UBT

100 VJET!

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Drilon Hyseni- Një qind vjet, shtet shqiptar! Një shekull pavarësi! Rrugëtimi nëpër këtë qindvjeçar të mëvetësisë, kaloi nëpër periudha sa të hidhura, aq edhe krenare për shqiptarët e Shqipërisë dhe të viseve të tjera të etnikumit shqiptar.

“T`i Shqipni më ep nder, më ep emnin shqiptar”…,vargje, këto të bukura, të poetit tonë të madh Naim Frashërit, të cilat sa herë i lexon njeriu, të mbushin frymëzim e të zgjojnë krenari dhe emocione të rralla.

Por, Shqipëria e Naimit, e idealeve, legjendave dhe eposit, u përball me egërsinë e pushtuesve dhe sundimtarëve, të cilët lëre që e qethën dhe e sakatosën nga çdo anë, por edhe e gjymtuan dhe e katandisën si mos më keq.

Brenda këtij qindvjeçari, qeveritë në Shqipëri, i lanë shqiptarët t’i braktisin vatrat stërgjyshore, të arratisen, largohen e asimilohen për hir të varfërisë dhe diskriminimit shumëvjeçar.

Asnjë shtet në botë e as Shqipëria, rrugën e pavarësisë nuk e pati të shtruar me lule. U desh, kjo Shqipëri, të kalojë nëpër shumë faza të rrezikshme të gllabërimit nga shtetet fqinje, pastaj periudha e komunizmit e periudha të tjera, të cilët nuk e lanë këtë shtet ta mbajë kokën përpjetë.

Historia e mëkëmbjes së shtetit, lindja e heronjve, rëniet e tyre në altarin e lirisë, pastaj përdhosja e figurave kombëtare, aferat e tradhtisë dhe spiunazhit, janë këto sfidat, të cilat Shqipëria e shqiptarët, nuk duhet t’i harrojnë. Duke përkujtuar të kaluarën, të mos përsëriten gabimet dhe të ndërtohet e ardhmja përparimtare për të gjithë.

Skleroza

Sindroma e harresës, troket në portat e shteteve, mini shteteve, bashkive e komunave, nëpër të cilat u ra hise shqiptarëve të jetojnë dhe të veprojnë.

Fati historik e politik e deshi, që shqiptarët të mos jetojnë si një komb i vetëm, por të shkapërderdhur nëpër këto shtete, të marrin epitetet kombësi, pakicë kombëtare, minoritete, etj.
Një fjalë e urtë latine thotë: “Errare est humanes” (Të harrosh është gjë njerëzore). Shumë e qartë, por një shtet nuk guxon ta harrojë të kaluarën, qoftë edhe të jetë e hidhur, për motive politike, racore e fetare.

Të paktën në këtë qindvjeçar, të mos na godas sindroma e harresës. Si të harrohet aq shpejt gjenocidi e dhuna serbe në Kosovë dhe krahun e saj lindor: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pastaj terrorizimi i shqiptarëve në Maqedoni, e Mal të Zi, si dhe asimilimi i bashkatdhetarëve tanë në diasporë.

Të paktën në këtë qindvjeçar, shqiptarët mos t’i kap skleroza e t’i harrojnë varret e të parëve, më të dashurit e tyre të pagjetur, të vrarë pa gjyq. Mos ta harrojnë Epokën e lavdishme të Familjes Jasharaj, e familjeve të tjera shqiptare, të cilat u sakrifikuan e u flijuan në emër të shtetit shqiptar. Sa kaq që shteti shqiptar, pak u interesua për Kosovën, e pranoi Republikën e Maqedonisë menjëherë pas shpalljes së Maqedonisë shtet, duke mos pas në konsideratë popullsinë shqiptare, që e ndante Maqedoninë në dysh, pastaj në të njëjtën mënyrë, vetëm se në kohë më të re, Kosova nuk u interesua për Luginën e Preshevës. Gjithsesi Shqipëria shumë pak u interesua edhe për pjesën e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi, e kështu me radhë. Këto janë gabimet që nuk duhet më të përsëriten, sepse afati ka skaduar!

Eco Higjiena

Si të harrohet ajo kohë, kur hiç më larg se para 13 vitesh, me këngët e Ilir Shaqirit, këndonim, vallëzonim, e vriteshim, faqebardhë e me nder, ballë për ballë me armikun sllav e sllavomaqedon.

Ndërsa sot, sot, po na mbyt hakmarrja, po na mbyt inati, lakmia, hilet e dallaveret për pushtet …Po na i zë frymën nepotizmi, shantazhi, dredhia e tradhtia për interesa personale e klanore. Në dëm të kujt po shkon kjo? Vetëm në dëmin tonë, gjithsesi!
Të ishim më vigjilentë e më të bashkuar, do të ishim më ndryshe. Lufta për pushtet, famë e karrierë, na bëri shpesh gjatë historisë, ta sjellim ujkun në oborrin tonë!
Evropa edhe sot tallet me ne, dhe na premton se do të integrohemi në proceset integruese euroatlantike. Demagogji e kulluar. Ne s’po mundemi të bashkohemi mes vete, e lëre më me të tjerët.

Çështja e Kosovës

Duhet të mos harrojmë se Serbia është ajo që bëri luftën në Kosovë. Ajo as sot nuk u kërkon falje për gjenocidit e terrorin e ushtruar ndaj shqiptarëve, bile prapë nuk heq dorë nga mosnjohja e pavarësisë. Deri sa ne përballemi me mos shtrirje të pavarësisë, Evropa nderon Serbinë me liberalizimin e vizave, e pritet së shpejti të gëzohen edhe me statusin e vendit kandidat në BE.

Serbia edhe sot thirret në OKB, për një dialog politik me Kosovën, në instanca të larta shtetërore, por pa pranuar pavarësinë e saj. Pa filluar akoma dialogu politik, në pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, s’do të ketë simbole shtetërore të këtyre dy shteteve, por vetëm ato të Bashkimit Evropian. Kjo vjen si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve, nën mbikëqyrjen e BE-së.

Lavdia

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e diasporë, shqiptarët do të organizojnë manifestime të ndryshme kulturore.

Shqipëria ka siguruar nga Austria ta sjell në Atdhe përkrenaren e Skënderbeut dhe Monumentin e Pavarësisë, e cila do të kushtoj rreth gjysmë milioni dollarë, meqë në shtetin qindvjeçar nuk ka kushte për ngritjen e monumenteve të tilla.

Në këtë eveniment të lartë kulturor, shteti shqiptar, dhe shqiptarët e shteteve fqinje, do të krenohen se si i mbushën të 100-tat e do të angazhohen që në qindvjeçarët e ardhshëm, të jenë më të fortë, më të dijshëm e më të pashëm.

Nëpër këto ngjarje të lavdishme të shtetësisë së Shqipërisë, do të thuren këngë e do të ngriten ura e rrugë të kombit, që nga Preveza e deri në Preshevë.

Integrimet mbarëshqiptare, do të vijnë, mbase një ditë ! Askush nuk ka të drejtën të dyshojë dhe të mohoj proceset e tilla integruese, nga se alternativë tjetër nuk ka.
Rroftë Shqipëria e shqiptarët, kudo qofshin ata! U rritsh e madhe Shqipëri! Urime, 100 vjet, pavarësi!