Fundamenti

15 vite pa profesorin Ruzhdi Ismajli

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Thonë se koha shëron plagët në periudha të caktuara kohore, ndërsa kur i thellojmë këto periudha ato shtojnë dhimbje edhe më të mëdha, ato rrisin mallin e ne ndjejmë mungesën e fjalës së tij, jo vetëm familjarët, por nxënësit e qytetarët e Gjilanit që vazhdimisht edhe pse po kalon një decenie e gjysmë, me shumë mall e kujtojnë ish-profesorin, drejtorin e politikanin Ruzhdi Ismajli.

Profesori Ruzhdi Ismajli i cili ligjëronte lëndën e Gjuhës Shqipe, që aq shumë e deshti, për të gjithë ishte dhe mbeti përjetë dritë e mendjes dhe e shpirtit për brezat e rinjë.

Thonë se mësuesit ndërrojnë jetë vetëm fizikisht, por nuk harrohen kurrë, sepse ata janë feniks të pashuar, profesor Ruzhdiu i shërbeu atdheut, shkollës shqipe e nxënësve, që për të ishin dashuria ma e madhe e jetës së tij.

Profesor Ruzhdi Ismajli i kishte të gjitha virtytet njerëzore, ishte i matur, i vendosur, i respektuar, por edhe i respektonte të gjithë pa dallim, por ishte i ashpër atëherë kur kërkonte nevoja për atdheun e tij që e çmoi e punoi për të, për një jetë më të mirë të popullit të Kosovës.

Profesori i Gjuhës Shqipe, Ruzhdi Ismajli, karrierën e mësimdhënësit e filloi në vitin 1980 gjerë në vitin 1989, Ruzhdiu dha kontribut të madh në emancipimin e nxënësve e sidomos të vajzave shqiptare që sa më shumë të arsimohen në shkollimin e tyre, ai gjithmonë thoshte “Misioni ynë është i shenjët, ne jemi ata që duhet mbajtur arsimin dhe kombin gjallë”.

Shteti serb duke e parë inteligjencën e Ruzhdi Ismajlit dhe shumë shokëve të tij, atë e largojnë në vitin 1989 nga Shkolla për shkak se kundërshtonte ndryshimin e Kushtetutës, ishte profesori i parë që nënshkroi telegramin në përkrahje të minatorëve të ngujuar në zgafelle, ai ishte zë i fuqishëm me rastin e helmimit të nxënësve dhe luftonte me këmbëngulje për të gjitha padrejtësisht që ju bënin popullit Shqiptarë nga regjimi i Serbisë.

Në asnjë moment profesor Ruzhdiu nuk ndejti duarkryq, edhe pse nën okupimin e shtetit Serb, profesor Ruzhdiu në vitin 1994-95 arriti ta hap Shkollën e parë të Mjekësisë në Gjilan me paralelet e ndara në Viti e Dardanë(Kamenicë), këtë shkollë e udhëhoqi me shumë sukses për plot pesë vite.

Profesori i dashur për të gjithë nxënësit dhe qytetarët e Anamoravës e më gjerë, ishte njëri ndër themeluesit e degës së LDK-së në Gjilan, duke i dhënë një dimension të ri jetës politike në Gjilan e rrethinë.

Hidromorava

Profesori i Gjuhës Shqipe që aq shumë e deshti gjuhën e ëmbël të popullit shqiptarë, ndër sfidat që kalonte Shkolla shqipe dhe populli shqiptarë thoshte.
“Naim Frashëri sikur të na shikonte e të na dëgjonte për mos kujdesin ndaj Gjuhës amtare Shqipe do të na dënonte dhe do të na përqeshte”.

Me shumë dashuri e mençuri, profesor Ruzhdiu me përkushtim të madh diti ta sfidon jetën me të gjitha ato peripecitë e tija, kishte mençuri e pjekuri, ishte i papërkulur, në jetën e tij ishte ballëhapur e i vendosur në synimet e tija intelektuale, ai shumë herë thoshte, “Në qoftëse një intelektual nuk e ngritë çështjen e popullit të tij në piedestal, ai nuk është intelektual dhe është turp ti thuash intelektual”.

Profesor Ruzhdiu shumë punoi e veproi për pavarësinë e Kosovës por nuk e përjetoi, vdekja e pamëshirshme e ndau nga jeta në moshën 49 vjeçare me 4 prill 2005, atëherë kur kishim nevojë më së shumti për të për edukimin e brezave të rinjë, ai nuk është vetëm fizikisht sepse ai në mendjen tonë është i pavdekshëm.

Ne kemi humbur një familjar, një intelektual, një vizionar, kemi humbur një profesor e politikan, ne kemi dhimbje por kemi krenari pasi profesor Ruzhdiu pas vete la një familje intelektualësh të cilët janë shembull aty ku jetojnë e veprojnë.

Profesori i Gjuhës Shqipe, Ruzhdi Ismajli, ishte atdhetar i devotshëm, kishte një dashuri të madhe për Shkollën Shqipe e për nxënësit e tij, ishte familjar i papërsëritshëm e shok i mirë me të gjithë ata që punoi.

Gjilani e Kosova do të kujton vazhdimisht, jemi të nderuar që qyteti i Gjilanit e shteti Kosovës në mesin e saj ka pasur një njeri ç`fare ishte Ruzhdi Ismajli.

Lavdi jetës e veprës së Profesor Ruzhdi Ismajli, i qoftë i lehtë dheu i Kosovës./rajonipress/