15 milionë € për rezerva shtetërore në 2023-ën – pozita e quan sukses, opozita skeptike

Për vitin e ardhshëm për rezervat shtetërore janë ndarë 15 milionë euro. Këtë pozita po e quan sukses duke bërë krahasimin me Qeveritë e kaluara, kurse opozita është skeptike që kjo shifër është reale.

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria Kurti2 ka shtuar rezervat shtetërore, duke e dyfishuar edhe buxhetin.

Madje sipas tij, përkundër vështirësive globale ekonomia ka shënuar rritje.“Për dallim nga Qeveritë e kaluara rezervat shtetërore thuajse zbrazeshin të gjitha. Qeveria Kurti 2 i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme dhe përveçse janë rritur rezervat shtetërore janë edhe më të qëndrueshme”.“Rezervat janë shtuar dhe është politikë shtetërore që rezervat të jenë të qëndrueshme. Prandaj rezervat lidhen me situata të paparashikueshme. Qeveria e ka rritur buxhetin dhe shteti po performon me mirë. Prandaj ekonomia përkundër vështirësive globale ekonomia ka shënuar rritje”, tha Dugolli.

Ndryshe po mendon deputetja e AAK-së, Time Kadriaj e cila tha se kjo Qeveri është jo transparente në të gjitha proceset, duke e quar vendin në një krizë të thellë energjetike.

Madje sipas saj, nuk kanë informacione sa i përket edhe rezervave, raporton EO.“Ne po shohim se kjo qeveri është shumë jo transparente në të gjitha proceset. Nuk e dimë a ka rezerva. Në lexim të parë ka kaluar Ligji i buxhetit dhe qeveritarët janë mburr që është buxheti me i madh prej ekzistencës së shtetit të Kosovës ndërsa nuk llogaritin inflacionin”.“Ne jemi në krizë energjetike dhe Kosova blen energji me shuma marramendëse. Inflacioni është rritur pagat nuk janë rritur fare dhe ne kemi kërkuar që të procedohet ligji i pagave në mënyrë që të rriten pagat. Kjo Qeveri kërkon të krijojë probleme, kërkon të krijojë dhunë”, tha Kadriaj.

Ditë me parë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se për vitin 2023 janë ndarë 15 milionë euro për Rezervën Shtetëror, duke theksuar se origjina e produkteve është kryesisht nga vendi ynë.Sipas saj, të gjithë operatorët i kanë kryer obligimet lidhur me sjelljen e rezervave shtetërore.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS