24 punëtorë të vdekur në vendin e punës

Njëzetekatër punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit të kaluar dhe në gjysmën e parë të këtij viti, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke shtuar se të gjitha këto raste kanë ndodhur në sektorin privat.
“Gjatë vitit 2012 kanë ndodhur 17 raste të vdekjes në vendin e punës, ndërsa gjatë vitit 2013, në gjashtëmujorin e parë, kanë ndodhur 7 raste të vdekjes në punë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Valon Leci nga Inspektorati i Punës.
Gazeta ka tentuar të marrë më shumë informata se në cilat ndërmarrje konkretisht kanë ndodhur këto vdekje, mirëpo, me ditë të tëra, nuk ka marrë përgjigje nga përgjegjësit në Ministrinë e Punës.
Basri Ibrahimi, kryensipektor i punës, ka thënë se rastet që kanë përfunduar fatkeqësisht me fatalitet, janë në sektorin privat.
Sipas tij, këto 7 raste të cilat kanë ndodhur për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë ndodhur nga nënkontraktorë të kompanisë Bechtel&Enka, si dhe nënkontraktorë të KEK-ut, duke mos dhënë detaje më shumë, se për cilët nënkontraktues bëhet fjalë.
Gazeta po ashtu ka provuar të kontaktojë me përfaqësues të konsorciumit “Bechtel&Enka”, e cila është duke e ndërtuar autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, për të siguruar detaje më shumë në lidhje me vdekjet në punë, mirëpo këta të fundit, nuk janë përgjigjur në telefonin zyrtar.
Ndërkaq, sa u përket lëndimeve në punë, Inspektorati i Punës bën të ditur se vetëm në gjysmën e parë të vitit të kaluar kanë ndodhur 24 lëndime të punëtorëve në vendin e punës, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 kanë ndodhur 12 lëndime.
Të pakënaqur me sigurinë e punëtorëve dhe me të drejtat e tyre në punë, shprehet Alush Sejdiu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Ai ka potencuar se mbrojtja dhe shëndeti në punë konsiderohen si kusht elementar, ku çdo biznes, kompani duhet t’i përshtat kushtet për punëtorin që të jetë sa më i favorshëm në punë.
“Kushtet në sektorin privat janë jashtëzakonisht të pafavorshme për punëtorin, ndërkaq nè sektorin publik kushtet janë më të favorshme”, tha ai.
Sipas tij, sektori publik ka krijuar zyra të veçanta, ku ka referent që merret me çështjet dhe shëndetin në punë dhe ata sipas mundësive financiare e ushtrojnë një përkujdesje për punëtorët, ndërsa në sektorin privat lë shumë të dëshiruar aktiviteti në këtë drejtim.
”Ne kërkojmë pothuajse që 10 vjet që të ketë sigurime shëndetësore, mirëpo ai ligj ende nuk ekziston dhe fati i punëtorëve mbetet në duart e punëdhënësve”, ka pohuar Sejdiu./zeri/