Kontakti

Lajmet

Klasat e para dhe të dyta në Prishtinë, çdo ditë mësim në shkollë – tri orë me nga 30 minuta

Publikuar

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Rama paralajmëron se nëse nuk kthehen fëmijët në shkollë plan programet janë të pamundura të arrihen. Rama thotë se protokollet që janë diskutuar nga grupet punuese i mbrojnë shumë mirë nxënësit në objekte shkollore.

“Nëse respektohen këto protokolle fëmijët më të mbrojtur do të jenë në shkollë se në lagjet e tyre ku jetojnë. Ne jemi dëshmitarë ku fëmijët luajnë së bashku në lagje dhe është e pamundur mbyllja e tyre”, tha ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës thotë se për ta si komunë të tri skenarët e propozuar nga MASHT-i janë të implementueshëm.

“Kthimi i nxënësve në shkolla është lehtë i implementueshëm në fshatra pasi maksimumi kanë 15 nxënës në klasë ndërsa ka klasë që kanë edhe pesë nxënës. Nuk është e drejtë që atyre të iu kërkojmë të bëjnë mësim online kur i kanë kushtet për të mbajtur mësim në shkollë”, thekson Rama deri sa tregon se si mund të mbahet mësimi në kryqytet.

“Shkollat e qytetit mund të kenë kthim të pjesërishëm në shkolla. Do të bazohemi në specifikat e shkollave. Klasa e parë dhe e dytë do të mbajnë mësim çdo ditë në shkollë, mirëpo në dy grupe të ndara me nga tri orë mësimore me nga 30 minuta”, deklaroi ajo në Rtv Dukagjini.

Drejtoresha e Arsimit thotë se është e pamundur që klasat e para dhe të dyta të mund të zhvillojnë mësim nga distanca dhe sipas saj është e sigurt se ata do të kthehen në bankat shkollore. Ajo thotë se nëse vërehet se ndonjë nxënës ka nevojë për mësim plotësues do të punohet më të individualisht.

Rama thotë se një tjetër skenarë është vetëm mësim online dhe sipas saj tashmë kanë filluar përgatitjet për xhirimin e njësive mësimore dhe transmetimin e tyre në RTK. Rama ka thënë se nga e marta pritet që shkollat e Prishtinës të furnizohen me mjetet higjienike, dezinfektues e gjithçka që parashihet në protokoll.

Lajmet

​Tim Judah: Marrëveshja Kosovë-Serbi në Uashington asgjë befasuese, ri-angazhim çështjesh të njohura

Publikuar

Tim Judah, analist për çështjet e Ballkanit në revistën britanike ‘The Economist’ thotë për Top Channel se pikat e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, janë një ri-angazhim për të normalizuar marrëdhëniet, gjë të cilën e kemi dëgjuar shumë herë në të shkuarën.

Analisti anglez nuk beson se do të ketë një angazhim të dytë të Uashingtonin për njohjen e ndërsjellët Kosovë Serbi.

Tim Judën e intervistoi gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

Muhamed Veliu: Zoti Judah si e shihmi marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dhe kush ishte ajo që mund të quhet si pika e fitores për Kosovën?

Tim Judah: Unë besoj se është një marrëveshje jo befasuese e kështu Kosova dhe Serbia nuk kanë fituar ndonjë gjë sikurse Kosova dhe Serbia nuk kanë humbur diçka në të gjithën këtë. Pamë një përzierje të çuditshme gjërash pasi në marrëveshje ka pika të dakorduar më parë . Tani kemi të bëjmë me një ri-angazhim për të normalizuar marrëdhëniet gjë të cilën e kemi dëgjuar shumë herë në të shkuarën. Çështjet ekonomike siç është hekurudha ne i kemi dëgjuar në të shkuarën. Njohja nga Izraeli, përmendja e Hezbollahut apo bllokimi 5 G janë 100 % relevante në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Mbase janë me interes për amerikanët në një kohë kur palët nuk nënshkruan marrëveshje mes tyre. E gjitha është ‘ok’, por le të shohim çfarë do të prodhojë kjo në krahun ekonomik. Nuk kemi të bëjmë me fitues apo të humbur nga kjo.

Por në perspektivën afatgjatë marrëveshja ka për tu harruar paçka se u bë dhe nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Ajo që do të jetë e dëmshme për zotin Hoti dhe posaçërisht për zotin Vuçiq janë pamjet filmike të të dyve përballë Trump nga ku duken si djem shkolle përpara mësuesit kujdestar. Do të shihet në të ardhme dëmi i shkaktuar në imazhin e tyre politik në terma afat gjatë.

Muhamed Veliu: Sipas jush cila është pika më e rëndësishme e marrëveshjes?

Tim Judah: Nuk shikoj ndonjë pikë të rëndësishme në marrëveshje. Thjesht kemi të bëjmë me një angazhim të ri për çështje të caktuara. Ndërsa pjesa janë tërësisht pa lidhje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ata thonë njohje e ndërsjellët e diplomave, por këtë e kanë bërë në të shkuarën pasi është pjesë e marrëveshjes me BE. Angazhim për të gjetur të zhdukurit. Ne e kemi dëgjuar këtë shumë herë në të shkruarën. Jemi përballë një përsëritje të gjërave. Në dokumentet e nënshkruara nuk ka asnjë madhore e cila qëndron.

Muhamed Veliu: Presidenti Vuçiq gjatë negociatave në Uashington ia arriti të sigurojë një marrëveshje pa përmendur fjalët “njohje e ndërsjellët”. Ishte kjo një fitore për Serbinë dhe humbje për Kosovën?

Tim Judah: Nuk do të ishte reale të ndërtohej ndonjë fije shprese se do të arrihej një njohje e ndërsjellët. Natyrisht nuk do të adresoj çështja e njohjes së ndërsjellët. Të gjithë e dinin këtë. Nuk arrita ta kuptoj përse kryeministri Hoti e artikuloi këtë se kjo ishte tema më e rëndësishme kur e dinte se nuk kishte për të ndodhur.

Muhamed Veliu: Marrëveshja e të premtes në Shtëpinë e Bardhë, besoni se mund të pasojë me një marrëveshje tjetër me ndërmjetësim amerikan për njohjen e Kosovës shtet nga Serbia?

Tim Judah: Jo. Kjo nuk ka për të ndodhur. Bisedimet e ardhshme do të zhvillohen në Bruksel.

Muhamed Veliu: A besoni se mos-marrëveshjet e gjata Kosovë-Serbi u përdorën në një mënyrë të zgjuar nga administrate Trump, për ta shitur si një arritje të politikës së jashtëm e për presidentin Trump përpara zgjedhjeve presidenciale?

Tim Judah: Në të gjithën këtë pati një qëllim dhe një lloj mesazhi për votues evangjelistë kur u përmend Lindja e Mesme. Mbase kjo mund të sjellë ndonjë ndryshim të vogël. Siç e patë nga ai Twitteri famoz i presidentit Trump u pa konfuzioni me Kosovës duke e vendosur si lokacion në Lindjen e Mesme. Nuk e di nëse kjo do t’ia mbushë mendjen shumë personave në SHBA të ndryshojnë opinion. Nuk jam specialist zgjedhjesh amerikane ata e dinë më mirë se unë këtë punë.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara