Fundamenti

297,3 milionë euro import nga Serbia

/ 6 minuta lexim
HW

Kosova vazhdon të mbetet e varur nga importet, sidomos nga Serbia fqinje. Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mësohet se deficiti tregtar për muajin dhjetor në fundvitin 2017 u rrit për 8.5 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Të dhënat flasin se eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29. 4 milionë euro, ndërkaq importi 297,3 milionë euro.

Kësisoj, raporti eksport/import është 1 me 10. Sipas analistëve, shumë tregtarë edhe vetë janë në politikë, ndërsa e kanë krijuar këtë varësi të tregut kosovar nga importi, sepse kështu mbushen xhepat e mafio-politikës. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot”, se Republika e Kosovës është importuese e shumicës se produkteve që konsumon, dhe kjo është tepër shqetësuese. “Shpeshherë kemi hasur në medie të shkruara dhe elektronike për problemet me produkte të importit sidomos nga Serbia që, sipas shumë hulumtimeve, janë edhe kancerogjene dhe kompanitë serbe kanë edhe linja të veçantë prodhimi për Kosovë pa kurrfarë standardi”, u shpreh ai.

Prodhimi vendor u margjinalizua nga shteti

Beqiri shtoi se të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 8.5 për qind në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 267,8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 246,9 milionë eurosh në vitin 2016. “Eksporti mbulon importin me 9.9 për qind. Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11,9 milionë euro, ose 40.5 për qind të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (minus 0.5 për qind)”. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7 për qind), Maqedonia (9.6 për qind), Serbia (5.5 për qind), Mali i Zi (5.5 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2017, arritën në 79,6 milionë euro, ose 26.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7 për qind), Maqedonia (4.2 për qind), Shqipëria (3.7 për qind) dhe B&H (2.7 për qind)”, shprehet Beqiri. Sipas ASK-së, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.6 për qind) dhe Turqia (8.5 për qind). “Dështimi për të rritur prodhimin vendor dhe për të zhvilluar sektori privat përmes investimeve të huaja është si pasojë e dështimit të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një ambient të mirë për biznes dhe për të luftuar korrupsionin, që është një ndër pengesat kryesore të të bërit biznes në Kosovës, por njëkohësisht edhe pengesë për zhvillimin ekonomik në përgjithësi”, theksoi ai. Sipas Beqirit, Qeveria e Kosovës nuk ka hartuar politika të favorshme për biznese vendase, Kosova nuk ka klimë të mirë të të bërit biznes sipas shumë raporteve ndërkombëtare, sepse ka shumë barriera të të bërit biznese. “Sa i përket eksportit, bizneset kosovare ende kanë pengesa serioze në eksport”, u shpreh ai.

Nuk ka strategji ekonomike shtetërore

Uji Dea

Eksperti i ekonomisë, Arbnor Bajraliu tha për ” Kosova Sot”, se rritja e deficitit tregtar për 8.5 për qind në muajin dhjetor 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregon më së miri për mungesën e strategjisë shtetërore për zhvillim ekonomik. “Për më tepër, një situatë e tillë ekonomike e karakterizuar me import të produkteve mund t’i konvenojë individëve, të cilët në këtë formë arrijnë të pasurohen, por në të njëjtën kohë i shkaktojnë dëme të mëdha vendit”, u shpreh ai. “Me rritjen ekonomike që kemi vitet e fundit jemi shumë dekada larg për ta zënë hapin me vendet e zhvilluara. Për të ndryshuar këtë trend, duhet ndryshuar edhe mënyrën si i shpenzojmë paratë tona. Përveç aktiviteteve për nxitje të konsumit vendor, duhet të mbahen edhe aktivitete për nxitje të investimeve”, potencoi Bajraliu. “Shuma prej 700 milionë eurove që hyjnë në Kosovë çdo vit në formë të remitencave, shpenzohen kryesisht në konsum. Nga jashtë vendit, vijnë në Kosovë, nga Kosova ne i kalojmë ato para tek vendet fqinje. Ndërsa nëse këto mjete do të investoheshin në zgjerimin e bizneseve apo krijimin e bizneseve të reja, do të vërenim efekt pozitiv në rritjen e prodhimit dhe uljen e deficitit tregtar “, shpjegoi më tutje ai.

Shteti në shërbim të importuesve

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për ” Kosova Sot”, se deficiti tregtar është shumë i lartë që nga pas lufta dhe deficiti po rritet vazhdimisht për shkak të rritjes së vazhdueshme të importit edhe për gjëra që me shumë lehtësi mund të prodhohen në vendin tonë. “Eksporti në vendin tonë ka stagnim dhe pa shenja se do të rritet edhe në një të ardhme të afërt, sepse për të ndodhur kjo duhet urgjentisht që struktura ekonomike e vendit tonë të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”, u shpreh ai. “Qeveria ‘Haradinaj’, pasi të kalojnë disa çështje që kemi të bëjmë rreth integrimeve evropiane, si temat Demarkacioni, Gjykata Speciale, Asociacioni dhe çështja e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, duhet urgjentisht të bëjnë strategji afatgjate për zhvillim ekonomik, i cili do të kishte mundur të shërbejë si udhërrëfyes i tërë aktivitetit ekonomik në të gjithë sektorët e saj”, vijoi më tutje Neziraj. “Qeveria e vendit duhet të angazhohet në subvencionimin e ekonomisë së vendit në ata sektorë ku do të zëvendësohet importi me prodhime vendore dhe për të rritur eksportin”, ka thënë ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për ‘Kosova Sot”, se Qeveria, MTI-ja, MZH-ja, MBPZHR-ja, MF-ja, Dogana, Zyra e kryeministrit dhe AUVK-u …si dhe asociacionet e bizneseve, fillimisht veprojnë si konsullata e ambasada të shteteve të caktuara importuese. “Kemi dyshim se edhe kapitali është i përzier”, theksoi ai. Sipas tij, ato kanë krijuar efekte të varshmërisë artificiale për ta manipuluar më lehtë qytetarin konsumator taksapagues dhe për të nxjerrë përfitime më të larta ekonomike, komerciale, financiare.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.