt pushtimit rus të Ukrainës, duke futur Finlandën dhe Suedinë në aleancën ushtarake, dhe duke u dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen me të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësinë në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Po këtë javë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë e ka bërë të domosdoshëm zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Kjo, sipas saj, do ta bënte më të fortë edhe Evropën.“Lufta ruse e agresionit nuk bëhet vetëm me bomba, raketa, dronë dhe me sulmet më të këqija kundër popullatës civile në Ukrainë. Ajo përfshin edhe luftën hibride. Zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike”, ka thënë Baerbock.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.Rruga është e gjatë – ato duhet t’i përafrojnë ligjet me ato të BE-së dhe të dëshmojnë se institucionet dhe ekonomitë e tyre i përmbushin normat demokratike.Procesi ka shkuar shumë ngadalë, por pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato si në reforma, ashtu edhe për t’u larguar nga ndikimi rus.

Vessela Tcherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se disa vende të rajonit kanë gjetur tashmë partnerë alternativë.“Për shembull, Serbia luan lojën e të zgjedhurit midis BE-së në njërën anë dhe Rusisë dhe Kinës në anën tjetër. Ky trend është në rritje. Dhe, mendoj se politikëbërësit evropianë e kanë të qartë tashmë se paqëndrueshmëria në një rajon, i cili gjeografikisht nuk është vetëm pjesë e kontinentit, por në zemër të kontinentit, mund të jetë shumë, shumë e rrezikshme”, thotë Tcherneva.

Në fjalimin për gjendjen e BE-së, të mbajtur në shtator të vitit 2023, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë” ka thënë ajo.Pak ditë para kësaj, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.Për Dimitar Bechevin, profesor në Universitetin e Oksfordit, ky afat është tejet ambicioz. Duke folur për Exposenë, ai thotë se deri në fund të dekadës, ndoshta vetëm një vend – Mali i Zi – mund të bëhet pjesë e bllokut.

Uji Dea

Për Kosovën, e cila është më së largu prej BE-së, ku vetëm ka aplikuar për anëtarësim, Bechev thotë se duhet të përqendrohet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përpara se të flasë për integrimin evropian. Rrugë të shkurtër, sipas tij, nuk ka.“Për fat të keq, ajo që kemi parë për një vit apo një vit e gjysmë në Kosovë, është se si BE-ja ka trajtuar kriza të përsëritura. Në veri të Kosovës ka gjithmonë kriza, tensione, protesta… Kurti po i shton rreziqet tani me çështjen e valutës. Pra, politikëbërësit evropianë, por edhe Shtetet e Bashkuara, që janë po ashtu të përfshira në Kosovë, duhet të fikin zjarre, në vend se të mendojnë për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Bechev.

Kosova dhe Serbia e kanë normalizimin e marrëdhënieve kusht për përparim në rrugën e integrimit evropian.

Bechev thotë se të gjithë liderët ballkanikë mund të angazhoheshin më shumë në zbatimin e reformave, por shton se BE-ja ka përgjegjësi, gjithashtu, për mungesën e suksesit në procesin e zgjerimit.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë në agjendë të BE-së, por jo top-agjendë, qoftë për shkak të hezitimit të disa liderëve për t’u zgjeruar, qoftë për shkak të problemeve të brendshme të BE-së.

Sidoqoftë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, BE-ja ka marrë disa hapa për të konsoliduar pozicionin e saj dhe për të parandaluar përçarjet në kontinent.Në Bosnje e Hercegovinë ka përforcuar misionin e saj paqeruajtës EUFOR, ashtu siç ka bërë edhe në Kosovë me misionin për sundimin e ligjit EULEX. Por, ajo nuk ka arritur ta bindë Serbinë që t’iu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Bechev thotë se, tash për tash, qëllim duhet të jetë mbajtja nën kontroll e ndikimit rus në Ballkan, sepse të hiqet qafe plotësisht, është e pamundur.“Serbia, e cila është qendër e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, do të jetë jashtë BE-së për një të ardhme të parashikueshme. E, derisa nuk prishet kjo lidhje, Rusia do t’i ketë gjithmonë disa karta për të luajtur në këtë pjesë të Evropës”, thotë Bechev.

Tcherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, pajtohet, por shton se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë mënyra për ta përshpejtuar integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa sugjeruar ndonjë alternativë për zgjerimin.“…sepse, anëtarësimi në BE ka të bëjë me transparencën, me rregullat, me standardet, me sundimin e ligjit, ndërsa ndikimi rus kalon përmes kanaleve të korrupsionit, kanaleve të pandershme dhe kanaleve të mediave të kontrolluara”, thotë Tcherneva.

Në ueb-faqen e BE-së thuhet se blloku është “plotësisht i përkushtuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ky është një objektiv i përbashkët strategjik, që bashkon të gjithë rajonin dhe BE-në”.

Në një postim në X më 29 shkurt, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka shkruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor, “duhet të avancojë me shpejtësi sa u përket reformave”.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, që vlerëson fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor radhiten si pjesërisht të lira.Sondazhe të ndryshme të opinionit tregojnë se mbështetja publike për anëtarësimin në BE është ndryshe-ndryshe në të gjithë rajonin – Kosova dhe Shqipëria zakonisht kanë rezultate më të larta, ndërsa Serbia më të ulëta.

Një sondazh i kryer nga Ipsos në Serbi, i publikuar në prill të vitit 2022, ka gjetur se 44 për qind e pjesëmarrësve kanë qenë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE dhe 35 për qind pro. Kjo ka qenë hera e parë që në këtë vend kanë mbizotëruar pikëpamjet negative.Po atë vit, një sondazh tjetër ka treguar se Mali i Zi është më i mirëprituri në BE, ndërsa Kosova më së paku.Sot, kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Samiti i Selanikut, ku vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar e ardhme evropiane.

Afati i 2030-ës që është përmendur nga Charles Michel, është mjaft afër për t’i joshur ato që të bëjnë sa më shumë investime politike për t’u përafruar me BE-në. Por, është ndoshta edhe zile zgjimi për vetë BE-në që “thirrja e historisë” të mos shndërrohet në një shans të humbur historik. (REL)