Uji Dea

15 milionë € për vetura me qira

/ 2 minuta lexim

Institucionet e Kosovës do t’i japin 15 milionë euro për shfrytëzim të 545 automjeteve me qira për 66 muaj. Për katër lote të këtij tenderi është nënshkruar kontrata mes Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe operatorëve ekonomikë fitues. Për dy lote të tjera janë hapur ofertat, por ende nuk është përzgjedhur fituesi derisa për tri lotet e fundit nuk ka pasur asnjë ofertë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Institucionet e Kosovës do t’i shpenzojnë hiç më pak se 15 milionë euro për 545 vetura, të cilat ata do t’i marrin me qira për 66 muajt e ardhshëm.

Në bazë të dokumenteve, të cilat ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri”, shihet se përmes një tenderi publik të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kompania “Automita” ka fituar 4 lote të kategorisë së parë dhe të dytë të tenderit “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” dhe vlera e të gjitha loteve është mbi 7.2 milionë euro, derisa kontrata mes autoritetit kontraktues dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 16 dhe 24 tetor të këtij viti.

Eco Higjiena

Po ashtu, para pak ditësh Agjencia Qendrore e Prokurimit ka hapur ofertat edhe për kategorinë e tretë të automjeteve në të cilën përfshihen dy lote për marrje me qira për 66 muaj të 78 automjeteve.

Për këtë tender, ku deri më tash nuk është zgjedhur fituesi, kanë aplikuar vetëm dy kompani, ndërsa në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se për lotin 1 “Mercom Company” me vetura të markës “Peguot” ka aplikuar me 1 milion e 281 mijë euro gjersa për lotin 2 kjo kompani ka ofertuar po ashtu me 1 milion e 281 mijë euro./zeri/