1100 vende pune nga bujqësia këtë vit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjatë vitit 2015 në sektorin e Bujqësisë do të punësohen mbi 1 mijë persona. Përveç kësaj, për këtë dikaster janë ndarë rreth 40 milionë euro për grante dhe subvencione me të cilat do të ndihmohen bujqit në forma të ndryshme. Mbështetje do të ketë edhe për fermerët e rijnë që dëshirojnë të merren me bujqësi, ndërsa përkrahje dhe favorizim në këtë sektor do të vazhdojnë të kenë gratë. Këto u bënë të ditura të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të Klan Kosovës nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Memli Krasniqi.

Sektori i Bujqësisë këtë vit do të hapë vetëm 1100 vende të reja të punës, edhe pse kjo ministri ka buxhetin më të madh se ndonjëherë. Kjo do të bëhet nëpërmjet financimit të granteve, që më pas me zhvillimin e tyre do të hapen edhe vende të reja pune, kështu tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. “Nga buxheti 20 milionë euro, sa e kemi ndarë për këtë vit vetëm për grante zhvillimore, nga zhvillimi i këtyre granteve ne mendojmë që me këtë program do të gjenerojmë 1100 vende të reja të punës direkte dhe 1500 vende të tjera në mënyrë indirekte. Krejt këto besojmë të arrijmë brenda këtij viti” tha Krasniqi. Ai më tej tha se dikasteri i Bujqësisë ka potenciale për ndryshime, dhe për këtë vit kemi buxhet dyfish më të lartë se sa viteve paraprake.

Nga ky buxhet më së shumti do të përfitojnë bujqit nëpërmjet granteve. Ministria e Bujqësisë ka një plan zhvillimor ku do të derdhen këto mjete. “Këtë vit për herë të parë kemi buxhetin më të lartë për grante, prej 20 milionë eurove. Dhe kemi tri masa në të cilat do të fokusohen këto grante. Masa 101 që i themi masa e prodhimtarisë, masa 103 që i themi pjesën e përpunimit dhe masën 302 që i themi diserfentimi i fermave dhe masën e ujitjes” tha ministri Krasniqi.

Ndihma do të jepen edhe nëpërmjet subvencioneve. Këtë vit ato janë rritur nga vitet paraprake. “Kemi rritur shumat e subvencioneve thuajse në çdo gjë, ta zëmë, te gruri do të jetë 150 euro, nga 125 sa ka qenë, po ashtu kemi barazuar misrin me lule diellin, nga 100 euro sa ka qenë, në 150 euro. Po ashtu blegtorisë i kemi thënë një përqendrim shtesë këtë vit, sepse do të subvencionoim lopë qumështore për krerë nga 50 në 70 euro dhe përtypësit e imët, si delet dhe dhitë, nga 10 euro në 15 euro, pra kemi pasur fonde më të mëdha për të mbështetur më shumë fermerët” ka deklaruar i pari i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Mobi Casa

Ndihmesa dhe përkrahje kjo ministri ka premtuar edhe për fermerët e rijë. Ministri Krasniqi ka inkurajuar të gjithë ata që janë nën moshën 40 vjeçare të aplikojnë për grante e subvencione sepse do të ketë mbështetje për ta. “Për fermerët e rijnë, ata nën moshën 40 vjeçare, fermerët dhe fermeret potenciale, ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një trajtim favorizues në kuptimin e mbështetjes financiare për aplikantet e suksesshëm që aplikojnë në programet tona” tha Krasniqi.

Në planet e kësaj ministrie për të mbështetur e përkrahur janë edhe gratë që merren me bujqësi. “Roli i gruas në ekonomi, ende nuk është shfrytëzuar në nivelin sa është deshtë të shfrytëzohet dhe kjo jo vetëm në bujqësi po në përgjithësi, veçanërisht kur po flasim te sektori privat. Ne këtë vit në programet tona kemi një qasje favorizuese për aplikantet femra në të gjitha masat e programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhe mendoj se kjo është një e drejtë” ka theksuar ai.

Gjithashtu ministri Krasniqi ka thënë se gjatë mandatit të tij do të kujdesët për ruajtjen e pyjeve të Kosovës, për këtë gjë ka thënë se tashmë kanë realizuar një fushatë vetedijsuese të quajtur “Pyjet janë burim i jetës”. Për turizmin i pari i Bujqësisë ka konfirmuar se janë ndarë 300 mijë euro, në mënyrë që të zhvillohet kjo fushë. Ai ka folur edhe për ardhjen e tij nga Ministria e kulturës, në këtë të Bujqësisë, për të cilën ka thënë se ka qenë një zgjedhje e lehtë për të, dhe e ka vlerësuar si njërën ndër ministritë më të rëndësishme për zhvillim ekonomik të vendit.