17 tetori e zhveshi Albin Kurtin nga gënjeshtrat, nga arroganca dhe deliri i një udhëheqësi popullor

Nga Mero Baze – Rezultatet e para të pritshme të zgjedhjeve në Kosovë sipas exit polleve tregojnë se shoqëria në Kosovë i ka dhënë një goditje revanshit politik të Albin Kurtit, duke humbur shumicën thuajse në gjithë Kosovën.Pika më e shndritshme e zgjedhjeve është se qytetarët kanë goditur rëndë arrogancën e Albin Kurtit për t`u imponuar qytetareve njerëz të diskredituar, që tentoi t‘ua imponojë me autoritetin e vet.

Rasti i Agim Bahtirit në Mitrovicë, është më i spikaturi. Një kryetar bashkie në kufijtë e të qenit qesharak, u tentua të imponohet nga Albin Kurti deri dhe si akademik, për tu treguar se nëse dikush është me Albin Kurtin, mund të quhet akademik dhe kur është injorant.

Në fakt qytetarët në këtë rast mbrojtën imazhin e tyre për atë se si duhet të jetë një kandidat dhe imazhin e imponuar nga Kurti. Ata e ndëshkuan pa balotazh duke nxjerrë fitues PDK dhe duke e hedhur në kosh të plehrave demagogjinë patriotike të Albin Kurtit me ngjarjet në veri dhe betejën populiste për targat që risolli KFOR në kufij. Të vetmit që nuk e kanë ngrënë këtë gënjeshtër janë banorët e Mitrovicës, aty ku dhe u krye ky spektakël patriotik.

Diferenca mes 14 shkurtit dhe 17 tetorit, është diferenca mes gënjeshtrave të Albin Kurtit dhe keqpërdorimit të listës Guxo të ish LDK. Shkrirja e kësaj liste pas futjes në qeveri me Kurtin dhe shkuarjes së Osmanit në presidencë i ka rithyer praktikisht ata në votues të LDK. Rezultati i pritshëm spektakolar rreth 26 për qind i LDK në Prishtinë nga 13 për qind që ka qenë në zgjedhjet e shkuara, tregon jo vetëm fuqinë e kandidatit Përparim Rama, por dhe energjitë e reja në rritje të LDKTetori ka zhveshur Albin Kurtit nga gënjeshtrat, nga arroganca dhe deliri i një udhëheqësi popullor.

Ajo ka ruajtur prej tij vetëm atë pjesë që përfaqëson atë çfarë ai ka premtuar më 14 shkurt dhe nuk i ka ngrënë gënjeshtrat e tij.E njëjta gjë ka ndodhur me Prizrenin, ku Albin Kurti i zëvendësoi kandidatit, fotografinë e tij me portretin e vet, për t’iu thënë qytetareve se duhet ta votoni për hir të Albin Kurtit. Qyteti nuk e ka pranuar këtë. PDK ka dalë forcë e parë dhe me mbështetje të opozitareve të tjerë ai i ka gjithë shanset të fitojë Prizrenin.

Ajo që ka ndodhur është një kundër revolucion ndaj Albin Kurtit, i cili në vetvete është një revolucion politik për ti treguar atij se askush nuk mund ta poshtërojë Kosovën, duke i diktuar asaj gënjeshtrat si të vërteta, patriotizmin fals, si atdhedashuri, dhe mbi të gjitha arrogancën si urdhër për qytetarët e lirë. Ashtu si Kosova i dha leksion politikanëve të vjetër më 18 tetor, po ashtu sot i dha një leksion revolucionarëve të rinj, se nuk i kanë ngrënë gënjeshtrat e tyre. Të vetmit që kanë monopolin e revolucionit janë qytetarët. Dhe ata e kanë bërë sot.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS