1 korrik 1966 – dita kur filloi të rilindë Kosova

Nga Enver Robelli- Çlirimi i Kosovës mori hovin e pandalshëm një ditë vere, kur në një ishull të Adriatikut u rrëzua Aleksandar Rankoviqi dhe kur filloi modernizimi i mirëfilltë i shoqërisë së Kosovës. Disa shënime mbi një kapitull të harruar të historisë.
Në ballinën e gazetës “Rilindja” të datës 2 korrik 1966 mund të lexohen këta tituj: “Aleksandar Rankoviqi u shkarkue prej të gjitha funksioneve të deritashme” (në anën e djathtë), pastaj përfund: “Svetisllav Stefanoviqi (ministër i policisë, v.j.) u përjashtue prej KQ dhe LKJ”. Kryetitulli i rezervohet, natyrisht, “shokut” Josip Broz Tito: “Sigurimi shtetnor nuk po shkon krahas me zhvillimin tonë shoqnor”. Një ditë më parë në ishullin Brioni, në Republikën e Kroacisë, Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte marrë njërin prej vendimeve ndoshta më të rëndësishme në historinë e saj: përzënien e dogmatikëve nga pozitat udhëheqëse! Ishte rrëzuar Aleksandar Rankoviqi, funksionari më i pushtetshëm në sektorin e sigurimit të Jugosllavisë, ai që dyshohej se si shef i shërbimit sekret, policisë dhe strukturave të tjera mbikëqyrëse kishte përgjuar madje edhe Josip Broz Titon, prijësin e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore, liderin e Jugosllavisë, “birin më të shtrenjtë të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë” (kështu tingëllonte gjuha mediale e asaj kohe).
Përgjimi i pushtetarëve
Në hapësirën gjermane mediumet konstatonin se “në Jugosllavi përfundimisht fitoi komunizmi reformator” (e përjavshmja DIE ZEIT e 5 gushtit 1966). Nga fillimi i viteve ’60 reformatorët nga Sllovenia dhe Kroacia, dy republikat më të zhvilluara të Jugosllavisë, kërkonin më shumë hapësirë demokratike, më shumë mundësi për stimulimin e ekonomisë së tregut – kuptohet brenda kornizave të socializmit. Në këtë kuadër punëtorët fituan të drejtën të ndërrojnë vendin e punës, të hyjnë në greva, të emigrojnë jashtë vendit, të hapin restorante të vogla në Jugosllavi; edhe brenda Partisë Komuniste pati përparime: u lejua debati më i hapur, filloi një garë e ideve dhe kandidatëve për poste politike. Të gjitha këto zhvillime ndikuan që Josip Broz Tito, Edvard Kardeli (slloven), Vladimir Bakariqi (kroat), Kërste Cërvenkovski (maqedonas) dhe të tjerë të propagandojnë reformimin e thellë të Jugosllavisë.
Kërste Cërvenkovski (babai i Branko Cërvenkovskit, ish-kryetarit të Maqedonisë dhe liderit aktual të socialdemokratëve maqedonas) duke ia mbajtur krahun Titos pas shkarkimit të Rankoviqit kishte thënë se Shërbimi i Sigurimit Shtetëror ishte përzier në të gjitha autoritetet dhe “organet shoqërore” dhe kishte përgjuar e kontrolluar funksionarët. Pra, rrëzimi i Rankoviqit në radhë të parë ishte bërë për shkak se ai me aparatin e tij të sigurimit dhe përgjimit rrezikonte nomenklaturën komuniste jugosllave. Qëllimi i tij ishte konsolidimi i dominimit serb në Jugosllavi. Një arsye e dorës së dytë për heqjen e tij nga pushteti ishte terrori që kishte ushtruar kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.
Periudha e zullumit të Rankoviqit nuk ka zgjuar sa duhet interesimin e historianëve shqiptarë. Nuk ekziston asnjë studim serioz dhe i thelluar i këtij kapitulli. Në anën tjetër, në pothuaj secilën familje kosovare mund të dëgjohet nga një rrëfim për aksionin e armëve në vitet ‘50: me pretekstin e mbledhjes së armëve milicia e Rankoviqit ushtronte presion të tmerrshëm dhe shpeshherë të suksesshëm për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova kryesisht në Turqi. Gjenerata që e ka mbijetuar dhe e cila e ka vuajtur sundimin e Rankoviqit dalëngadalë po largohet nga kjo botë, po vdesin dëshmitarët e fundit pa rrëfime të shënuara në letër.
“Haptazi, shkurt e këput”
Pa ndonjë dilemë duhet thënë se dita e rrëzimit të Rankoviqit nga pushteti shënon fillimin e rilindjes së Kosovës. Për të mbështetur këtë tezë mjafton të shikohen e lexohen numrat e gazetës “Rilindja” menjëherë pas Plenumit të Brioneve. Nga 2 korriku 1966 deri në dhjetor 1966, kjo e përditshme botoi dhjetëra artikuj mbi represionin e milicisë dhe organeve të tjera të sigurimit kundër qytetarëve të pafajshëm. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët kishin mundësi që përmes një mediumi siç ishte “Rilindja” të shprehnin publikisht pakënaqësitë e tyre kundër dhunës së sistemit. Kërkohej të anuloheshin “dobësitë e deformimet”, në mënyrë që “n’organizatat themelore” të krijohej një “atmosferë ma e shëndoshë”, apelohej të luftohej çdo shovinizëm, sepse ”çdo shovenizëm, i kujtdo qoftë dhe kahado që vjen asht i rrezikshëm”. Pothuaj legjendare është rubrika “Lexuesit na shkruejnë”, ku qytetarë nga mbarë Kosova hapur tregojnë se cili milic, cili inspektor, cili funksionar i ka keqtrajtuar. Në artikuj të tjerë kërkohej që “byrokratët” të japin “përgjegjsi” dhe vendimet e Plenumit të Brioneve lavdëroheshin me tituj si ky: “Po nxen dielli i vetëqeverisjes”, “Byrokratët në kugëza”, “Revolucioni ynë – revolucion zemre, truni dhe i muskujve”.
Në fund të korrikut të vitit 1966, gazetari i ri i “Rilindjes” Nehat Islami ishte dërguar nga redaksia me detyrë në Suharekë. Nga atje ai do të raportonte për një mbledhje të komunistëve të kësaj komune, ku hapur ishin vënë në shënjestër krimet (“devijimet”) e Sigurimit Shtetëror. Artikulli i Nehat Islamit është botuar më 31 korrik 1966 dhe mban këtë titull: “Haptazi, shkurt e këput”. Autori e quan mbledhjen me të drejtë “të paharrueshme”, me ç’rast përmend referatin e përgatitur në “saje të materialeve të mbledhuna nëpër katunde” përkitazi me keqpërdorimin e detyrës nga ana e “organeve të sigurimit shtetnor”. Me emër e mbiemër përmenden persona që kanë ndikuar në burgosjen e qytetarëve, duke shpifur kundër tyre. Për shembull: “I tillë ka qenë edhe Rexhep Rifati i cili në saje të çpifjeve bani që të burgosen disa udhëheqës t’organizatave shoqnore e politike të cilët ma në fund i liroi gjyqi si të pafajshëm. U përmend edhe Mahmut Bytyçi, për të cilin u cek se asht njeri pa karakter. Megjithatë atij i besuen disa organe dhe burgosën qytetarë të ndershëm”. Se çfarë presioni zhvillohej kundër popullsisë shqiptare në Kosovë e ilustron ky shembull nga artikulli i Nehat Islamit: “Për komandirin e milicisë në Malishevë u tha se bashk me një organ tjetër të sigurimit shtetnor, pos tjerash, i ka çfrytzue njerëzit si në pikëpamje materiale ashtu edhe morale. Në katundin Muhovc, ata nuk nguruen me e përlye edhe nderin e fshatarëve. Kështu nji natë dy nëpunës të sigurimit shtetnor dhe nji bashkëpunëtor i koruptuem i tyne tentuen me ia shnderue bashkëshorten nji katundari të ndershëm. Kur ai bani rezistencë, ata ia thyen fulqinë me patllake”. Në tekst Plenumi i Brioneve përshkruhet si “shpatë që i pret të gjitha nyjet”.
Atmosfera e çlirimit
Që nga botimi i këtij shkrimi kanë kaluar 46 vjet! Periudhën pas rënies së Rankoviqit, Nehat Islami sot e krahason me ditët e shkurtit të vitit 2008, kur u proklamua pavarësia e Kosovës: “Njerëzit hynin nëpër ëmbëltore, çajtore, gjellëtore e lokale të tjera dhe thyenin fotografinë e Rankoviqit. Përnjëherë u krijua një atmosferë e çlirimit, lehtësimit, vrullit, përparimit, arsimimit”. Përnjëherë edhe kërkesa për Kosovën Republikë filloi të etablohej në debatet publike dhe nuk ishte më vetëm parullë e grupeve të ashtuquajtura ilegale. Nga fundi i viteve ’60 Rezak Shala, kuadër i Partisë Komuniste, kërkoi hapur që statusi i Kosovës të avancohej në Republikë. “Këtë synim (…) e ndiqnin edhe kuadrot e moderuara të shqiptarëve të Kosovës, por ata përpiqeshin ta realizonin këtë përmes rrugës legale, duke ndryshuar Kushtetutën”, shkruan historiani Oliver Jens Schmitt në librin e tij “Kosova. Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”. Rezak Shala vdiq më 6 maj 1998. Të nesërmen kryetari i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një telegram ngushëllimi lavdëroi kontributin e Rezak Shalës “për mëvetësinë dhe vetëvendosjen” e Kosovës. Sot zor mund të gjeni një politikan apo gazetar të Kosovës që i thotë diçka ky emër.
Me rrëzimin e Aleksandar Rankoviqit nisi periudha e modernizimit të mirëfilltë të shoqërisë së Kosovës përmes krijimit të mundësive për arsimim universitar, zhvillim ekonomik dhe konsolidim të identitetit kombëtar shqiptar. Kjo periudhë shënon shkëputjen definitive të shqiptarëve nga identiteti i përzier osmano-arnaut. Ngjizja masive e identitetit të ri shqiptar në Kosovë u favorizua paralelisht nga udhëheqja komuniste shqiptare e Kosovës (me tolerancën e Titos) dhe nga agjitacioni i fryrë kombëtar nga Tirana, i cili u bart nëpër Kosovë prej patriotëve të mirëfilltë të “ilegales”, por edhe prej shumë stalinistëve të papërmirësueshëm.
“Vollga” e Podujevës
Pas rrëzimit të Rankoviqit në gazetën “Rilindja” filloi të denoncohej jo vetëm represioni, por edhe korrupsioni. Një ndër aferat e trajtuara në vitin 1966 ishte blerja e automobilit “Vollga” për nevojat e Kuvendit të Komunës së Podujevës. Vendimi ishte marrë në mënyrë të paligjshme dhe për ta sjellë veturën nga Novi-Sadi ishte autorizuar një punëtor i Kooperativës Bujqësore në Podujevë dhe jo një zyrtar i komunës. Deri në blerjen e “Vollgës”, Komuna e Podujevës kishte një “Fiat 1300”. Të gjitha këto raportime në gazetën “Rilindja” filluan të reduktoheshin në fillim të vitit 1967 – me urdhër të partisë! Njëkohësisht në faqet e “Rilindjes” nisi të botohej një reklamë për “expres pasulin”: “Evo srpski pasulj. 10 minut për 4 racione. Provoni expres pasulin. Në çdo kohë vere – pasul i shijshëm dhe ekspeditiv! Në këso kutijash janë paketue pasuli i ziem, perimet e thata dhe të gjitha mëlmesat e nevojshme, kështu që shija e gjellës asht e garantueme. Urdhnoni ekspres gjellna, kursim kohe e të hollash – përgatiten për disa minuta. Urdhnoni e provoni ekspres pasulin. Të gjithë anëtarët e familjes dhe mysafirët tuej do të jenë të kënaqun. Urdhnoni ekspres gjellna gjysmëtëgatshme – prodhon Kolinska – Lublanë”. Me fjalë të tjera: si sot edhe në vitet ’60 sllovenët kanë ditur të fitojnë para – madje edhe me “srpski pasulj”.