Uji Dea

20 milion franga do të investohen në regjionin e Gjilanit në rrjetin e ujësjellësit

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – 20 milion franga do të investohen në rrjetin e ujësjellësit në regjionin e Gjilanit, për ndërtimin e rrjeteve të reja, rehabilitimin e rrjeteve ekzistuese dhe në fusha të tjera për të siguruar ujë të pijes për qytetarët e kësaj ane, përmes investimeve të përbashkëta nga qeveria e Zvicrës dhe qeveria e Kosovës duke bashkëpunuar ngushtë me Komunat që preken me këtë program në këtë regjion.

Në takimin e përbashkët të kryetarëve të Komunave ku kanë marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Kamenicës dhe Parteshit dhe udhëheqësi i këtij programi në CDI, z.Alan Brown, i cili ka konfirmuar dhe elaboruar programin në përgjithësi duke spikatur bashkëpunimin e domosdoshëm dhe mbështetjen e Komunave dhe të Institutit të Shëndetit Publik me qëllimin që të punojmë nëpërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”.

“Ky projekt financohet nga qeveria e Kosovës dhe qeveria Zvicerane dhe kap shumën rreth 20 milion franga zvicerane. Qëllim i këtij takimi është të nisen procedurat për fillimin e projektit për rehabilitimin e ujësjellësve rural që ekzistojnë në regjionin e Gjilanit e që nuk menaxhohen nga kompania regjionale e ujësjellësit. Ky program implementohet nga DOSH që është kompani gjermane dhe CDI organizatë joqeveritare vendore. Programi përmban disa aspekte të mbështetjes së sektorit të ujit në Kosovë, ku çështja e parë është ndërtimi i rrjeteve të reja të ujësjellësit në zonat rurale, komponenta e dytë është rehabilitimi i sistemeve ekzistuese dhe e treta është ndërtimi i dy – tri sistemeve për trajtimin e ujërave të zeza. Aspekt kyç i programit është themelimi i një njësie implementuese të projektit brenda Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit e cila do ta implementoj komponentin e programit atë të rehabilitimit rrjeteve të ujësjellësve ekzistuese në zonat rurale, duke përfshirë edhe komunat të cilat momentalisht nuk menaxhohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit si dhe vlerësimin e të gjitha sistemeve ekzistuese në rajonin e Gjilanit”, ka thënë ai .

Me këtë rast kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky investim është shumë i mirëpritur nga të gjitha komunat e përfshira në këtë projekt në regjionin e Gjilanit për shkak të rëndësisë së madhe dhe jetike që është për qytetarët.

Uji Dea

Ai ka spikatur edhe disa projekte të realizuara më parë e të cilat janë jashtë funksionit për shkaqe teknike e të cilat me një intervenim të paraparë, përmes këtij projekti do të bëhen aktive dhe në shërbim të qytetarëve.

Haziri ka ofruar bashkëpunimin maksimal të Komunës së Gjilanit në mënyrë që ujësjellësit ekzistuese të aktivizohen por edhe në disa lagje apo fshatra të shikohet mundësia e investimit të rrjeteve të reja.

Nga ana e tij kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, ka ofruar po ashtu bashkëpunimin e Komunës duke kërkuar që sa më parë ky projekt të nisë dhe qytetarët të furnizohen me ujë të pijes si një element kryesor për jetën e njeriut.

Ndryshe, ky projekt qëllim ka ndërtimin e rrjeteve të reja të ujësjellësit në zonat rurale, komponenta e dytë është rehabilitimi i sistemeve ekzistuese dhe e treta është ndërtimi i dy – tri sistemeve për trajtimin e ujërave të zeza por edhe mbështetja e kompanive të ujit në nivel vendi në disa fusha si në aspektin e operimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve të ujësjellësit, në aspektin e zvogëlimit të humbjeve të ujit, në aspektin e mbrojtjes së resurseve të ujit si në zhvillimin dhe koordinimit me kompanitë tjera në rajon./rajonipress/