16 vjet burg për vrasësin e Viganit, familjarët të pakënaqur
Në gjykatën e qarkut të Cyrihut është lexuar pasditen e sotme verdikti në procesin e gjykimit të Shivan Muhamed, vrasësit të Vigan Morinës nga Cyrihu. 16 vjet burg për vrasje të rëndë, është dënimi të cilin e ka shqiptuar gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në prani të medieve dhe publikut të shumtë në sallë. Albinfo.ch ka qenë e pranishme në seancën në të cilën janë shqiptuar dënimet.
Për dy bashkëpjesëmarrësit në krim, trupi gjykues ka shqiptuar dënime dukshëm më të buta, respektivisht dënime me të holla.
Familjarët e Viganit nuk kanë dashur të marrin pjesë në shpalljen e gjykimit. Ata nuk kanë dashur të ballafaqohen me vrasësin e të birit. Siç ka thënë babai i të ndjerit, Ismet Morina, i kontaktuar me telefon nga albinfo.ch menjëherë pas gjykimit, ai nuk është aspak i kënaqur me vendimin gjyqesor. Ai madje nuk ishte pajtuar as me masën prej 20 vitesh burg të kërkuar nga prokurori si dhe ishte i mërzitur edhe për zvarritjen e madhe të vetë procesit. Gjithashtu babai i të ndjerit nuk e ka pranuar si të sinqertë kërkimfaljen e bërë nga vrasësi, as edhe nga të akuzuarit për ndihmë në vrasje.
Ndërsa prokurori i lëndës, M. Scherer, duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm ka thënë se nuk është i kënaqur me masën e dënimit të shqiptuar dhe ka paralajmëruar ankesë.
Njësoj të pakënaqur u shprehën edhe miqtë e Vigan Morinës që ishin të pranishëm në procesin gjyqësor të zhvilluar në Cyrih. Të pyetur nga albinfo.ch, disa miq të Viganit, nuk deshën të flasin shprehen për medie përveç që bënë me dije se nuk janë aspak të kënaqur me masën e dënimit.
Në korrik të vitit 2012 ka ndodhur vrasja e të riut shqiptar deri sa po festonte ditëlindjen e 23-të. Vrasja e rëndë pati shqetesuar opinionin në Cyrih e më gjerë. Me atë rast miqtë e Viganit patën organizuar një marsh protestues në rrugët e Cyrihut./albinfo/


