RCCOLA

2-3 miliardë humbje vjetore, Qeveria kapitullon me informalitetin

/ 9 minuta lexim

Informaliteti në Kosovë vazhdon të jetë në nivele alarmuese, ndërsa buxheti humbet qindra milionë nga evazioni fiskal dhe kontrabanda e mallrave. Raporti i Progresit për fushën e ekonomisë, që erdhi për Kosovën në vitin e kaluar, thoshte me kritika më të mëdha se Qeveria nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, kjo ngase sërish nga ana e krerëve të shtetit nuk u ndërmor asgjë në këtë drejtim.

Grapci: Nëse Qeveria e Kosovës nuk e merr me seriozitet Raportin e Progresit, kam frikën se vitet në vazhdim për Kosovën do jenë të errëta dhe pa kurrfarë shprese.

“Sipas disa analizave, buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kjo veprimtari. Ende shumë kompani nuk janë fiskalizuar, në vendet rurale nuk ka një vullnet për të paguar tatimin, gjithashtu komuniteti serb është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë kosovare. Siç dihet, ata ende vazhdojnë që valutë zyrtare të kenë dinarin serb, dhe nuk respektojnë asnjë ligj të shtetit… Qeveria ka punuar jashtëzakonisht pak në këtë drejtim. Pa përmirësimin e këtyre kushteve, Kosova le të harrojë BE-në”, thotë eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

Informaliteti në Kosovë vazhdon të jetë në nivele alarmuese, ndërsa buxheti humbet qindra milionë nga evazioni fiskal dhe kontrabanda e mallrave. Raporti i Progresit për fushën e ekonomisë, që erdhi për Kosovën në vitin e kaluar, thoshte me kritika më të mëdha se Qeveria nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, kjo ngase sërish nga ana e krerëve të shtetit nuk u ndërmor asgjë në këtë drejtim.

Ndaj, përfaqësuesit e biznesit, ekspertët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës me të drejtë po thonë se ekonomia informale dhe kontrabanda po e gërryen ekonominë, e cila nuk do të mund të ishte e tillë, nëse politikanët e pushtetarët nuk i kanë interesat e tyre në biznese, të cilat i lënë qëllimisht për t’u ikur taksave, sepse më lehtë përfitojnë në këtë mënyrë. Lideri i AKKB-së, Agim Shahini, për gazetën “ Kosova Sot ”, thotë se ka kohë që perceptimet në Ballkanin Perëndimorë tregojnë se është e vështirë të bësh biznes pa pasur ndonjë lidhje me politikën dhe kjo mbetet një tregues dhe perceptim ende i pavërtetuar mirë dhe i dyshuar, prandaj edhe pse jo i verifikuar, ky perceptim negativ është shqetësues për neve si AKB. “Hulumtimet tona e tregojnë se shkalla e informalitetit dhe evazionit fiskal te ne është ndërmjet 35-37 për qind”, potencoi ai.

Prishja e tregut

“Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të marrë me seriozitetin më të madh vërejtjet e Raportit të Progresit, sepse me informalitet së pari dëmtohet buxheti i vendit me qindra miliona euro e mbase edhe më shumë. Veç saj, informaliteti po krijon pabarazi dhe padrejtësi në treg në mes bizneseve të ndershme e të pandershme, duke i dëmtuar bizneset e ndershme që paguajnë dhe duke i favorizuar bizneset e pandershme që nuk paguajnë. Informaliteti dhe evazioni fiskal janë një mesazh shumë i keq për investitorët e huaj, sepse trendi i të bërit biznes në Kosovë nga viti në vit ka pasur rënie e ngritje pozitive dhe negative, por trendi i investimeve të huaja që në këta muajt dhe vitet e fundit të vitit që porsa shkoi ishte mbi 100 milionë euro më pak investime, andaj rënia e kësaj shifre na tregon se në Kosovë ende ka nevojë për përmirësim të ambientit të bërjes së biznesit”, theksoi Agim Shahini për “Kosova Sot”.

Qeveria dështoi në luftën kundër informalitetit

Fidanishtja

Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën “ Kosova Sot”,thotë se vërejtjet e bëra në Raportin e Progresit, që flet për Kosovën për fushën e ekonomisë dhe që ishte për vitin e kaluar, duhet të merren me seriozitetin më të madh. “Prandaj, vlerësoj se ishte e drejtë kritika më e madhe e Raportit të Progresit që qartë e thoshte se Qeveria e Kosovës nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal”, u shpreh ai. “E them lirshëm se kjo indiferencë dhe heshtje e pushtetarëve tanë është e qëllimshme, ngase sërish krerët e shtetit nuk ndërmorën asgjë në këtë drejtim. Prandaj, edhe unë u bashkëngjitem vlerësimeve të përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë që me të drejtë po thonë se ekonomia informale dhe kontrabanda po e gërryen ekonominë e brishtë të Kosovës”, vijoi më tej Salihu. Sipas tij, Kosova nuk do të kishte evazion fiskal që sipas institucioneve financiare ndërkombëtare sillet mbi 40 për qind, nëse politikanët e pushtetarët tanë nuk do të kishin interesat e tyre në biznese, të cilat i lënë qëllimisht për t’u ikur taksave, sepse më lehtë përfitojnë në këtë mënyrë. “Po deshën politikanët tanë që janë në krye të shtetit do të ndalej edhe evazioni fiskal, informaliteti dhe kontrabanda dhe e tëra kjo nuk po ndodh, ngase janë sundimtarët tanë të pasluftës si dhe kjo Qeveri e tashme ata që po përfitojnë nga hisja e kulaçit që e kanë me bizneset që janë hisedarë të tyre”, shpjegon Salihu.

Arka e shtetit boshatiset

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ali Lajçi(LVV), për “ Kosova Sot”, tha se evazioni është evident dhe po reflektohet në zbrazje të arkës së shtetit, por informaliteti kalon në shumë fusha dhe sot jemi të mbuluar me një informalitet të shumëfishtë . “Sot kemi invazion nga tregu i jashtëm, kemi një mungesë të kontrollit të cilësisë derisa projektet shtetërore qeveritare kanë kaluar në projekte të tenderomanisë dhe strukturave të veta klienteliste partiake. Kurse, janë harruar projektet shtetërore kapitale që e çojnë para zhvillimin ekonomik të shtetit. Ka mangësi të funksionimit të shtetit ligjor dhe sikur ta kishin këtë shumë më vështirë do të mundej të funksiononte hajnia e informaliteti, sepse do ta luftonin këtë. Fajtorët ku jemi tash janë pushtetarët tanë që nuk po krijojnë infrastrukturë ligjore që t’i zënë ata, andaj ata i shmangen kësaj dukurie dhe të njëjtët nuk mund t’i zënë. E tëra kjo ndodh në mungesë të shtetit ligjor, andaj kemi krim të organizuar korrupsion informalitet dhe evazion fiskal, kjo ngase sërish nga ana e krerëve të shtetit nuk u ndërmor asgjë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçi.

Fiskalizimi, pengesë e madhe

Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri thotë për “Kosova Sot”, se vërejtjet e Raportit të Progresit duhet të merren me seriozitetin më të madh nga institucionet tona. “Andaj, Qeveria e Kosovës duhet të organizohet më mirë që ta luftojë evazionin fiskal dhe kontrabandën, pasi shkalla e ekonomisë informale ende mbetet e lartë në vendin tonë. Policia e Kosovës, së bashku me Doganën, duhet të koordinohen në shkallë më të lartë në veprimet e tyre të përbashkëta për luftimin e kësaj dukurie. Rritja e oficerëve doganorë dhe inspektorëve do të rriste kapacitet brenda ATK-së dhe Doganës, në mënyrë që të rritet efiçienca gjatë operimit të këtyre institucioneve. Pajisja me arka fiskale e të gjitha bizneseve do të mundësonte uljen e theksuar të ekonomisë informale, dhe njëkohësisht do të mundësonte edhe rritjen e arkës së shtetit. Institucionet e vendit duhet të zotohen gjithashtu edhe për bashkëpunim rajonal me vendet fqinje për të qenë më të suksesshëm në luftimin e kontrabandës”, theksoi Shaqiri.

Ekonomia, në prag të rrënimit

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se problemi kryesor pse Kosova nuk ka ndërmarrë kurrgjë për luftimin e ekonomisë informale dhe evazionit fiskal është se deputetët i kemi të korruptuar, si dhe janë në bashkëpunim me mafio-oligarkët, të cilët po e rrahin gjoksin kinse janë BOSS-a në Kosovë dhe jo Qeveria e Kosovës. “Kontrabanda ilegale, ekonomia informale e kanë shkatërruar Kosovën, saqë bizneset e drejta po detyrohen të mbyllen, kurse bizneset, të cilat janë të lidhura direkt me pushtetarët politikë, ata paguajnë ndoshta haraç sa për të qenë ende hapur dhe duke iu ikur taksave, që ata të përfitojnë 50 për qind më shume se zakonisht. Nëse Qeveria e Kosovës nuk e merr me seriozitet Raportin e Progresit, kam frikën se vitet në vazhdim për Kosovën do jenë të errëta dhe pa kurrfarë shprese”, potencoi Grapci. Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, tha për “Kosova Sot”, se vërtet janë të sakta vërejtjet e bëra në Raportin e Progresit, që flasin për Kosovën . “Rreth 35-38 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk iu bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale”, potencoi Beqiri. Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim se të gjitha këto bëhen me bekimin e krerëve më të lartë të shtetit edhe nga Qeveria e tashme.

(Kosova Sot)