15 ditë paraburgim kërcënuesit gjilanas

Gjilan – Me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan të dyshuarit Musa Shala i është caktuar masa e paraburgimit prej 15 ditësh. Shala dyshohet se ka kërcënuar drejtorin e qendrës për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në Gjilan.
Gjykatësi i procedurës paraprake Ramiz Azizi duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 15 ditësh Musa Shalës i dyshuar se ka kërcënuar drejtorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Gjilan, raporton rajonipress.
Prokurori i rastit Esat Ademi ka konfirmuar për rajonipress se Musa Shala dyshohet për kanosje derisa ai në prokurori e ka mohuar rastin.
Sipas hetimeve të para të policisë i dyshuari Musa Shala i kishte kërkuar ankuesit një shumë të hollash prej 1000 €, ndërsa ankuesi kishte refuzuar t’ia jap. I dyshuari më pas kishte kanosur ankuesin duke i thënë se nëse nuk mi jap të hollat do të shkoj në polici dhe do të deklaroj se ju më keni premtuar 400.000 (katërqind mijë) € për t’ a vrarë një person njoftoj policia e Kosovës.
I dyshuari po ashtu i kishte dërguar edhe sms kërcënues ankuesit duke i thënë se “krejt karrierën kam me ta prish”. /rajonipress/