​Osmani-Von Cramon: Dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje reciproke

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë-Serbi dhe se marrëveshjet e arritura deri më tash duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi sot me një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin tonë ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, derisa theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës.

Sipas saj, institucionet e reja në vend janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Agjendës së Gjelbër.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS