2019-ta, vit zgjedhor
Analistët politikë mendojnë se pas situatës së krijuar së fundi në pazaret e partive politike për formimin e ekipit të bisedimeve me Serbinë, gjasat janë shumë reale që Kosova të ketë zgjedhje diku në mes të vitit 2019, ose në vjeshtën e hershme, pasi që presidenti Hashim Thaçi ta përfundojë misionin e tij për t`i dhënë Serbisë gati 1/3-n e territorit të Kosovës në pranverën e vitit 2019.
Guraziu: Derisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin nga nëntoka kriminale nuk ka perspektivë për qytetarët dhe shpëtimin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës, që do të thotë se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin kurrfarë perspektive për qytetarë
“Edhe pse në rrethanat e krijuara zgjedhjet nuk janë zgjidhje, pa asnjë dyshim, viti 2019 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë dhe atë për disa arsye: E para, për shkak të përmbylljes (fatale për Kosovën) së bisedimeve, gjegjësisht të dhënies Serbisë gati 1/3 e territorit të Kosovës në pranverën e 2019-s. E dyta, për shkak se fillimi i punës së Gjykatës Speciale mund të na lë pa kryetarë disa prej komunave të Kosovës. E treta, për shkak të konfrontimit të partnerëve të koalicionit qeverisës, qoftë në raport me dialogun e Brukselit, liberalizimin e vizave, apo edhe për shkak të efekteve që do të prodhojë Gjykata Speciale. Edhe pse zgjedhjet nuk do të paraqesin zgjidhje për situatën politike në Kosovë, ato do të imponohen shkaku i këtyre arsyeve”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot.
Analistët politikë mendojnë se pas situatës së krijuar së fundi në pazaret e partive politike për formimin e ekipit të bisedimeve me Serbinë, gjasat janë shumë reale që Kosova të ketë zgjedhje diku në mes të vitit 2019, ose në vjeshtën e hershme, pasi që presidenti Hashim Thaçi ta përfundojë misionin e tij për t`i dhënë Serbisë gati 1/3-n e territorit të Kosovës në pranverën e vitit 2019.
Tani pikëpyetje e vetme mbetet nëse janë të gatshme edhe partitë politike që të shkojnë në zgjedhje. Mirëpo, sipas analistëve edhe qytetarëve, ndryshimet pozitive nuk do të mund të vijnë as me këto zgjedhje eventuale, pasi që sipas tyre politika është shndërruar vetëm në betejë për pushtet dhe secila parti që vjen në pushtet e ka qëllimin e forcimit të klientelave, zhvatjen e popullit e shërbimin e plotë për mafio-oligarkët, e jo mirëqenien e qytetarëve. Zyrtarët e LDK-së, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zgjedhje për t’i dhënë legjitimitet procesit të bisedimeve me qeveri të re, dje nuk janë deklaruar nëse ata janë të gatshëm që pas arritjes së marrëveshjes të shkojnë në një proces të tillë vitin që vjen. Për këtë opsion është deklaruar vetëm deputeti Ali Lajçi, sipas të cilit, me formimin e ekipit negociator, në të cilin është përfshirë PSD-ja, koalicionit i është zgjatur jetëgjatësia edhe për disa kohë, por legjitimitetin për bisedime nuk e ka fituar, prandaj VV-ja qëndron pranë kërkesës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe krijimit të kushteve për të pamundësuar arritjen e marrëveshjes së dëmshme me Serbinë që i dhuron shtetit armik edhe një pjesë të territorit.
Lajçi: Nuk ka marrëveshje pa njohje
“Unë besoj që partitë politikë kanë gatishmëri për të shkuar kurdo në zgjedhje, dikush është pak më gati e dikush ndoshta nuk është edhe aq gati, por kjo kërkesë po bëhet si nevojë institucionale dhe për të pasur më shumë legjitimitet këto institucione. Mirëpo, tani momentet janë pak më ndryshe, kurse kërkesat politike janë po ashtu më ndryshe për marrëveshjen si mundësi, këta që janë për këto bisedime po e afirmojnë si mundësi diku kah pranvera, muaji mars, pra po japin këso farë terminësh që për mua janë vetëm blofe, sikur që ishte premtimi për vizat, sepse premtimet e tilla nuk kanë treguar se ndodhin dhe realizohen në realitet. Edhe te dialogu po më duket që është i njëjti avaz, por ne do të angazhohemi që pa e njohur Serbia statusin e pavarur të Republikës së Kosovës të mos realizohet asnjë marrëveshje, sepse asnjë marrëveshje nuk do të ketë efekt pa ndodhur paraprakisht njohja, sepse pavarësia nuk duhet të negociohet me askënd, por ajo duhet të njihet si akt që është shpallur dhe njohur edhe nga të tjerët”, tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”.
Tradhtia kombëtare
Analisti politik Reshat Badallaj konsideron që jetëgjatësia e këtij koalicioni, me këtë formacion të ri që po i bëhen krah 12 vota të deputetëve të Shpend Ahemtit, edhe mund të krijojë njëfarë stabiliteti të rrejshëm për një kohë, por nëse gabon dhe nënshkruan marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovës, aty do të jetë fundi i tyre politik për tradhti kombëtare dhe do të bien edhe institucionet aktuale.”Unë mendoj pak edhe më ndryshe: Mos ta bëjë i madhi Zot që kryekapo i kësaj bande, Hashimi i Brojës, të japë 1/3 e territorit të Kosovës, që kjo tokë që na ka lënë Zoti hise është larë në gjak për të mbrojtur dhe kjo bandë hajdutësh e matrapazësh t´ia falin në tepsi Serbisë fashiste që na vrau, preu, na dogji e na dhunoi, populli do të trazohet me përmasa të paparashikueshme dhe së fundi nuk u dihet dhe përgjegjësia… Unë personalisht nuk u besoj fare zgjedhjeve, se nuk e keni idenë se ky rrjet banditësh dhe mafio-oligarkësh janë të fuqishëm me kanalet e nëntokës kriminale”, theksoi Badallaj.
QARRI: ZGJEDHJET E REJA PRITET TË NDODHIN JO MË LARG SE NË VITIN QË VJEN
Sipas analistit politik Gani Qarri, zgjedhjet e reja gjithsesi janë të mundshme dhe pritet të ndodhin jo më larg se në vitin që vjen. Sipas tij, që nga shpallja e Pavarësisë dhe ardhja e Thaçit në pozitat më të larta shtetërore, pas plotësimit të mandateve të deputetëve, asnjë qeveri nuk ka mundur ta çojë mandatin katërvjeçar deri në fund dhe gjithmonë është shpikur një arsye që të organizohen zgjedhje të reja, pa ofruar asnjëherë zgjidhje të njëmendtë për qytetarët dhe Kosovën, ndaj, duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe sërish, sidomos me aktivizimin e Gjykatës Speciale, e cila pas një kohe të gjatë pritjeje tanimë ka filluar me punën e saj.”Kështu që të gjitha përpjekjet për arnimet e Qeverisë dhe mbajtjen e saj me çdo kusht në pushtet janë vetëm “luftë” e përkohshme, në mënyrë që të plotësohet afati dyvjeçar për njohjen e mandateve edhe të deputetëve aktualë, si dhe t’i ofrohet mundësia Hashim Thaçit që ta çojë deri në fund tradhtinë e tij, për ndarjen e Kosovës dhe faljen e 1/3-s së territorit të saj Serbisë”, potencoi ai për “Kosova Sot”.
GURAZIU: EDHE VETË PARTITË POLITIKE TË VETËDIJSHME QË NUK E KANË BESIMIN QYTETAR
Ndërsa analisti Ragip Guraziu ka mendim tjetër. Ai thotë që edhe vetë partitë politike të vetëdijshme që nuk e kanë besimin qytetar, do të mundohen që ta çojnë deri në fund këtë mandat aktual dhe nuk do guxojnë të futen në zgjedhje.”Gjasat janë minimale me këto parti aktuale të shkohet në zgjedhje dhe nuk do të ketë kuptim të shkohet në zgjedhje, pasi që qytetarët janë me to shumë të zhgënjyer që 20 vjet rresht, të gjitha kanë qenë, herë- herë në pushtete, gjithnjë me koalicione, dhe zgjedhjen në këto situata nuk janë të papreferueshme mu në këto situata politike në Kosovë.
Ndryshe, qytetarët të vetmen shpresë po e kanë që të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejt dhe sa më larg Kosovës”, theksoi ai.”Derisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin nga nëntoka kriminale nuk ka perspektivë për qytetarët dhe shpëtimin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës, që do të thotë se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin kurrfarë perspektive për qytetarët. Pra, unë mendoj që edhe pse deklarativisht partitë politike nga opozita po kërkojnë herë pas here zgjedhje, pak e hiç ka gjasa që të ketë zgjedhje në mes të vitit 2019, pasi që Hashim Thaçi ta përfundojë misionin e tij për t`i dhënë Serbisë gati 1/3-n e territorit të Kosovës në pranverën e 2019-s, sepse mendoj që nuk janë të gatshme shumica e partive politike që të shkojnë në zgjedhje”, potencoi Ragip Guraziu.
BOJAJ: PARTITË POLITIKE NË KOSOVË JANË NDËRTUAR SI NJË STRUMBULLAR ‘KRIMBASH’ HOMOGJENË
Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj po ashtu konsideron se partitë politike në Kosovë janë ndërtuar si një strumbullar ‘krimbash’ homogjenë, që veprojnë për dominim dhe zhvatje të resurseve shtetërore, e assesi për të bashkëqeverisur me interesat qytetare dhe me shtetin ligjor.”Kjo klasë politike është tërësisht e kalbur dhe e retarduar, e cila si përgjegjëse e izolimit të Kosovës, varfërisë dhe krimit të organizuar, nuk mund të sjellë asgjë të re për shtetin dhe qytetarët.
Andaj qytetarët nuk shohin shpresë as tek zgjedhjet e reja, edhe nëse ato do të mbaheshin nesër, sepse të gjitha partitë politike që sunduan në Kosovë jo vetëm që bashkëvepruan në kapjen e shtetit dhe zhvatjen e resurseve kombëtare, por i vranë edhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë. Klikat politike uzurpuan gati të gjitha entet dhe segmentet e shtetit, duke degjeneruar si anën ekonomike, arsimore, politike…. ashtu edhe konceptin nacional për shtet kredibil që do t’i siguronte një të ardhme më fleksibile qytetarëve të këtij vendi. LDK-PDK-AAK dhe me disa parti të tjera më të vogla, të bartura nën sqetullën e tyre, janë përgjegjëse direkt të mjerimit të Kosovës, të izolimit, varfërisë dhe shkatërrimit. Janë këto parti politike që në mënyrë perfide shfrytëzuan ndjenjat e qytetarëve për shtet ligjor e për të ardhme më të mirë, për t’u bërë vetë vrasësit e këtyre shpresave”, tha Bojaj për “Kosova Sot”.
ZEQA: TË GJITHA PARTITË POLITIKE NË SHËRBIM TË MAFIOOLIGARKËVE, TË SHNDËRRUAR NË “COSA NOSTRA” TË KOSOVËS
Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se, edhe pse në rrethanat e krijuara zgjedhjet nuk janë zgjidhje, pa asnjë dyshim, viti 2019 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë dhe atë për disa arsye: E para, për shkak të përmbylljes (fatale për Kosovën) së bisedimeve, gjegjësisht të dhënies Serbisë gati 1/3 e territorit të Kosovës në pranverën e 2019-s. E dyta, për shkak se fillimi i punës së Gjykatës Speciale mund të na lë pa kryetarë disa prej komunave të Kosovës. E treta, për shkak të konfrontimit të partnerëve të koalicionit qeverisës, qoftë në raport me dialogun e Brukselit, liberalizimin e vizave, apo edhe për shkak të efekteve që do të prodhojë Gjykata Speciale. Edhe pse zgjedhjet nuk do të paraqesin zgjidhje për situatën politike në Kosovë, ato do të imponohen shkaku i arsyeve të sipërcekura”, u shpreh Zeqa për “Kosova Sot”.
Ai shton se politika kosovare është shndërruar vetëm në betejë për pushtet dhe secila parti që vjen në pushtet fokusohet në forcimin e klientelave, zhvatjen e popullit e shërbimin e plotë për mafio-oligarkët, e assesi për mirëqenien e qytetarëve, prandaj edhe ato zgjedhje nuk ka shpresë të sjellin ndryshime. “Të gjitha partitë politike, pa dallim, luftojnë me të gjitha mjetet që ta marrin pushtetin në nivelin lokal apo atë qendror ekskluzivisht për interesa personale dhe përfitime materiale e kriminale në shërbim të mafio-oligarkëve të nivelit të lartë, të shndërruar në “Cosa Nostra” të Kosovës. Pra, aq shumë janë bastarduar partitë politike aktuale, të degraduara dhe të inkriminuara, saqë vetëm një reformim i thellë i tyre mund të krijojë premisat e ndryshimit real përmes proceseve zgjedhore. E thashë pikërisht kështu, për faktin se vetëm filtrimi nëpër disa procese të rregullta zgjedhore mund ta ndryshojë përbërjen e skenës politike. Klasa politike me këta politikanë dhe me këto parti politike, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, e kanë katandisur Kosovën në një shtet paperspektivë, në një shtet tërësisht në duart e krimit të organizuar, përkatësisht të në duart e mafio-oligarkëve politikë dhe ekonomikë. Si pasojë e kësaj situate të zymtë, qytetarët të vetmen shpresë po e kanë që të gjejnë mënyra për të ikur sa me shpejt sa më larg nga Kosova. Prandaj, në një situatë të tillë, kur krimi i organizuar dhe nëntoka udhëheqin me shtetin, jo vetëm se nuk ka perspektivë për qytetaret, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin gjë tjetër, përpos vazhdimësisë dhe riciklimit të figurave politike nga njëra parti në tjetrën, përkatësisht nga njëri nivel i qeverisjes në tjetrin”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
ALIU: DUHET TË NDALEN PLANET E HASHIM THAÇIT PËR NDARJEN E KOSOVËS
Analisti politik Bislim Aliu konsideron se është momenti kritik kur duhet të gjendet gjuhë e përbashkët e partive politike,të formohet ekipi i unitetit dhe të bashkuar që të flasin më një zë në dialog me Serbinë,sepse ndryshe nuk mbrohet interesi i shtetit.”Të ndarë siç është formuar ekipi për dialog,nuk do të na sjellë asgjë.Andaj, duhet të ndalen planet e Hashim Thaçit,për ndarjen e Kosovës. Kjo do të ishte me të vërtetë katastrofale për Kosovën.Mendoj se nuk ka konsensus nga të gjitha partitë në Kosovë për të shkuar edhe në zgjedhje të reja gjatë vitit 2019.Kam përshtypjen se zgjedhjet e shpeshta nuk po na ofrojnë zgjidhjen.Meqë të gjitha partitë po luftojnë për pushtet e jo për shtet.Përndryshe,ka nevojë për zgjedhje të reja,por vetëm pasi të riformatohet, e pastrohet skena politike, përndryshe populli është shumë i zhgënjyer dhe i revoltuar për zgjedhje të reja dhe të shpeshtuara me të njëjtat parti politike…Të gjitha partitë,pa dallim,po luftojnë që në çdo mënyrë ta marrin pushtetin,në nivelin qendror dhe në atë lokal, ekskluzivisht për interesa personale e përfitime materiale në shërbim të mafiooligarkëve”,vlerësoi Aliu për “Kosova Sot”.
Qytetarët shpresojnë në një alternativë të re
Gjasat që të ketë zgjedhje në mes të vitit 2019, pasi që Hashim Thaçi ta përfundojë misionin e tij për marrëveshjen me Serbinë, për t`i dhënë Serbisë gati 1/3 e territorit të Kosovës në pranverën e 2019-s, si opsion të mundshëm nuk e përjashtojnë as qytetarët e anketuar. Qytetari Reshat Salih nuk beson që ky koalicion qeverisës do të mbijetojë përtej vjeshtës së vitit që vjen, pas marrëveshjes eventuale që mund të arrihet në bisedimet me Serbinë.”Unë pres që viti tjetër të jetë vit zgjedhor, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë, nëse kjo arrin të bëhet, sepse edhe brenda koalicionit qeverisës nuk ka ndonjë qëndrueshmëri serioze. Mirëpo, nëse nuk del një parti e re politike, me njerëz të rinj dhe të pakorruptuar, zgjedhjet janë të kota, sepse këto parti të tanishme me këta njerëz janë dëshmuar që punojnë vetëm për klientelat e tyre. Tani edhe këto përplasje që po ndodhin mes partive politike po shihet që po bëhen vepër për garën për pushtet sepse kjo përbërje e tyre nuk ka figura që mendojnë për qytetarin. Unë mendoj që nëse zgjedhjet mbahen ne këtë përbërje të skenës politike dalja në zgjedhje do të jetë akoma më e vogël se në zgjedhjet e fundit”, potencoi Salihi.
Qytetari Hilmi Krasniqi, tha për “Kosova Sot” se ai do të dëshironte shumë që të ndryshojë kjo skenë politike në zgjedhjet e reja, por sipas tij aq fort janë pozicionuar dy partitë e mëdha politike, LDK dhe PDK, duke krijuar klientelën e tyre, saqë është e pamundur që të nxirren jashtë loje. Ai shton se edhe tani pas letrës së presidentit amerikan Trump për bisedimet, duhet të tejkalohen dallimet mes PDK-së dhe LDK-së dhe të angazhohen seriozisht të dy këto subjekte politike në interes të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të shtetit në këto bisedime.”Një iniciativë që e merr Trumpi nuk mund të refuzohet nga askush sepse ai na e bëri edhe ushtrinë, prandaj në interesat e ndërtimit të mëtejmë të shtetit unë mendoj që duhet ta lënë anash atë kryeneçësinë dhe inatin të gjitha partitë politike”, theksoi Krasniqi. Sipas tij, vështirë se mund të ketë ndryshime serioze me këtë klasë aktuale politike.
(Kosova Sot)


