RCCOLA

22 vite pa atdhetarin, fetarin e dëshmorin e Kombit Mulla Nusret – Fejzulla Hajdari

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Toka e Kosovës me shekuj ka dhënë bijtë e bijat e tyre më të shtrejt për lirinë e Kosovës. Gjaku i dëshmorëve sot është dritë e lirisë, ata nuk do të vdesin asnjëherë, populli i Kosovës do t`i kujtojë me shekuj veprat e tyre heroike për të shtrenjtën liri. Pikërisht me 13 qershor të vitit 1999, bëhen 22 vjet kur dëshmori, fetari e patrioti i kombit Mulla Nusret Hajdari ra në altarin e lirisë duke mbrojtur tokën stërgjyshore nga forcat policore ushtarake e paramilitare Serbe.

Mulla Nusret Hajdari u lind me 1 tetor të vitit 1968 në fshatin Dobërçan (Miresh), në një familje të arsimuar atdhetare e fetare. Mësimet e atdhetarizmit Mulla Nusret Hajdari, i mori nga gjyshi i tij Haxhi Sylejmani i cili ishte një pajtimtar i gjaqeve dhe i cili mbrojti kufirin e Malësisë së Hashanisë në mbrojtje të kufirit lindor të Kosovës nga pushtuesit Serb.

Mulla Nusret Hajdari ishte intelektual i rrallë, ai mbaroi në vitin 1988-89 medresenë e mesme “Alaudin” në Prishtinë.

Veprimtarin e tij të Hoxhës, Mulla Hajdari, e filloi në fshatin Pogragjë për ta vazhduar në xhaminë “Atik” në Gjilan, ndërsa që nga viti 1992 emërohet Imam i rregullt në xhaminë e poshtme të fshatit të tij të lindjes në Dobërçan.

Hoxhë Nusret Hajdari ishte një patriot i pa trembur, ai gjatë tërë jetës së tij veprimtarin e tij ja kushtoi kombit e fesë, ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjitha shtresat e njerëzve, ai vazhdimisht në ligjëratat e tij këshillonte se si duhet atdheu dhe si duhet luftuar për atdheun. Hoxhë Hajdari gjatë tërë jetës së tij kishte vetëm një synim se si ta mposhte armikun shekullor nga trojet Dardanë.

I gjithë ky aktivitet i Hoxhë Hajdarit për të mirën e popullit Shqiptarë i pengonte policisë ushtarake e paramilitare Serbe dhe pikërisht me 13 qershor të vitit 1999 e vranë pranë shtëpisë së tij në fshatin Dobërçan, ndërsa në ato momente kritike mbetet i plagosur mësuesi Basri Bislimi e Hafiz Hajdari ndërsa u maltretuan e u rrahën Hamdi Kastrati, Haxhi Jonuzi e shumë familjar e bashkëfshatar të tjerë të fshatit Dobërçan.

RCCOLA

Po në këtë ditë të kobshme të 13 qershorit të vitit 1999, forcat Serbe e djegin xhamin e fshatit e cila ishte ndërtuar në vitin 1527.

Mulla Nusret Hajdari varroset në kushte të jashtëzakonshme me 14 qershor. Ai pas vete
ka lënë gruan dhe një djalë, ndërsa sot djali i Hoxhë Nusret Hajdarit ka dy djem ku njeri prej tyre e trashëgon emrin e gjyshit me krenari për tu mos harruar kurrë.

Sot me dinjitet e me krenari tek “Parku i Dëshmorëve” në fshatit Dobërqan, bëjnë roje dëshmorët e kombit Mulla Nusret Hajdari e Memetali Behluli.

Sot pas 22 viteve lirie me nderimet më të mëdha kombëtare e fetare i përkulemi dëshmorit, Mulla Nusret Fejzulla Hajdari, për jetën e veprën e shenjtë që me gjakun e tij dhe dëshmorëve të kombit sakrifikuan jetët e tyre të cilët e lan këtë tokë me gjak për të mirën e kombit.

Lavdi e përjetshme për veprën sublime të Mulla Nusret Fejzulla Hajdari dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit. Ata ranë për të mos vdekur kurrë, veprat e tyre do të përjetësohen për jetë e mot.

Përulemi me nderimet më të larta atdhetare për gjakun e derdhur për të shtrenjtën liri./rajonipress/