1021 raste të dhunës në familje

Me mbi 1 mijë raste të dhunës në familje të lajmëruara në Policinë e Kosovës çdo vit në këto 5 vitet e fundit dhe me 20 raste të vdekjes së femrave si pasojë e dhunës në familje në këto 5 vite, ky fenomen vazhdon të mbetet shumë shqetësues për shoqërinë tonë.
Në konferencën përmbyllëse për “16 ditë aktivizim kundër dhunës në familje” zyrtarë qeveritarë, përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë nga UNDP e nga Avokati i Popullit këtë fenomen e cilësuan si shumë shqetësues.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pohoi se ka nevojë për marrjen e hapave konkretë për ndalimin e këtij fenomeni, e jo veç rregullimin e aspektit ligjor.
“Nesër është Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut e që unë mendoj se për ne gratë është dita ndërkombëtare e të drejtave të grave, prandaj mendoj që ky 16 ditësh i aktivizimit në kuadër të sensibilizimit të opinionit vendor dhe ndërkombëtar, rritjes së vetëdijes për të penguar dhe eliminuar këtë dukuri që për nga karakteri është dukuri primitive, do të thosha, por ja që ende edhe në botë, edhe në Kosovë, vazhdon të ndodhë dhe në bazë të statistikave nuk janë shënuar shumë përparime në drejtim të eliminimit, ndonëse edhe Kosova edhe gjithë shtetet tjera në kushtetutat e tyre e kanë konventën për eliminim të dhunës dhe diskriminimit të grave. Kjo fushatë ka filluar pikërisht më 25 nëntor kur është edhe dita e shënuar për konventën dhe përfundon sot po ashtu me një simbolikë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave universale ndaj të cilave ne të gjithë detyrohemi pavarësisht gjinisë”, ka thënë ajo.
Tahiri gjithashtu një pjesë të fajit ia lë edhe mentalitetit të shoqërisë sonë. “Ende vetëdija e shoqërisë sonë nuk është në nivel të duhur ku të dy gjinitë gëzojnë barazinë, jo vetëm të merituar, por barazinë sepse natyrshëm shoqëria është krijuar në baza të dy gjinive”, tha ajo.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, dhunën në familje e cilësoi si një fenomen strukturor, të cilit duhet kushtuar më shumë kujdes për ta eliminuar.
“Dhuna në familje, e me theks të veçantë dhuna ndaj grave, përveç karakterit individual ka karakter strukturor, dhe as nuk ndalet e as nuk fokusohet në një subjekt, në një individ, por është e mishëruar fatkeqësisht në vendin tonë edhe në botë, është e mishëruar edhe në sistemin shoqëror dhe shfaqet si pabarazi e raporteve të fuqisë shoqërore dhe rrjedhimisht përcillet me pasoja për shkak të shanseve të pabarabarta midis femrave dhe meshkujve” u shpreh Kurteshi.
Ai gjithashtu pohoi se dhuna ndaj grave edhe vajzave ka shumë fytyra. “Ndoshta shumë nga gratë e edhe të tjera për shkak të qëndrimit të përgjithshëm shoqëror ndaj dhunës si veprim shpeshherë nuk janë të sigurta nëse një veprim i caktuar përbën dhunë. Lëndimi fizik apo shpirtëror, sharjet, fyerjet, kërcënimet, rrahjet, fyerjet publike, ngacmimet seksuale, dhunimet e veprimet tjera janë të gjitha forma të dhunës që duhet identifikuar dhe dënuar, të cilat janë veprime të kundërligjshme dhe të dënueshme”, pohoi Kurteshi.
Edhe zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Daut Xhemajli, përsëriti angazhimin e Qeverisë për krijimin e kornizës ligjore të përshtatshme për eliminimin e fenomenit të dhunës në familje, e sidomos dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës rastet e lajmëruara të dhunës në familje në 5 vitet e fundit janë siç vijon: në vitin 2008 janë lajmëruar 1034 raste të dhunës në familje, në vitin 2009 janë lajmëruar 1080, në vitin 2010 , 944 raste, në vitin 2011, 1 mijë raste dhe në vitin 2012 janë lajmëruar 1021 raste të dhunës në familje./zeri/