Mobi Casa

100 ditët e qeverisjes Haziri – Kadriu

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në mbledhjen e drejtorëve të mbajtur sot për 100 ditëshin e qeverisjes Haziri, është konfirmuar efikasitet më i madh në punë, shërbime më të shpejta dhe kursim të buxhetit të Komunës për një përqindje të pakrahasueshme në raport me vitet më parë. Këshilli i Drejtorëve i udhëhequr nga kryetari Haziri ka bërë publik për qytetarët e Komunës së Gjilanit punën, vështirësitë, përparimet dhe sfidat me të cilat përballet qeverisja.

Efikasitet dhe shërbimet më të shpejta e kursimi vërehen në secilën drejtori dhe sektorë të tjerë që mbikëqyren ashpër nga Drejtoria e Financave për çdo shpenzim, sepse siç ka thënë me këtë rast kryetari Haziri, duhet të punojmë me këtë intensitet të punës së madhe dhe me kursime maksimale në mënyrë që efikasiteti dhe shërbimet të jenë në dobi të qytetarit. “Komuna është në shërbim të qytetarëve, këtë po e bëjmë dhe dëshmojmë”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu ka thënë se problem i parë me të cilin është përballur kjo qeverisje është mungesa e ujit, për të cilin tashmë me task-forcën e themeluar nga kryetari kemi nisur t’i prekim rezultatet e para nga burimet alternative, të cilat do ta ndihmojnë furnizimin me ujë, siç është lokacioni në livadhet e Koretishtës, lokacionin e “Fidanishtes” dhe tek kazerma e FSK-së, ku jemi në fazën e testimit dhe përgatitjes për hapjen e puseve të reja në këto lokacione.

Ndërsa në projektin e Mirushës ai ka thënë se nga dita e caktimit në këtë projekt për 30 ditë punë janë kryer 400 metra kanalizim dhe deri në fund të projektit kemi edhe 1100 metra por me shtimin e dinamikës në punë kanalizimi do të kryhet në shtator. Nga java e ardhshme fillon faza e dytë e projektit, mbulimi i lumit nga hoteli “Kristal” deri tek ura që shpie për në shkollën fillore “Musa Zajmi”.

Edhe në infrastrukturën rrugore ai ka thënë se janë shpallur rrugët Pogragjë – Bilinicë, Lladovë – Nasal, rrugët në lagjen dheu i bardhë që përfshinë rreth dhjetë rrugë atje, poashtu në lagjen “Dardania” si rrugën “Ali Hadri dhe rrugën 7, 10 dhe 12. Ai ka thënë se këtu nuk përfundon asgjë sepse jemi në përgatitje të projektit dhe në ditët në vijim do të shpallen edhe rreth 20 rrugë të tjera.

Në këtë takim Kadriu ka përmendur edhe punët që janë duke u bërë në projektin e hyrjes së rrugës Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Bujanoc që do të jenë me katër korsi. ‘Është në përgatitje e sipër shpallja e punëve për rregullimin e projektit të varrezave të dëshmorëve, projekt i cili është ndërprerë nga muaji maj i vitit 2012, pa u dhënë asnjë arsye, ky tender për këtë projekt do të shpallet deri kah fundi i javës së ardhshme, ndërsa mjetet për këtë projekt janë nga të hyrat vetanake”, tha Kadriu.

Nënkryetari Kadriu ka thënë se punët që do të shpallen këtë vit Gjilanin e kthejnë në arenën e ndërtimit dhe punës së pandalshme.
Në Zhvillimin Ekonomik, pritet ndryshimi i gjendjes për një përqindje shumë të madhe kur kihet parasysh numri i madh i projekteve me të cilat është konkurruar në shumë programe dhe tek shumë donator, ka njoftuar drejtori i Ismail Januzi.

“Këtë muaj e kemi konferencën e donatorëve, që jemi të bindur se do të përfitoj shumë Gjilani për arsye që seriozitetit dhe profesionalizmit dhe rëndësisë që kanë projektet”, tha Januzi.

Projekte të rëndësishme kanë mundësuar që një numër shumë i madh i fermerëve të përfitojnë, duke nisur nga mbjelljet pranverore, furnizimit me foli plastike, trajnime dhe donacione, që në total për këta tre muaj janë ndihmuar rreth një mijë fermer, ka thënë drejtori i kësaj drejtorie Ramiz Ramadani.

“Kemi projekte serioze që janë duke i prekur fermerët tanë. Duke u nisur nga bashkëpunimi i Komunës me Karitasin, ku kanë përfituar 40 fermer në malësinë e Kishnapoles me mekanizëm bujqësor, 307 fermer me foli plastike, 350 fermer me farë misri, rreth 300 fermer janë trajnuar nga ekspertët, është duke u përgatitur investimi i donatorëve nga Tiroli Austriak për ujitje dhe ndihmë në blegtori, do të nisë ripyllëzimi në Llashticë dhe pyllëzimi në Nasal, janë bërë të gjitha përgatitjet për rrallimin dhe pastrimin e pyjeve në fshatin Zhegër, e që në raport me 100 ditëshin është një punë voluminoze që është bërë nga drejtoria jonë. Kështu dhe me intensitet edhe më të shtuar do të ecim përpara, sepse kjo kërkohet nga fermerët tanë dhe ne do të jemi pranë tyre”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Risi do të ketë edhe në drejtorinë e Administratës, pas eliminimit të tollovive para sporteleve dhe neglizhencës në punë që ishte më parë, ku sipas raporteve të një viti më parë janë dhënë shumë më pak shërbime për qytetarët në raport me të punësuarit atje, ka thënë drejtori Nazim Gagica.

UBT

“Tani me më pak punëtor kemi dhënë shumë më tepër shërbime. Kemi rreth 12 mijë lëndë të shqyrtuara më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak. Janë kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e projektit të ofrimit të shërbimeve në shtëpi për qytetarët përmes Postës, që është një risi për qytetarin dhe shkarkim të pritjeve para sporteleve. Do të avancojmë bashkërisht edhe më shumë punën në Administratë. Poashtu kemi të hyra shumë më të mëdha për këtë tremujor në raport me atë të vitit 2013”, ka spikatur ai.

Bashkëpunimi dhe funksionimi i hallkave Urbanizëm – Kadastër – Inspeksion, është duke shkuar gjithnjë e më mirë.

Drejtorët e këtyre drejtorive, pos efikasitetit të shtuar në drejtoritë e tyre, kanë rritur të hyrat e Komunës dhe janë zotuar se do të jenë kujdestar të zbatimit të ligjit gjithandej Komunës.
“Kjo nuk bëhet për ta penguar askë, por për të ndihmuar qytetarin dhe për t’ia lehtësuar atij zhvillimin në familje, biznes apo planifikim”, janë shprehur ata.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2014” këtë vit i ka kushtuar Komunës së Gjilanit për 52 % më lirë se një vit përpara dhe numri i pjesëmarrësve në këtë manifestim është mbi shtatë mijë vetash që i kanë përcjellë aktivitetet e pasura kulturore të manifestimit, ka thënë U.D. i drejtorit Bujar Haziri.

Në Shërbimet Publike, Shëndetësi dhe Mbrojtje e Shpëtim, ka po ashtu efikasitet dhe ngritje të shërbimeve për qytetarët. Është duke u punuar gjithandej nëpër secilin sektor për t’i kryer punët kanë njoftuar drejtorët e drejtorive përkatëse.

Në arsim, drejtori Nazmi Musa, ka thënë se janë bërë dhe po bëhen përgatitjet për përmbylljen e suksesshme të vitit shkollor, duke nisur nga testet e maturës e deri edhe te regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë, sikur që po punohet vazhdimisht në monitorimin e shkollave në punën e tyre.

Ai ka informuar edhe për shuarjen e klasës së XIII, por edhe zbatimin e ligjit në çdo aspekt, për të mirën e qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Sfidë është borxhi shumë i madh i gjetur, që ishte mbi 800 mijë euro.

Sa i përket financave, për këtë ka raportuar drejtori Salih Kqiku, i cili në detaje ka paraqitur të hyrat në secilin sektor, që siç ka thënë ai, ka tejkalime të planifikimit sa i përket të hyrave dhe se trendi i të hyrave është pozitiv. Gjithashtu ai ka informuar këshillin se është bërë edhe shpërndarja e 24 mijë faturave të tatimit në pronë dhe janë duke i bërë edhe pagesat e borxheve të trashëguara.

“Shpenzimet janë ulur për 50 % në të gjithë sektorët dhe të hyrat kanë shënuar një rritje të cilën ne do të punojmë përditë që ajo të jetë edhe më e madhe. Është shumë e rëndësishme të thuhet që asnjë punë nuk është nisur në Komunë pa i ndjekur procedurat e prokurimit në bazë të ligjit. Disiplina buxhetore do të vazhdoj gjatë gjithë këtij mandati”, ka thënë Kqiku.

Ndërsa, në përfundim të takimit të Bordit, kryetari Haziri ka thënë se e gjitha ajo që është thënë deri më tash, është ajo çfarë është gjetur në Komunën e Gjilanit. Borxhet e Komunës janë krijuar dhe kanë të përbashkët një “I” në katror; me Inate dhe me Inercion.

“Nuk po e them këtë për të reaguar ndaj askujt, por është një konfirmim i realitetit që e kemi gjetur. Ne do të vazhdojmë qeverisjen tonë me logjikë dhe kulturën e detyrave të hapura dhe transparente. Barometri i punës suaj si drejtor, por edhe e imja si kryetar dhe e secilit brenda Komunës është puna juaj, e secilit veç e veç”, ka përfunduar kryetari Haziri./rajonipress/