18 vjet heshtje ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së të drejtës kanë filluar të jenë shumë kritikë në gjykimin e tyre rreth hezitimit të institucioneve të Kosovës që për 18 vjet dështuan të ushtrojnë padi në instancat e drejtësisë ndërkombëtare kundër shtetit serb për gjenocid, krime dhe dëmet e tjera të luftës. Ata vlerësojnë se institucionet kosovare kanë filluar së fundi të tregohen edhe shumë joserioze karshi padisë për gjenocid ndaj Serbisë, duke e përmendur vazhdimisht këtë nevojë e duke mos bërë asnjë veprim konkret.
Kritika të ashpra për neglizhencën institucionale kosovare.
“Krerët institucionalë çdoherë këtë çështje e kanë shfrytëzuar për reputacionin e tyre politik dhe asnjëherë në dobi të shtetit të Kosovës e drejtësisë së harruar e të anashkaluar, pikërisht nga vetë ata. Kemi rastin e presidentit Thaçi, që disa herë përmend çështjen e padisë ndaj Serbisë, por çdoherë në momente kritike të dështimeve të tij”, ka thënë analisti Hidajet Ahmeti,raporton Gazeta Kosova Sot.
Analistët politikë dhe njohësit e fushës së të drejtës kanë filluar të jenë shumë kritikë në gjykimin e tyre rreth hezitimit të institucioneve të Kosovës që për 18 vjet dështuan të ushtrojnë padi në instancat e drejtësisë ndërkombëtare kundër shtetit serb për gjenocid, krime dhe dëmet e tjera të luftës.
Ata vlerësojnë se institucionet kosovare kanë filluar së fundi të tregohen edhe shumë joserioze karshi padisë për gjenocid ndaj Serbisë, duke e përmendur vazhdimisht këtë nevojë e duke mos bërë asnjë veprim konkret.
Vetë presidenti i tanishëm i vendit, Hashim Thaçi, po e përmend atë sa herë që i lëkundet reputacioni e në fakt nuk duket se është bërë diçka në mënyrë institucionale. Sipas analistëve dhe ekspertëve ligjorë, institucionet po tallen me popullin dhe nuk e padisin Serbinë për dëmet e luftës dhe gjenocidin e ushtruar përmes vrasjeve masive dhe flakëvënies së shkaktuar me një program të sofistikuar të Qeverisë serbe, nga forcat e armatosura dhe të Policisë së Serbisë, por lëshojnë deklarata tani më shumë bajate e hipokrite, të herëpashershme për konsum politik.
Profesori i së drejtës, Riza Smaka, vlerëson se institucionet e Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Kosovës, mjerisht dhe çuditërisht gjithnjë e më shumë po tregohen indifer ente, referuar borxheve enorme materiale, personale e morale të shtetit serb karshi shtetit të Kosovës, përkatësisht qindra-mijëra qytetarëve të vendit tonë, për të gjitha llojet e veprimeve, edhe gjenocidale, dëmeve dhe shkatërrimeve që janë bërë në luftë.
Pasojat e politikës gjenocidale serbe
“Shteti serb, veçanërisht gjatë periudhës 1997-9, duke aplikuar politika hegjemoniste antishqiptare, ekskluzivisht ka ushtruar format më bizare të gjenocidit dhe të krimeve të luftës kundër qindra-mijëra qytetarëve civilë, të paarmatosur, të të gjitha moshave e gjinive, nëpërmjet vrasjeve, plagosjeve, maltretimeve fizike e morale, djegieve, plaçkitjeve, madje edhe dëbimeve masive të afër një milion sish”, u shpreh Smaka.
Sipas tij, cilado qeveri e shtetit të dëmtuar, madje edhe në masë shumë më të ulët, do të reagonte energjikisht dhe devotshëm kundër shtetit dëmtues me kërkesa ultimative për rimbursime të dëmeve materiale, personale e morale. “Tani sipas funksioneve kushtetutare funksioni për ndërmarrje masash juridike e politike për zhdëmtimin moral, material e personal, të qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës, i takon në radhë të parë Qeverisë, por edhe presidentit, kryetarit të Kuvendit, Prokurorisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit”, tha profesor Riza Smaka.
Ai megjithatë i vlerëson pozitive deklarimet e presidentit nëse i ka seriozisht.”Presidenti në kohë të fundit disa herë e ka theksuar synimin për të ndërmarrë masa të tilla nëpërmjet aktakuzave penale e aktpadive civile. Theksimet e tilla janë të qëlluara edhe pse të vonuara. Mirëpo, është çasti i fundit që zotimet verbale të sendërtohen konkretisht, seriozisht dhe me përkushtim përfundimtar. Unë kur isha deputet në vitin 2009 e kam pas ngritur po këtë çështje disa herë, por mjerisht për shkak të inkompetencave të institucioneve publike në fjalë, deri sot në këtë teme tejet të rëndësishme nuk është ndërmarrë asgjë”, tha Smaka për “Kosova Sot”.