1000 maturantë përsëritën testin e maturës
Testi i Maturës (pjesa e parë) është përsëritur të shtunën për maturantët, të cilët më datën 14 qershor i ishin nënshtruar testimit, por ishin zënë duke thyer rregullat e provimit.
Për këta maturantë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë ka riorganizuar provimin në 19 qendra. 1000 maturantë, sa gjithsej ishin ndëshkuar të përsërisin provimin, i janë nënshtruar testit në gjuhë amtare, matematikë dhe gjuhë angleze.
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka bërë të ditur se provimi është riorganizuar pa ndonjë pengesë dhe nga të gjitha qendrat e testimit nuk janë raportuar parregullsi.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, i cili njëherit është edhe kryetar i KQSHM-së ka deklaruar për gazetën se testi ka filluar njëkohësisht në ora 10:00 në të gjitha qendrat dhe ka mbaruar po ashtu në ora 13:00. Urdhëresa e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, për masa ndëshkuese shtesë ndaj atyre që kopjojnë e që ka paraparë moslejim për t’iu nënshtruar provimit 3-5 vjet një nxënës, sipas Mustafës ka vetëdijesuar maturantët që kanë përsëritur provimin.
Prandaj, sipas tij të shtunën nuk ka pasur ndonjë vërejtje ndaj tyre për thyerje të rregullave të punës. Ai ka thënë se edhe tek prindërit urdhëresa e ministrit ka ngritur vetëdijesimin për situatën në të cilën kanë rënë fëmijët e tyre, shkaku i telefonave mobilë.
Por, Mustafa ka thënë se provimi i maturës, ndonëse u përshkua në pjesën e parë me parregullsi për shkak siç i ka quajtur ai administruesve të dobët, në pjesën e dytë sipas tij mësimdhënësit u ndëshkuan nga KQSHM-ja, e cila i nxori jashtë procesit të provimit dhe i zëvendësoi me punëtorë fizikë të kompanive të Sigurimit për të bërë administrimin.
Madje, ai ka thënë se këta administrues ishin dhe shkaktarë të parregullsive në shumë qendra.
Mustafa ka bërë të ditur se KQSHM-ja do të shpallë rezultatet e provimit të maturës më 7 korrik, duke përfshirë këtu dhe nxënësit që po përsërisin provimin të shtunën.
Provimi i dytë i maturës për maturantët që ngelin në provimin e parë të qershorit do të mbahet në gusht./zeri/


