Mobi Casa

10 vjet “Gëzuar” në Gjenevë

/ 9 minuta lexim

Ansambli i këngëve dhe valleve “Gëzuar” nga Gjeneva, shënoi dhjetëvjetorin e veprimtarisë së tij të suksesshme me një program të pasur kulturor.

Mbrëmë, me një Akademi solemne Ansambli i këngëve dhe valleve “Gëzuar” nga Gjeneva, ka shënuar përvjetorin e dhjetë të punës dhe të sukseseve të tij të njëpasnjëshme.

Ky ansambël, i konsideruar me të drejtë si njëra nga shoqëritë më të suksesshme kulturore të diasporës sonë, ka tubuar në sallën e koncerteve “Henri Dunat” të komunës Vernier të Gjenevës, prindër, fëmijë, nxënës e studentë.

Po ashtu të pranishëm në këtë jubile të rëndësishëm kulturor ishin edhe zyrtarë të shumtë institucionalë të komunave të ndryshme të kantonit të Gjenevës.

Ansamblin “Gëzuar” me praninë e tyre e nderuan edhe përfaqësues të shoqatave, klubeve dhe shoqërive simotra pothuajse nga e gjithë Zvicra.

Veçmas ra në sy prezenca e zotit Ndue D.Uka, udhëheqës i Ansamblit ”Arbëresha” nga qyteza Sirnach e kantonit Thurgau, i cili vitin e kaluar punën e ansamblit që ai e drejton e përmblodhi me botimin e një monografi mjaft përmbajtjesore dhe të vëllimshme.

Kurse një vështrim të përgjithshëm aktivitetit dhjetëvjeçar të Ansamblit “Gëzuar”të Gjenevës, ia bëri z. Ismet Kurteshi, kryetar shumëvjeçar i tij.

Ai tha se krijimit të këtij ansambli fillimisht i parapriu një atelie artistike eksperimentale e kapshme për të gjitha moshat. Të gjitha nismat çdoherë në vete bartin vështirësi e në mënyrë të posaçme për ne që jetojmë dhe veprojmë jashtë atdheut.

Të bashkuar rreth koreaografit Xhemali Berisha

Në një qytet ndërkombëtar dhe me një shumëllojshmëri kulturash siç është Gjeneva, sigurimi i një salle apo palestre nuk është aq edhe i lehtë edhe për ata që kanë dalë kaherë nga anonimiteti. Mirëpo falë mikut tonë të madh Ueli Leunberger më 1996 në zemër të Gjenevës, u hap Universiteti Popullor Shqiptar, i cili edhe sot konsiderohet si dritare kryesore e mërgatës sonë.

Me hapjen e këtij institucioni u zgjodhën edhe shumë probleme të komunitetit tonë.

Kurteshi vazhdoi duke thënë se brengë e secilit mërgimtar ishte ruajta e trashëgimisë sonë historike dhe etnokulturore.

Andaj një grup entuziastësh të udhëhequr nga koreografi ynë i mirënjohur Xhemali Berisha, filloi rekrutimin e një armate të tërë të të rinjve tanë muzikantë të profileve të ndryshme.

Falë kontributit të prindërve të solistëve dhe valltarëve u siguruan instrumentet e domosdoshme dhe kostumet. Pastaj nisën ushtrimet intensive në zënien e dijeve në vallëzim e këngë.

Nuk vonoi shumë dhe debutuam para publikut duke lënë përshtypje të jashtëzakonshme.

Nga ky sukses u motivuam të gjithë dhe në vitin 2007 duke parë potencialin e bollshëm dhe prirjet e djemve dhe vajzave për këngët dhe vallet tona burimore nga atelie eksperimentale u shndërruam në “Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gëzuar”.

Serioziteti në punë dhe cilësia e treguar shpejt na hapën rrugë për prezantime jovetëm në festat tona kombëtare por dhe në ato të komunave të kantonit të Gjenevës.

Kur krijuam identitetin tonë të duhur filloi edhe mbështetja materiale nga disa komuna të kantonit të Gjenevës. Gjithashtu patëm edhe përkrahjen e disa individëve.

Përkrahje edhe nga qytetarë zviceranë

Rrugës sonë të sukseseve plot një dekadë iu bashkëngjit edhe zonja Myriam Rossier, e cila përveç përcjelljes së rregullt të aktivitetit tonë u tregua e përpiktët edhe në pagesën e anëtarësisë. Gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe ish- producenti i Ansamblit “Gëzuar” z. Nexhmedin Ilazi .

Ai së bashku me tre fëmijët e tij, Ansamblin “Gëzuar” e konsideroi si shtëpi të tij të dytë.

Ngjashëm vepruan edhe shumë të tjerë pa ndihmën e të cilëve nuk do ishim këtu ku jemi tha në mbyllje të vështrimit të tij z. Ismet Kurteshi, i cili në cilësinë e kryetarit bëri të pamundurën për të mirën e këtij Ansambli.

Duhet theksuar edhe faktin që falë Zotit Ismet Kurteshi, i cili është në kryerje të mandatit të dytë të këshilltarit në Bashkinë Onex të Gjenevës, autoritetet e saj ofruan në shfrytëzim pa kurrfarë kompensimi për nevojat e Ansamblit “Gëzuar” një nga sallat “Villa Tacchini” të kësaj komune.

Ndërkohë në podiumin e amfiteatrit duke na bërë një befasi të këndshme të gjithëve u paraqitën motrat Vjendita dhe Ejona Stojkaj, soliste dhe valltare të dalluara ndër vite të Ansamblit “Gëzuar”.

Uji Dea

Ato përveç talentit të tyre të rrallë në këngë e vallëzim sot u shquan edhe me udhëheqjen e shkëlqyer të këtij programi jubilar.

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Listën me emrat e shumtë të kontribuuesve dhënë rritës dhe avancimit të Ansamblit “Gëzuar” e lexoi z. Fadil Avdiaj, valltar dhe aktivist i këtij Ansambli. Ai për suksesin e arritur më meritorët i konsideron prindër e fëmijë ,që gjithnjë u treguan të gatshëm për ruajtjen e trashëgimisë sonë historike dhe etnokulturore.

Një përshkrim kronologjik një dekade pune të palodhshme e përplot suksese të këtij ansambli ia bëri edhe Xhemali Berisha, nismëtar dhe kryeprotagonist kryesor i formimit të tij. Ai dha: ”Vitet kalojnë por kujtimet për punën, shokët dhe miqtë nuk harrohen asnjëherë”. Këta solistë e valltarë i kujtoj kur së bashku me ecjen nisën këngën dhe vallëzimin, duke na dhënë çaste të veçanta kënaqësie. Në mesin tonë sot kemi motrat Stojkaj me origjinë nga Gllogjani i Deçanit, të cilat përveç prezantimeve brilante përpara publikut ato nxorën në dritë edhe disa albume këngësh, duke dëshmuar që me këngën dhe vallëzimin janë të lidhura ngushtë.

“Gëzuar” ishte mysafire edhe në përvjetorin e Ansamblit “Shota”

Përveç këngës dhe valles anëtarët tanë në përvjetorët e organizuar këtu në Gjenevë, me rastin e rënies së heroit tonë kombëtar Agim Ramadani dhanë edhe pjesë të lehta teatrale me çfarë dëshmuan prirjet e tyre të gjithanshme në gjini të ndryshme të artit dhe të kulturës sonë.

Momentet tjetër që u përjetua me gëzim të papërshkruar nga të gjithë ne ishte edhe ftesa drejtuar Ansamblit tonë më 2014 nga ana e Ansamblit ”Shota” të Republikës së Kosovës.

Loja me shije dhe kujdes e pjesëtarëve të Ansamblit Gëzuar” të Gjenevës në përvjetorin e 50-të të Ansamblit “Shota” fascinoi artistë e këngëtarë të njohur të estradës sonë .

Ata punën e fëmijëve tanë të lindur dhe të rritur larg vendlindjes e vlerësuan me notën më të lartë. Ky prezantimi i suksesshëm u ra në sy edhe medieve të shkruara dhe atyre vizive të Republikës së Kosovës.

Ato këtë aktivitet tonin e pasqyruan nëpërmjet kronikave dhe emisioneve të ndryshme televizive siç ishte rasti me RTV-në 21.

Paraqitje tjetër jona që u mirëprit jashtëzakonisht mirë ishte edhe ajo në Berlin të Gjermanisë, ku u nderuam me çmimin e më të mirit në këtë festival tha Berisha.

Edhe pjesëmarrja në Lyon të Francës ishte mjaft e frytshme sepse u përcollëm nga mijëra ardhurës të këngës dhe valles shqipe. Për punën e mirë na pati përgëzuar edhe prof.dr. Muhamedin Kullashi, ish-Ambasador Fuqiplotë i vendit tonë në Paris të Francës

Kurse vitin e kaluar prezantuam në festën tradicionale “Fete de la Musique” të Gjenevës, manifestim ky që tubon grupe të njohura muzikore nga e gjithë bota.

Meqë veprojmë në Zvicër kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë.

Para gjashtë muajve prezantuam edhe në qytezën Fully të kantonit Valais, ku kemi qenë të ftuar special të shoqatës atdhetare “Medvegja” e cila dallohet me aktivitetet e saja kulturore dhe bamirëse.

Koreografi ynë i mirënjohur Xhemali Berisha para se ta mbyll diskutimin e tij në këtë jubile shpalosi edhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Ai dha : “ puna me këta të rinj më rinon dhe më bënë krenar. Shumica e këtyre djemve dhe vajzave sot punojnë në institucione të ndryshme publike dhe shoqërore të kantonit Gjenevës. Ata me mjaft sukses kryejnë punën e juristit,ekonomistit,mësimdhënësit, mjekut, inxhinierit, agronomit etj. Prandaj punën time me ta e shoh edhe si privilegj.

Falë përkushtimit të tyre në punë temat dhe debatet mbi integrimin e komuniteti tonë janë çështje që i takojnë të së kaluarës tha në përfundim të diskutimit z. Berisha.

Pas paraqitjes së raporteve dhe analizës së aktiviteteve u dha një program i pasur artistik me këngë dhe valle të të gjitha trevave tona. Pjesë e këtij programi tre orësh ishin dhe këngët polifonike të Jugut të Shqipërisë, të cilat vërtetë ishin tërheqëse.

Me kusht që të iket nga klishetë dhe shabllonet kësaj here për të pranishmit fëmijët tanë shkëputën edhe një mori thëniesh të urta popullore dhe filozofike të mendimtarëve të ndryshëm.

Ato jo vetëm që u pëlqyen por edhe u duartrokitën gjatë nga shikuesit e shumtë.

Me të përfunduar programi nënat dhe motrat tona si çdoherë të pa përtueshme me gatimet e tyre të mrekullueshme mbushën tryezat. Ato secilit pjesëmarrës të këtij jubileu kulturor i dhanë rastin të shijojë kuzhinën shqiptare, e cila dita-ditës po e shton cilësinë, duke u preferuar jashtëzakonisht edhe nga të huajit./arif ejupi/albinfo/

Autor i fotografive: Rilind Berisha

http://www.albinfo.ch/10-vjet-gezuar-ne-gjeneve/