3 mijë biznese shuhen në vit
Pabarazia në treg, informaliteti, mospërkrahja institucionale, shantazhet e ndryshme e problemet tjera, mbyllin deri në 3 mijë biznese vendore brenda një viti. Sipas të dhënave që posedon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në Kosovë brenda një viti mesatarisht shuhen 1153 biznese të ndryshme vendore.
Por, sipas të dhënave që ka Aleanca për Biznese në Kosovë, numri i bizneseve që mbyllën është deri në 3 herë më i madh, për shkak se shumica e pronarëve që vendosin të shuajnë biznesin e tyre, nuk e raportojnë në MTI.
Agim Shahini, udhëheqës i AKB-së, thotë për “Zëri” se të dhënat e MTI-së për numrin e mbylljes së bizneseve nuk janë reale, realiteti sipas tij është se deri në 3 mijë shkon numri i bizneseve që shuhen brenda vitit.
“Ne kemi të dhëna për mbylljen e deri në 3 mijë bizneseve në vit. Shumë nuk paraqiten edhe pasi që të mbyllen, dikush për arsye se nuk dëshiron të tregojë se ka dështuar, e dikush u ik edhe procedurave të mbylljes që konsiderohen si të komplikuara”, tha Shahini.
Ai shton se, derisa një biznes mbyllet, i bie që ka dështuar, dhe si i tillë ai nuk ka më para, e nëse paraqitet në MTI, atij i duhet të i paguaj shtetit të gjitha detyrimet (borxhet), që t’ia ë bëjë mbylljen, andaj në të shumtën e rasteve për të i ikur këtij detyrimi ata nuk paraqiten fare.
Arta Istrefi, zëdhënëse në MTI thotë se zyrtarisht numri i mbylljeve është mesatarisht 1153 në vit. Sipas saj, ky numër nuk është për t’u bërë problem, për shkak se mbyllja e bizneseve ndodh në çdo vend të botës.
“Nëse merret mesatarja për 4 vitet e fundit del se 1153 shuhen çdo vit. Arsyet e mbylljes ato nuk janë të obliguara që të i tregojnë. Por, në çdo vend të botës qoftë i zhvilluar apo në zhvillim, bizneset mbyllen në masë të madhe”,ka thënë ajo. Istrefi tregon se derisa rreth 1 mijë biznese mbyllen, e në anën tjetër hapen mbi 7 mijë biznese të reja.
“Nëse çdo vit mbyllen 1153 biznese, ndërsa hapen mbi 7750, del se nuk ka vend për shqetësim”, u shpreh ajo. Por, për Agim Shahinin, krahasimi i bizneseve të mbyllura me numrin e atyre që hapen, nuk është në rregull, për shkak se kjo nuk dëshmon se po ka zhvillim ekonomik.
“Realisht po mbyllen biznese me traditë, që kanë pasur njerëz në punë, ndërsa po hapen biznese të reja, të pa provojë, individuale që nuk ndikojnë në zhvillim ekonomik. Pra këtu kemi të bëjmë me dështim, e jo me përparim”, u shpreh Shahini.
Përndryshe sipas tij, arsyet kryesore të mbylljes së një biznesi në Kosovë, është tregu jo i barabartë, dhe kjo lidhje mes bizneseve dhe njerëzve në pushtet.
“Fillimisht mbylljen e shkaktojnë bizneset ilegale, të cilat I bëjnë konkurrencë të dëmshme atyre legale. Derisa një biznes i rregullt, detyrohet që për një cent të paguajë tatim 16 për qind, ndërsa ai ilegal nuk paguan fare, automatikisht e dëmton tregun dhe vije deri te mbyllja e bizneseve”, tha Shahini. Ai merr shembull se në Kosovë prej 120 mijë bizneseve të regjistruara, vetëm 17 mijë posedojnë arkë fiskale, (përmes së cilës paraqitet shitja).
Zogiani: Bizneset e lidhura me politikën
Kurse, sipas Avni Zogianit, udhëheqës i organizatës antikorrupsion ‘Çohu’, në Kosovë problemi qëndron se shumica e bizneseve hapen me qëllim që të jenë të lidhura me partitë në pushtet, përmes të cilëve do të marrin tenderë të ndryshëm, dhe të pasurohen brenda nate.
“Kështu funksionon ky sistem, andaj ka edhe prej atyre bizneseve që mbyllen për shkak se jetëgjatësia e tyre me pushtetin nuk mund të qëndrojë gjatë. Pra, thënë ndryshe kjo lidhje klienteliste politikë-biznes është e dëmshme…dhe afatshkurtër”, tha Zogiani.


