UBT

10 prill 1999, vrasjet e kryera në Bresalc, rrëfejnë dëshmitarët

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në fshatin Bresalc të Gjilanit më 10 prill 1999 janë vrarë: Hasan Sefë Syla, Bahtir Ejup Hyseni, Feride Zejnullah Muji, Servet Shala dhe Faik Shala. Dëshmitarët e gjallë dhe ata që e kanë përjetuar tmerrin thonë se gjithçka ka filluar nga një ofensivë e forcave serbe e cila udhëhiqej nga Zara, Arizanoviq dhe Dragani i Parallovës. As fshati Bresalc i Gjilanit nuk ndihet rehat pas 20 viteve të ofensivës serbe ku jetën e humbën pesë shqiptarë. Vrasjet ishin nga më të ndryshmet derisa dëshmitarët kanë identifikuar kryesit e krimeve, por asnjëherë nuk janë hetuar të dyshuarit. Asnjë dëshmitar nuk është intervistuar nga Prokuroria dhe ata këtë neglizhencë e shohin si vrasje e dyfishtë.

Shabi Shaban Selimi, i cili edhe është plagosur në këtë ofensivë thotë se Feride Mujin e kam parë shumë afër derisa është vrarë me Gulinov kundërajror. “Rreth 100 ushtar serb kanë sulmuar fshatin Bresalc nga të gjitha anët” rrëfen Shabiu, raporton rajonipress.

Sipas tij Feride Muji ka vdekur në vend kurse Albert Miftari fëmijë tre muajsh është goditur me tre plumba dhe ka shpëtuar.

Edhe dëshmitarja tjetër Arife Muji kunata e Feridës ka thënë se ajo është vrarë tek vendi i quajtur “Zabeli i Baqukut”.

Feridja është qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i varrezave të fshatit ku edhe ishin të pozicionuara forcat paramilitare serbe. “Feridja në atë moment ka qenë me fëmijët e saj Valbonën 18 vjeçare, Miradijen 15 vjeçare, Nisretin 13 vjeçar dhe Labinotin 10 vjeçar. Feridja kur është qëlluar, fëmijëve të saj u ka thënë që ta vazhdojnë rrugën dhe të ikin dhe pas pak ka dhënë shpirt” rrëfen Arifja.

Feride Muji ka qen e vrarë mirëpo Xhezide Miftari ka qen e plagosur nga plumbi që i ra (Xhezides, Miftari) i ka depërtuar plumbi (Albert Miftarit).

Për vdekjen e Bahtir Hysenit, Shabiu thotë se ai është vrarë pak orë më vonë. Paramilitarët e kanë urdhëruar që të ndalet, por ai nuk i ka respektuar urdhrat e tyre dhe e kanë pushkatuar me një breshëri plumbash.

Mustafë Hyseni djali i Bahtirit duke dëshmuar për vrasjen ka thënë se babai i tij është goditur me një plumb pas veshit të majtë dhe i është dhënë një rafal në gjoks.

Eco Higjiena

Mustafa ka thënë se dyshon në dy serb të quajtur Dragan dhe Serxhan të cilët edhe e kanë bërë regjistrimin e banorëve të mbetur në fshat.”Babai im ditën kritike ka vizituar shtëpinë, meqë ne ishim të vendosur në male. Ka qenë pensionist dhe ka punuar mbi 38 vite në Beograd, ku ka pasur gradën e togerit rezervë” ka rrëfyer Mustafë Hyseni.

Në këtë operacion të serbëve është plagosur edhe Nehat Selimi i cili ka marrë shtatë plumba në trup.
Edhe për vdekjen e Hasan Sefë Sylës ka dëshmuar djali i tij Avdullah Sefa i lindur më 1946.

Sipas Avdullait babai i tij është vrarë nga paramilitarët serb tek vendi i quajtur “Llazina”. Ky dëshmitar ka thënë se babai i tij dyshohet se është vrarë nga Sinisha një ish polic, Dragani nga Parallova dhe një tjetër me emrin Sërxhan nga Llabjani.

Më 10 prill 1999 në fshatin Bresalc është plagosur edhe Shaban Syla. Dëshmitari tjetër Taip Muji është plagosur më 18 prill 1999. Ai thotë se është goditur me plumbat dum-dum në krahun e majtë. Nga plumbi i forcave serbe ai sot e ka të amputuar krahun e djathtë.

Edhe vrasja e Servet Shalës nga fshati Ponesh është kryer më 16 prill 1999. Dëshmitari i kësaj vrasje Enver Shala (1961) thotë se në ditën kritike është zënë peng nga ushtria serbe së bashku me Servet Shalën dhe familjen e tij.

Sipas tij rreth 120 ushtar serb kanë marrë pjesë në ofensivën e fshatit Ponesh kurse Serveti është ekzekutuar në vendin e quajtur “Quka e Poneshit”. Shala thotë se në vrasjen e Servetit kanë qenë të përfshirë edhe dy polic nga fshati Ponesh.

Zakonisht Prokuroria dhe hetuesit e kanë një përgjigje të varfër tash e 20 vite “Nuk kemi dëshmi, nuk po dëshmojnë qytetarët”. Epo ja ku i keni dhe i keni pasur tash e 20 vite dëshmitë dhe dëshmitarët e gjallë. Vetëm duhet guxim dhe vullnet për t`i quar gjërat përpara./rajonipress/