100-ditëshi më skandaloz i Kosovës

Duke ia bërë një vlerësim të thellë analitik 100-ditëshit të parë të Qeverisë “Haradinaj”, analistët politikë i japin këtij kabineti notën më të dobët që kanë pasur të gjitha koalicionet e deritanishme për të njëjtën periudhë kohore të fillimit të mandatit, që nga marrja e pozitës së kryeministrit.
Sipas tyre, nuk përjashtohet fare rreziku që PDK-ja të përdorë të njëjtin skenar të djegies së Qeverisë “Haradinaj”, ashtu siç bëri PDK-ja edhe me Fatmir Sejdiun e LDK-së, Behgjet Pacollin e AKR-së apo Isa Mustafën, që e rrëzoi nga pozita e kryeministrit. Vlerësimi i analistëve tani për tani është se kjo Qeveri nuk bëri më shumë se sa që krijoi një kabinet super megaloman, bashkë me partnerët e koalicionit dhe po vazhdon të shtojë pafundësisht numrin e zv. ministrave në Qeveri çdo ditë, saqë tani ka kaluar mbi 72 zv. ministra. Kjo strategji veprimi vetëm sa e bastardoi kabinetin e Haradinajt, duke mbledhur të papunët nga të gjithë cepat e Kosovës, dështakët dhe shantazhuesit e llojllojshëm. Me këtë veprim, Haradinaj bashkë me partnerët e koalicionit, ua ngarkoi qytetarëve kosovarë barrën e shpenzimeve qysh në start, pasi çdo pozitë e zëvendësministrit metastazon në kurriz të buxhetit, edhe me një vozitës, edhe me një këshilltar, edhe me derivate, dreka, darka e shumëçka tjetër. Kjo qasje e mbrapshtë, në vend se paratë e buxhetit të investoheshin në shëndetësi, arsim, drejtësi e shumë sektorë të tjerë, bënë që një pjesë e madhe e tyre të shkojë tek shpenzimet e zv. ministrave dhe ministrave dhe armatës që shkon me ta. Sa i përket sundimit të ligjit, as këtu nuk ka diçka pozitive, derisa Haradinaj ia lejon vetes që të thotë se “edhe unë gjuaj me armë, pasi gjuajtjet me armë janë në traditën tonë” dhe kështu të arsyetojë veprime antiligjore. Imazhi i shtetit me këtë qëndrim është zero, sipas analistëve politikë. Po ashtu, edhe zotimi i Haradinajt për eliminimin e monopoleve nuk po respektohet. Ai po lejon zhvatjen e qindra miliona eurove nga vëllezërit Devolli, me homologimin antikushtetues dhe antiligjor e kriminal, e të cilin po e bëjnë tani më mbi 9 vjet pa ua prishur kush “tymin e duhanit”.
Vendime të papërgjegjshme
Analisti Blerim Burjani vlerëson se deri më tash në këtë 100- ditësh, Qeveria “Haradinaj” nuk ka treguar ndonjë rezultat sinjifikant, ndërsa vetëm disa gjëra janë mbajtur mend për këtë periudhe si veprime të vazhdimësisë së Qeverisë së kaluar: marrëveshje me banorët e Shipitullës për lirimin e parcelave të tyre. Vendimet e tjera, sipas Burjanit, janë krejtësisht skandaloze. “Vendimi për shlyerjen e borxheve të kompanive që merren me ujë, për emërim të një batalioni të zëvendësministrave, për rritjen e pagave të tyre, pra ministrave dhe vartësve të vetë, pastaj Demarkacioni i stagnuar dhe ngërçi i vazhdueshëm politik, pa asnjë shpresë për të përmirësuar ekonominë, pagat e mjekëve, sidomos dhe arsimtarëve pa ndonjë nivelim meritor. Pra, kjo Qeveri po diskriminon edhe sektorin privat skajshmërisht as që merret me këtë sektor. Derisa është kështu nuk mund të flitet për sukses zhvillimor”, u shpreh ai.”Nuk ka asnjë rol në cilësinë e arsimit, mbahet mend vetëm për shkarkim të bordit për cilësi, pra asgjë interesante me të drejtë tani është krijuar bindja dhe të gjithë po mendojnë se kjo Qeveri është Qeveri e njerëzve të paaftë për secilin sektor në këtë shtet. Pra, kjo është e tërë që mund të thuhet për këtë Qeveri, përveç asaj që kam thënë se është Qeveri e përkohshme dhe s’i dihet për sa kohë do të funksionojë, sepse zgjedhjet priten sërish në vitin 2018, madje janë të pashmangshme”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Rezultatet zero!
Zero rezultat ka treguar kabineti “Haradinaj” edhe sipas analistit Jeton Kelmendi. “Unë mendoj që 100- ditëshi i Qeverisë ‘Haradinaj’ karakterizohet me disa gjëra të cilat gjithçka mund të quhen, përpos punë dhe sukses kurrsesi. Kjo Qeveri do të mbahet në mend përgjithmonë, për numrin rekord të përbërjes së kabinetit qeveritar, e të zëvendësministrave gjithsesi, që nuk e konsideroj sukses, por vetëm punësim dhe rehatim të interesave politike, klienteliste të militantëve”, u shpreh ai. “Kjo Qeveri do të mbahet në mend edhe për shkelje arbitrare të ligjit nëpërmes vendimeve për shkarkim bordesh dhe për rritje të nivelit të papunësisë në nivelin 9.5 % dhe për veprim asnjëherë koherent, sepse po dëshmohet krejtësisht e pafuqishme, për pafuqinë e kryeministrit edhe në raport me dy zëvendëskryeministrat e tij, për dominimin që ka në koalicion partneri tjetër i koalicionit që është AKR-ja dhe PDK-ja, e që nga AKR-ja vijnë katër ministra e zëvendëskryeministri. Kështu mungesa e koherencës reflekton edhe në deklaratat diametralisht të kundërta të dhëna në raport me qëndrimet e kryeministrit edhe nga dy zëvendëskryeministrat e tij, Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj”, theksoi më tutje Kelmendi. “Këto qëndrime të kundërta janë edhe sa i takon Demarkacionit, por edhe Asociacionit. Pra, këto janë disa nga tiparet që tregojnë se kjo Qeveri nuk është e suksesit dhe nuk mund të mbahet në mend asgjë pozitive e shënuar deri më tani”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.
Lakmia për pushtet
Edhe analisti Faton Mehmeti pohon se për këto 100 ditë të qeverisjes së tij, Haradinaj tregoi se qëllimi i tij i vetëm i krejt betejës opozitare, ka qenë lakmia për pushtet dhe kurrsesi alternative më e mirë qeverisëse në raport me koalicionin paraprak PDKLDK.”Z. Haradinaj erdhi në pushtet me premtime për të çuar vendin përpara, por arriti që Kosovën ta kthejë mbrapa. Foli për Qeveri të vogël, ndërsa numri ka arritur në 100 me ministra dhe zv.ministra. Ato që e sollën në pushtet z. Haradinaj, ato edhe do e rrëzojnë nga pushteti, pra është fjala për Asociacionin dhe Demarkacionin. Këto dy tema të ndjeshme arritën të rrëzojnë Qeverinë e kaluar, duke i ndihmuar z. Haradinaj të vijë në pushtet. Jo e rastësishme është fakti se PDK-ja ia la postin e kryeministrit Haradinajt, derisa Kadri Veseli një vit ka bërë fushatë në emër të ardhjes në pushtet në postin e kryeministrit. Dinakëria e Veselit fitoi me papjekurinë politike të Ramushit, dhe kjo ka ndikuar që proceset të ngecin. Nuk kemi progres në asnjë çështje në emër të së cilës u rrëzua Isa Mustafa, veç regres dhe asnjë hap tutje”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”. Ai është i bindur që nëse deri në mars nuk kalon Demarkacioni do të bjerë edhe Qeveria “Haradinaj” dhe kjo varet pak a shumë edhe nga zhvillimet politike rreth arrestimeve nga Gjykata Speciale. “Derisa Kadri Veseli dhe Thaçi janë në pushtet, lojërat dhe djallëzitë politike nuk do të ndalen asnjëherë, prandaj Kosova po shkon në greminë si rezultat i tyre. Z. Haradinaj, në anën tjetër, dështoi në zotimet e tij, pasi gropën ia bëri Kadri Veseli. Në anën tjetër, lidhjet e Ramushit me Devollët e kanë degraduar shumë tregun duke e monopolizuar atë”, u shpreh Mehmeti për “Kosova Sot”.
“Suksesi” kryesor, rehatimi i militantëve
Analisti i fushës ekonomike, Mustafë Kadriaj, pohon se i vetmi dallim që ka kjo Qeveri nga e kaluara është se PDK-ja nuk e ka atë fuqinë ndikuese të mëhershme.”Mendoj që gabimet në veprimet që ka ndërmarrë janë aq të mëdha që uroj, por nuk besoj që do të arrin t’i korrigjojë gjatë vitit 2018. Që me marrjen e mandatit të të parit të Qeverisë është lëshuar në gabime, fillimisht duke shkarkuar një komision dhe duke emëruar komision tjetër për Demarkacionin me Malin e Zi, po ashtu edhe problemet me energji elektrike, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike dhe njëherësh shtrenjtimin e saj si dhe afera për pagesa të faturave të energjisë elektrike për qytetarët në veri po ashtu veprimi i natës të së premtes, duke bërë shfaqje të cirkut, duke bërë veprime palaçoje, tentim shfuqizimi i Gjykatës Speciale si dhe veprimi i fundit duke i rritur pagën vetes afër 100% dhe njëherësh duke bërë diferencim skandaloz të rritjes së pagave”, potencoi ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, krejt çka bëri kryeministri Haradinaj deri tani është rehatimi i njerëzve në poste të ndryshme me një Qeveri megalomane. Me notë super të dobët e vlerëson qeverisjen 100- ditëshe të Haradinajt edhe analisti Ali Hertica. “Qeveria “Haradinaj” nuk ka lënë ndonjë gjurmë pozitive në 100-ditëshin e parë që të jetë shpresëdhënëse për qytetarin në vitin në vijim”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka treguar një performancë relativisht të dobët edhe në kuptim të konsolidimit të kabinetit qeveritar, por edhe në kuptim të ndërtimit të një plani qeverisës dhe përcjelljen e tij me veprime konkrete, ku deri më tash nuk ka asgjë pozitive.
(Kosova Sot)